POPULL I PRISHUR

Koncepti i fushatës qeveritare për luftë kundër korrupsionit është: populli është i korruptuar, ofron ryshfet, ndërsa pushteti i ndershëm mezi mbrohet.

1 Dmth, me të vërtetë, turp të kemi. Mos qofsh nën lëkurën e pushtetit, funksionarëve komunalë të pushtetit, drejtorëve dhe zyrtarëve shtetërorë në administratën publike…Gjatë gjithë kohës janë të ekspozuar ndaj qytetarëve dhe qytetareve agresive të cilët në mënyrë të pamëshirëshme u ofrojnë para. E këta, të varfërit e shkretë, ç’të bëjnë? Kush nga të ardhurit keq, kush nga mos të diturit se ç’të bëjë, kush që të mos të ofendojë, meqë ti ke vendosur të paguash – si përfundim, do t’i pranojë paratë.
Sipas spoteve dhe bilbordeve që shohim, koncepti i fushatës qeveritare për luftë kundër korrupsionit është: populli është i korruptuar, ofron ryshfet, ndërsa pushteti i ndershëm mezi mbrohet. Ne jemi të korruptuarit kur shkojmë në kërkim të një shërbimi nga shteti. Ndërsa ata që i kërkojnë paratë që të kryejnë një punë për të cilën ne tashmë kemi paguar që ata të kenë rrogë ligjore…ata jo, nuk janë të korruptuar. Më së vështiri e kanë atëherë kur ka tenderë dhe prokurime publike. Atëherë në veçanti ndjehet agresiviteti i njerëzve për të ofruar provizione. Ndërkohë që zyrtarët e ndershëm shtetërorë nuk marrin vesh nga përqindjet.

Fushata përmban dhe një komponentë edukuese: Mos bëj kështu, tani çdo gjë shihet. Herët a vonë do të organizojnë trajnim që të trajnohen zyrtarët e qeverisë se si të mbrohen nga ky popull i prishur.

2 Drejtori i Spitalit klinik të Tetovës Florin Besimi ka qenë kryes i detyrës drejtor prej 11 vjetësh. Ligjërisht, këtë detyrë mund ta kryejë dikush vetëm për gjashtë muaj. Të paktën dy vjet kjo qeveri, disa herë me radhë, e ka caktuar si drejtor dhe e ka paralajmëruar se duhet të shpallë konkurs që të zgjidhet drejtor. Por, vetëm e ka paralajmëruar.
As nuk do të merrej vesh fare se Besimi ka qenë një drejtor jashtëligjor, nëse nuk do të kishte ndodhur zjarri në qendrën e Kovid-it ku u dogjën 14 vetë.

Kryeministri Zaev, jo vetëm për të, por në përgjithësi për drejtorët e institucioneve shtetërore shpjegoi se: Qeveria ndonjëherë i mban më gjatë nga afati ligjor në funksion sepse “u jep mundësinë të bazës kompetititve që të paraqiten në shpallje për zgjedhje të drejtorit”. Që do të thotë se, nëse Besimin e ruajnë për 11 vjet edhe qeveria e Gruevskit po edhe ajo e Zaevit “për shkak të bazës komeptitive”, dhe nuk hapin shpallje për drejtor të spitalit të Tetovës, atëherë ai është jashtë çdo lloj konkurrence. Aq i mirë është si drejtor, saqë për 11 vjet jo vetëm që askush nuk mund ta zëvendësojë si drejtor, por as vetë ai nuk mund të zëvendësohet.

Besimi është kuadër i profilit të lartë të BDI-së. Zaevi tha se :”edhe në institucionet shëndëtësore një pjesë e madhe e drejtorëve vihen politikisht, pasi përgjegjësinë politike qytetarët ua kalojnë politikanëve ndërsa ata e marrin nëpërmjet njerëzve të vendosur politikisht. Dëshira jonë është që institucionin ta drejtojnë mjekë, andaj pjesa më e madhe e drejtorëve janë mjekë”.

Politikë bën edhe ministri i shëndetësisë. Për këtë politikë janë shprehur shumica e votuesve. Mund të themi se edhe drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor është politik, sepse e zbaton politikën e qeverisë e cila ka fituar besimin më të madh në zgjedhje. Por, nuk kuptoj se çfarë është politike në organizimin e punës së një spitali me anë të menaxhimit të kuadros dhe burimeve materiale, të një shtëpie shëndeti, të Ndihmës së shpejtë, e kështu drejtorët të duhet të ndryshohen pas çdo zgjedhje, e madje edhe pas çdo rikonstuimi të Qeverisë? Çfarë është politikë në këtë mes? Përgjegjësi ka, po jo prëgjegjësi politike. Çfarë përgjegjësie politike kërkohet nga një drejtor i një institucioni publik? Çfarë është politike në faktin se je drejtor i një shkolle? Apo i një çerdheje?

Ne e dinim se kjo që thotë Zaevi është ashtu në praktikë. Mirë ama, lehtësia me të cilën ai kaq hapur e tha këtë është normalizim i jonormales. Demek, ne duam që ata të jenë profesionalë, por edhe nëse nuk janë, të paktën të jenë partiakë.

3 Drejtorët e spitaleve dhe mjekët tani janë në fokus, sepse tragjedia e Tetovës ka hapur shumë pyetje rreth shëndetësisë. Por, kështu është në të gjitha institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet komunale, si dhe agjencitë qeveritare….Dmth, jo vetëm që është normale, por nuk është as e turpshme që drejtorët të zgjidhen sipas një kriteri politik, e jo profesional. Dhe është normale që institucionet shtetërore të shkelin ligjet.
Prandaj njerëzit kanë mosbesim kronik ndaj institucioneve. Sepse, për jetën tënde në të gjitha sferat nuk vendos profesionaliteti i drejtuesit të institucionit, por vendos përkatësia politike. Ndërsa qeveria do ta paraqesë gjithë këtë si diçka normale, e kështu me paratë tona do të paguajë fushatën me të cilën do të na bindë se jemi ne të korruptuarit.

4 U bë shumë e madhe puna e seancës së përbashkët të qeverisë maqedonase dhe kosovare. I gjithë Shkupi u bllokua me orë të tëra, njerëzit lutnin policinë që t’i lëshojë se ishin nisur për në varrimin e prindit…Për çfarë? Për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në konfercë shtypi, ku Zaevi tha: Nuk i jap të gjykuarit për vrasje në Liqenin e Smillkovës në vitin 2012, sepse nuk i besoj sistemit tuaj gjyqësor. Mirë që Kurti nuk ia pranon Ballkanin e hapur Zaevit. Por nuk i pranon as gjykimet pas dy gjykimeve të mbaruara. Tha se sipas bindjes së tij, e vërteta nuk është qartësuar deri në fund. E me Zaevin ka biseduar edhe për ndihmën ndërkombëtare. Për Kurtin nuk bëjnë as shqiptarët e Maqedonisë. Sepse në këtë proces gjykatësi ishte shqiptar, ashtu si dhe prokurorja.

Zaevi heshti. Ai më shumë shqetësohet se mos i hidhrëohet ndonjë i huaj, sesa ne këtu. A thua se kosovarët do ta votojnë në zgjedhje. Me siguri mendon se këtu gjithçka harrohet shpejt. Dhe – ashtu është.

5 Si doli që mu tre nga të burgosurit dhe të paraburgosurit më atraktive të kenë caktuar kontrolle mjekësore njëkohësisht? Dragi Rashkovski rregullon dhëmbët, Boki 13 shëtit nëpër qytet deri në spital, kurse Zoran Mileski tridhjetë ditë me radhë kontrollon zemrën, e vozit këndej andej derisa bën ndeshje me një viktimë. Si ua caktojnë terminet? Me Moj Termin? Apo shfrytëzojnë udhëzimet urgjente? Sepse shumica që nuk janë as në paraburgim e as në burgim, mezi arrrijnë te mjeku.

Jo se nuk është ligjore. Por ja, ra disi. Tamam që të vuloset fakti se populli me të vërtetë nuk bën dhe se është shumë i korruptuar. E gjyqësia, ashtu si dhe të gjitha institucionet e tjera, është super. Gjithçka sipas ligjit, shef.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира