POPULLI – E KRYER!

E ç’rëndësi ka që Ohri nuk ka pediatër, kur kryetari i ri premtoi që do t’i rikthejë banakët që e ndotnin liqenin nëpër plazhe. Me rëndësi të ndërtohet.

1 NATO – E kryer. Regjistrimi – E kryer. Gëzuar, o popull! Billbord i tillë qëndronte te udhëkryqi përballë Qeverisë, si pjesë e fushatës së LSDM për zgjedhjet lokale, ku kaloi aq keq sa që Zoran Zaev vendosi të jep dorëheqje nga funksioni i kryeministrit dhe si lider i partisë.
E pra, gëzuar popull. Pikërisht kjo, “popull” ishte treguesi i fundit nga paralajmërimet e dështimit të LSDM-së. Votuesit me të cilët LSDM fitoi para 4 viteve nuk futen në grackë me shaka të tipit “popull”. LSDM e kishte kalkuluar keq që u përpoq ta sfidojë VMRO-DPMNE-në në fushën e tyre. Votuesit që e sollën LSDM-në  në pushtet kërkuan vetëm sundim të mirë.

Njerëzit janë padurim. Është shumë mirë që shteti u bë anëtarë i NATO-s. Ishim shumë krenarë dhe u gëzuam shumë kur e pamë flamurin maqedonas duke u valëvitur në mesin e flamujve amerikan dhe britanik. Mirëpo, nuk do të ishte keq që në shtëpi ti pastronit plehrat. Fjalë për fjalë dhe figurativisht. Nga drejtuesit e paaftë partiak deri te korrupsioni. Dhe – “me rëndësi është të ndërtohet”.

E nënvlerësuan VMRO-DPMNE-në, e cila edhe në opozitë u jep kahe temave politike në shtet. E nënvlerësuan edhe kandidaten për kryetare të qytetit të Shkupit Danella Arsovska e cila gjatë fushatës kërkonte dorëheqje nga kryeministri Zaev. Por më së shumti e nënvlerësuan zhgënjimin e qytetarëve.

E pra, gëzuar popull krizën e re politike. Pasi që moti nuk kemi pasur, na kishte munguar. Mjaft brengoseshim për zgjedhjet në Bullgari, le të brengosemi tani për tonat. Patjetër duheshka të shkohet në zgjedhje. Thua ti se ne jemi Holanda, ku partitë për gjysëm viti nuk mund të merren vesh për një Qeveri të re, derisa shteti shënon rritje ekonomike. E te ne, as plehrat nuk mblidhen deri sa pritet ndryshimi i drejtorit në ndërmarrjen komunale. Sepse të gjitha zgjedhjet i kemi në agoni. Vdekje o liri. Patriotë dhe tradhtarë. Kësaj radhe të riformuara në frymën e Marrëveshjes së Prespës – severxhanë dhe vemerxhanë.

2 Harruam që deri në vitin 2006 deri sa nuk erdhi Gruevski si kryeministër, zgjedhje parlamentare kishim çdo 4 vjet. Ai e solli praktikën e të votuarit çdo dy vjet. “Do të mbahen për dore dhe një nga një do të votojnë”. Në komplet me “britma dhe piskama”. Harruam që nuk është normale të largohet pushteti qendror për shkak të rezultatit të keq në zgjedhjet lokale, sikur që kishte VMRO-DPMNE në kohën e Ljubço Georgievskit në vitin 2000. Ndoshta, harruam që edhe premtimi më i madh i Zaevit që do t’i rikthejë lirinë dhe demokracinë – e përmbushi. Le të shpresojmë që si anëtarë i NATO-s, ky shtet ndoshta do të ketë kapacitet të dalë nga kriza politike e nxitur nga dorëheqja e tij.

Jo që në këto zgjedhje nuk kishte opsion tjetër. Tani të paktën u shfaqën shumë lista të pavarura, me emra të cilat janë të njohura në rrethin dhe profesionet e tyre, por deri tani kanë qenë të panjohur në politikë. Vetëm se prej tyre nuk do të ketë leverdi. Dhe shumica vendosën që “mos t’u interesojë politika”, “çka, akoma voton?!”, “nuk kam për kë të votoj”. “të gjithë janë të njëjtë”… Dhe kështu përsëri ua lanë partive të ndajnë ëmbëlsirën në mes vete. Me atë që tani edhe Levica do të ketë ndonjë post drejtues.

Mu për këtë, më e frikshme se kriza politike mu duk kriza shoqërore. Sepse ai kombinim i rraskapitjes dhe pritjes dhe zhgënjimit na bëjnë të ndihemi keq. Që klientelizmi dhe nënshtrimi marrin përmasa edhe më të frikshme. Po i harxhojmë jetët tona të rrethuar nga bashkëqytetarë që thurin lavde për organin gjenital të politikanit që ka fituar në zgjedhjet lokale. Është e frikshme të mos kesh zgjedhje tjetër, dhe për inat të votosh për dikë që të ç* në mendje të shëndoshë. Dhe nuk i vjen turp ta thotë atë.

3Kjo lodhje nga pritja edhe më shumë përforcoi dorëheqjen nga sjellja e BE-së. Një ditë pas dorëheqjes së Zaevit, nga BE deklaruan që “është e rëndësishme shteti të vazhdojë me reforma në lidhje me BE” dhe i ftuan “kryetarët e rinj dhe këshilltarët komunal të kontribuojnë në zhvillimin e agjendës reformuese të BE”.

E kush më e ka të rëndësishme në Maqedoni se çfarë ka për të thënë komisioni Evropian nga Brukseli, kur Unioni Evropian e ka më të rëndësishme se çfarë ka për të thënë bullgaria. Ne hymë në rrezik për luftë qytetare më 27 prill të vitit 2017, e ndryshuam emrin e shtetit, e ata nuk caktuan as bisedime për anëtarësi. Bisedime. Jo – anëtarësi. Bisedime. Fillim të bisedimeve. Pse? Sepse akoma nuk kanë vendosur se i kujt është Goce Dellçevi, sepse akoma nuk është në rendin e ditës për tu zgjidhur. Te Samoili na ndaluan në udhën për BE.

Dhe tani, pas 16 viteve të statusit si kandidatë dhe tre rekomandime pakusht për fillimin e bisedimeve me BE-në, Komisioni evropian kërkon nga politikanët që fituan në zgjedhjet lokal të vazhdojnë rrugëtimin drejt BE-së. Përse? Që të mbarojnë si Zaevi?

Po. Është e rëndësishme të vazhdojnë proceset reformuese në nivel lokal. Edhe pse, nuk e di çfarë lidhje ka puna e kryetarëve dhe këshilltarëve lokal me Unionin Evropian. Por, e di që vetoja e Bullgarisë kontribuon shumë në krizën politike në Maqedoni për të cilën Komisioni evropian dhe shtetet e tjera të UE-së thonë që janë të brengosur. Përsëri dihet se kush do të merret me zgjidhje.

4 Sektori për sëmundje të fëmijëve në spitalin e Ohrit po mbyllet sepse aty kanë mbetur vetëm tre pediatër. Në Oher. Në qytet – panorama e Maqedonisë, Jerusalemi Ballkanik, Perla turistike e Ballkanit. Qyteti i mbrojtur nga UNESKO, që shtetit i dha dy vjet për ta rregulluar mos ta vënë në listën e rrezikuar të trashëgimisë natyrore, kulturore dhe botërore. E mu në këtë Ohër, që është dhe njëri nga qytetet më të pasura në shtet, nuk ka interes që dikush të mbetet pa mjek-specialist. Pediatër. I gjithë qyteti të të respektojë, me gjithë turistët të cilët mos e bëftë zoti, mund t’i duhet ndihma mjekësore për fëmijët e tyre.

Por, s’ka rëndësi që Ohri nuk ka pediatër, kur kryetari i ri premtoi që do t’i rikthejë banakët nëpër plazhe që e ndotnin Liqenin. Me rëndësi të ndërtohet.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира