PUSHIM I MERITUAR

Shembulli nuk jepet me statuse në Fejsbuk

1 Nuk mund ta kuptoj se me çfarë lehtësie japin dorëheqje politikanët nëpër botë. Ata s’janë në vete. Deputeti gjerman nga koalicioni i Merkelit që ka marrë para nga VMRO-DPMNE-ja për të lobuar për Gruevskin dha dorëheqje qysh atë natë, nga momenti kur mori vesh se kanë nisur t’ia zbulojnë gjurmët. Nuk priti as t’i dalë emri në gazetë. Në parlamentin e Kanadasë dhanë dorëheqje dy deputete sepse ishte zbuluar se kishin udhëtuar jashtë shtetit, ndërkohë që në shtetin e tyre kanë qenë në fuqi masat restriktive të pandemisë.
Nuk ka se ç’të shpjegohen, në ka qenë kështu apo ashtu, në paska pasur konflikt interesash apo jo…Nga partia thonë – shumë mirë, kjo është e mirë për partinë, zhduken nga politika dhe jeta vazhdon.

Imagjinoni sikur tani Angela Merkel të dalë e të thotë: “Nuk e di se çfarë ka qenë ajo gjëja me atë deputetin, por nëse ka marrë pesëdhjetë mijë euro nga VMRO-DPMNE-ja me siguri nuk i është kujtuar t’i marrë kot së koti. Duhet të ketë pasur një arsye.” Ashtu sikurse Zaevi jonë e justifikonte këshilltarin Dragi Rashkovski se nuk i është kujtuar kot së koti që ta blejë sfotuerin prej 81.000 eurosh të ndërtuar sipas idesë së tij ndërkohë që ka qenë sekretar gjeneral i Qeverisë.

Imagjinoni sikur Angela Merkel ta vendosë deputetin që ka lobuar për Gruevskin si këshilltar në Kabinet dhe të vazhdojë të shpjegohet para mediave: “Epo sigurisht nuk prisnit që ta linim rrugëve. Duhet të ketë ndonjë copë bukë për fëmijët. Kjo gjë ka ndodhur në 2016, tashmë i ka harxhuar paratë e jeta në Gjermani është e shtrenjtë”.

E sa për ata në Kanada, Kabineti i kryeministrit nxori një komunikatë se “nuk kanë për qëllim t’i pushojnë nga puna, pasi kryejnë detyrën e tyre me përkushtim”. Dhe “askujt nuk i është ndaluar që të largohet nga shteti”. Ashtu sikurse Kabineti i kryeministrit Zaev e arsyetonte udhëtimin e kryeministrit Ljupço Nikollovski në Dubai.

2 Mungon vetëm edhe VMRO-DPMNE-ja që të dalë me disa komunikata, dy-tre konferenca shtypi të Antonio Milloshoskit dhe  FB statuse dramatike netëve të Hristijan Mickoskit në mënyrë që të na bindë se zbulimi i vulës gjermane për deputetin që ka harxhuar paratë nga anëtarësia e tyre është një përpjekje për ta defokusuar opinionin publik nga politikat tradhëtuese të Zoran Zaevit, paaftësia e Filipçes për të blerë vaksina, të vdekurit nga covid-19, regjistrimit, softueri i Rashkovskit dhe pothuajse edhe një mijë katastrofa që as mund të paramendohen e që i kanë rënë mbi shpatulla këtij populli të vuajtur.

3 Kush e di se sa para shteti kanë marrë Gruevski me kllapën e tij. Kush e di se sa kushtojnë shërbimet konsultative në Budapest.

Ndoshta edhe 80 mijë eurot për softuerin sipas idesë së Rashkovskit nuk janë asgjë në krahasim me milionat të harxhuara nga Gruevski dhe kllapa e tij. Ndoshta parcelat që i blinin të tjerë në emër të tij ishin “të lira” kurse rruga e Rashkovskit deri në Meksikë është edhe “më e lirë”, dhe për këtë arsye nuk përbën asnjë lloj senzacioni. Edhe udhëtimi i zv kryeministrit Ljupço Nikollovski për luftën kundër korrupsionit në Dubai nuk është senzacion, por edhe ai ka të drejtën e garantuar për pushim si qytetarët e tjerë. Me shembullin e vet personal e filloi fushatën kundër korrupsionit “që të nxitet një ndryshim i duhur shoqëror për të cilin nuk ka dilema në është apo jo i domosdoshëm”.

Gjithçka është sipas ligjit, shef. Te ne vlejnë ligjet që janë shkruar në letër. Ndërsa ligjet morale, jo.

4 Muhabeti nuk është as për Dubain, as për Meksikën. Edhe po të shkonin në Halkidiki në këtë kohë të pakohë, do të ishte e njëjta gjë. Nuk bëhet fjalë për paratë, e më së paku për faktin se “secili ka të drejtë pushimi”.
Është e thjeshtë. Duhet të jepet shembulli personal. Kur je në funksion shtetëror, sidomos në pozitë të lartë, është politikisht korrekte të tregosh solidaritet me qytetarët dhe qytetarët kur ata e kanë të vështirë. Nuk është tamam korrekte që në valën e tretë të pandemisë, ndërkohë që njerëzit luten për kontroll dhe për një shtrat të lirë spitalor, ku humbin vendet e punës, ku mjekët dhe infermierët janë të lodhur si fizikisht ashtu dhe psiqikisht, të shkohet jashtë shtetit se – “të gjithë paskan të drejtë pushimi”.

E si ta marrim seriozisht zv kryeministrin Nikollovski kur thotë se “nuk ka kompromis me shëndetin e qytetarëve” dhe se “nuk ka kompromis me betejën me korrupsionin”, nëse në një moment të vështirë jemi ndjerë të tradhëtuar dhe të braktisur. Kjo është e ngjashme me punën e të pasurit dikë shumë të sëmurë në familje dhe një tjetër që ka humbur punën dhe nuk ka rrogë, ndërsa ty nuk të intereson fare dhe bën qejfet e tua, pasi “secili ka të drejtën e pushimit”.

Askujt nuk i është ndaluar të bëjë qejf dhe ta harxhojë rrogën si të dojë, por nëse ndodhesh në pozicion shtetëror, njerëzit presin nga ti të shikojnë një model sjelljeje, sidomos në një krizë si kjo. Shembulli nuk jepet me statuse në Fejsbuk për atë se sa kuti gjalpi me afat të skaduar ka gjetur inspeksioni apo sa kafene janë mbyllur për shkak të mosrespektimit të masave të kovid-it. Shembulli personal jepet me mënyrën e sjelljes. Madje edhe në kohën tënde private.

Në fund të fundit, është njerëzore të gabojë dikush. Më mirë do të ishte që Ljupço të thoshte “Më fal”, se sa t’i linte lajkatarët e partive ta mbrojnë. Kjo ishte akoma më dëshpëruese. Kurse nga Rashkovski as që pres të kërkojë falje.

5 Sa e shëmtuar është fotografia e pesë burrave që pozojnë në një sallë të zbrazët të një ndeshje hendbolli, duke marrë parasysh se aty kanë hyrë vetëm për faktin se janë funksionarë dhe drejtorë partiakë (apo familjarë të tyre) – një deputet, një kryetar komune, një drejtor i kopshtit zoologjik, një drejtor i burgut dhe një vëlla i kryetarit të komunës. E pastaj, shkuan në polici dhe paguan dënimin –  institucionet funksionojnë. Kaq nuk iu vajti ndërmend që të solidarizoheshin me të gjithë që nuk mund të shkojnë në ndeshje gjithë vitin, me muzikantët që nuk kanë asnjë koncert, për faktin që anulohen festivale dhe manifestime kulturore? Vallë, kaq fuqi u ka dhënë partia që ua ka marrë mendjen, e vetë u lëvduan nëpër rrjetet sociale se si pozojnë në stadiumet boshe?
Çfarë mendojnë ata kur Zaevi, lideri i tyre lajmëron për një “ofanzivë pranverore për një kthesë të re në veprimtarinë politike të LSDM dhe të Maqedonisë së Veriut? Dhe a e marrin seriozisht kur, si një kandidat i vetëm i partisë lajmëron edhe “ndryshim në mentalitetin e partive politike?”

Nuk e kam të qartë se si pas gjithë asaj sjellje të papërgjegjshme të VMRO-DPMNE-së dhe pas gjithë atij shpenzimi parash, as edhe pas pesë vjetëve LSDM-së nuk i kujtohet se me gjëra të këtilla mund të humben zgjedhjet. E mbani mend? Votuesit e VMRO-së nuk u prekën shumë nga muhabetet “Mile, mu tek”, apo për milionat dhe përqindjet që përmendeshin në bisedat e përgjuara, për shuplakat, të çmendurit, hendekët, çokollatat dhe bukët. Madje i besuan historitë për furgonat e verdhë derisa nuk e dëgjuan muhabetin e mercedesit, për televizorët e fëmijëve, e masazhuesit e ulëseve…

Mentalitetin e kujt dëshiron ta ndryshojë Zaevi? Jam shumë i bindur se ata të pestë që vetë u fotografuan vazhdojnë të jenë të bindur se nuk kanë bërë asgjë të tmerrshme kur kanë ndjekur ndeshjen e hendbollit vetë në sallë. Madje pyesin veten se pse ne habitemi me paftyrësinë e tyre e na konsiderojnë të frustruar, ziliqarë e si njerëz që nuk kemi punë më të mençur në jetë. Nuk jemi të aftë as edhe të gjejmë hotele të lira për Meksikë në booking.com.

6 Zaevi lajmëron se libreza partiake nuk mbron askë. Për LSDM- do të shohim. Por ama libreza partiake e BDI-së mbron shumë. Ajo jep mbrojtje më të mirë se sa mbrojtja që mbretëresha i jep Xhejms Bondit.
Imagjinoni, më në fund e pushuan drejtorin e spitalit të Strugës Muhamed Asajni, që krynte kontrolle në ordinancën ilegale të gjinekologjisë dhe një gruaje nga Dibra i ka hoqi mitrën, një vezore dhe një veshkë me prerje cezariane.

Mos mendni se kjo humbje e kuadrit do të kalojë me lehtësi te BDI-ja? Tani do të shohim se si ai do të kalojë në pozicione të tjera drejtorllëku. Nuk do të çuditesha nëse në ndonjë rikonstruktim të ardhëm të Qeverisë, e shohim këtë drejtor strugan edhe si drejtor të qendrës së re klinike në ndërtim e sipër apo si zv ministër të shëndetësisë. Jo se nuk është profesionist. Por, të mos e teprojmë e të tregohemi të sinqertë – edhe për BDI-në do të ishte shumë e paftyrë që ta propozonin për ministër.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира