1Është gjë normale që unë të jem kundër Ligjit të amnistisë. Cili njeri normal do të mund të ishte “për” një ligj të tillë, me të cilin do të liroheshin nga përndjekja ata që ishin përgjegjës për ngjarjen më të tmerrshme të historisë bashkëkohore – sulmin e Parlamentit më 27 prill dhe tentimit për grusht shtet? Dorëheqja nga motoja e tradhtuar “Pa drejtësi nuk ka paqe” është e kuptueshme. Dhe as ajo tjetra “Shutka nuk të ikën, Nikollë”, tashmë nuk vlen.
Por, a ia vlen të harxhojmë kohën për dorëheqje të këtilla? Le ta mbyllim njëherë e përgjithmonë çështjen mbi mbijetesën e shtetit. Dhe ta ruajmë fuqinë për të rinisur. Ndoshta, kur të hymë në NATO dhe do të fillojmë me negociatat e BE-së, me të vërtetë do të ndërtojmë një shtet të drejtë.
Nuk jam shumë i sigut nëse edhe atëherë Maqedonia do të jetë në rregull? Me thënë të drejtën edhe unë jam pak skeptik. A kemi zgjidhje tjetër? A kemi kohë për një shans tjetër?
E pastaj, a donte dikush ta ndryshojë emrin? Kjo është shumë gjë më e dhimbshme dhe frustruese se sa amnistia e 27 prillit. Për të realizuar qëllime të larta, sidomos në poitikën globale, zgjidhjet janë praktike. Që nuk do të thotë se janë të drejta.
Kështu që, le të mos mërzitemi. Amnistinë nuk e ka shpikur Zoran Zaevi. Ishte e qartë se që të kalonte shpejt Marrëveshja e Prespës dhe ndryshimet kushtetuese, amnistia doli si një zgjidhje praktike. E nëse NATO nuk ka kohë, ne nuk kemi aspak. Atëherë kur bëhemi të mençur duke thënë se tashmë nuk ia vlen të protestohet, apo se nuk është mirë të dalim për votim, le të kujtojmë se Maqedonia, si shtet, është akoma në fazën “Që kur jemi duke bërë pazar, të paktën të kemi qar”.
Askush nuk është aq torollak sa të mos kuptojë se çfarë është një shtet i drejtë. Dhe se do të jetojë në një shtet ku e drejta vlen për të gjithë njësoj. Por, ne po aktrojmë për 27 vjet se kemi një shtet të drejtë dhe ia mbyllim sytë faktit se nuk kemi një gjë të tillë. Dhe tani? Erdhi LSDM-ja në pushtet dhe na u hapën sytë? Më mirë të mbyllim sytë edhe për nja dy-tre muaj, se sa mu tani të kuptojmë se me të vërtetë kemi një shtet të drejtë. Sepse nëse vazhdojmë së aktruari mund të na ndodhë që sot një vit të mos kemi shtet fare. Duket diçka e tmerrshme, por pa NATO-n dhe pa BE nuk do të mbyllet çështja e mbijetesës së Maqedonisë asnjëherë. Të paktën ta kishim hequr këtë barrë me të cilën jetojmë qe 17 vjet.
2E çfarë bëjmë më pas? Zhgënjim shumë më i madh se sa vetë amnistia për përmbaruesit do të jetë nëse zbulojnë dhe nëse nuk dënohen organizatorët e sulmit të parlamentit. Ndërsa akoma më e tmerrshme do të ishte nëse dikush nga ata organizatorë kthehet në pushtet. E më e tmerrshmja do të ishte që ndërkohë që ne merremi me një strategji globale gjeostrategjike dhe me një perspektivë, në përditshmëri po na shkatërrohet sistemi. Po na shkatërrohen institucionet dhe vlerat. Si dhe kapitali njerëzor.
3Shteti i drejtë nuk është çështje vetëm tre deputetësh që paskan hapur dyert, apo çështje e rrahësve profesionistë me maska. Shteti i drejtë nuk është për flamurin e ngritur para selisë së NATO-s në Bruksel.
Shteti i drejtë është në problemet e përditshmërisë dhe gëzimet e jetës. Në arsim, gjyqësi, shëndet publik, administrim publik efikas, udhëheqësi lokale, planifikim urban, ajër të pastër, ujë të pastër, dhe të pastër…Kjo është ajo që duhet të presim nga një pushtet i përgjegjshëm që do ta kemi zgjedhur pasi të kemi mbyllur këtë kapitull.
Atëherë më në fund do të mund të merremi me jetën e vërtetë. Kjo është çështja që më shqetëson më shumë se sa amnistia. Pasi me këtë Ligj shpresoj se do të përfundojmë me të kaluarën. Por, më frikëson e ardhmja kur e shoh se qasja drejt parave publike dhe punëve me privilegj partiak akoma janë karakteristika kryesore të qeverisjes. Dhe pyes veten nëse të gjithë ne si qytetarë kemi fuqinë për të kërkuar një qeverisje të re, në vend që të jemi bashkëfajtorë të një qeverisjeje të keqe.
Pasi, esenca e jetës së mirë është në qeverisjen e mirë dhe të përgjegjshme. E një jetë të tillë në Maqedoni akoma s’e kemi parë.
Përktheu: Fjolla Zllatku