S’ËSHTË E PREMTE

Deri këtu është partia, nga këtu e tutje është shteti.

1 Eeeej, po edhe te ne kishte sulm të Kuvendit. U kujtuam për sulmin e 27 prillit të vitit 2017, ndërkohë që herë pas here shkëputeshim nga mbrëmja festive për të ndjekur transmetimin direkt të sulmit të Kapitollit në Uashington.

Ngjashmëria e 27 prillit 2017 në Shkup dhe 6 janarit 2021 në Uashington ndodhet te fakti se një grup i organizuar e sulmoi institucionin ligjvënës dhe se në të dyja rastet pushteti e nxiti popullin drejt dhunës sepse nuk dëshiron ta pranojë dështimin në zgjedhje.

Donald Trump u tha mbështetësve para Shtëpisë së Bardhë që të shkojnë te Kapitolli për ta kthyer shtetin, kurse Nikolla Gruevski në TV u bëri thirrje njerëzve të tij që të mos rrinë në shtëpi me papuçe. E kur njerëzit e tyre u ngritën të gatshëm të japin jetën për ta, Trump mbeti në shtëpi shikonte TV dhe të publikonte tuite, ndërsa Gruevski ishte edhe më i sigurt sepse situatën e ndiqte nga Vjena.

Deri këtu me Amerikën jemi njësoj. E megjithatë, ka dallim.

Dallimi qëndron në faktin se në Uashington, ndërkohë që ndodhte sulmi, përfaqësuesit më të dalluar te Partisë Republikane, hoqën dorë nga Trumpi. Madje edhe ata që ishin më besnikët dhe që deri në fund të mandatit të tij nuk i kundërshtuan për budallallëqet që bënte. Kurse në Shkup, përfaqësuesit e dalluar të VMRO-DPMNE-së akoma nuk kanë hequr dorë nga Nikolla Gruevski, ndonëse ai hoqi dorë prej tyre dhe ia mbathi. Ata nuk kanë ndërmend ta dënojnë sulmin e Kuvendit, po përkundrazi. Tre vjet e gjysëm pas sulmit vazhdojnë të luftojnë për të vërtetuar se sulmi ka qenë pakënaqësia e justifikuar e popullit dhe se njerëzit që dhunshëm u futën në Kuvend të gatshëm që të vrasin janë patriotë dhe krerët e partisë janë dëshmorë.

Eh, ky është dallimi kryesor mes SHBA-së dhe Maqedonisë. Republikanët e dënuan sulmin e Kapitollit,  sepse me këtë ndodhi u cënua thelbi i demokracisë. Ata e dinë se nëse sot dhuna kalon e padënuar, nesër ata do të zhduken e nuk do të kenë se ku të drejtohen. Në demokraci është thjesht e paimagjinueshme të ndodhë mospranimi i rezultateve zgjedhore. Ok, i humbëm zgjedhjet, por nuk do ta shkatërrojmë tani shtetin, meqënëse nuk jemi në pushtet. Për dallim prej nesh kur në 27 prill 2017 nuk pamë as edhe një përfaqësues më të madh të VMRO – DPMNE-së të thotë “Jo në emrin tim”, te republikanët pamë të thuhej “Deri këtu është partia, nga këtu e tutje është shteti”.

Dallimin do ta shohim tek atëherë kur të fillojnë proceset gjyqësore për sulmin e Kapitollit, do ta shohim nëse edhe ata për vite të tëra do të shkruajnë akuza, nëse do të zhduken dëshmitë, nëse do të humben gjykimet nga njëri objekt gjyqësor në tjetrin nëse avokatët do të lirohen para gjykimit, nëse anëtarët e jurisë do të sëmuren, nëse të akuzuarit do të shkojnë në izolim për shkak te koronavirusit, nëse do të shtyhen materialet e përkthimeve, nëse gazetarët do të duhet të vërtetojnë se kanë qenë gazetarë kur kanë raportuar nga Kapitolli… e të shohim nëse Bajdeni do të dojë të amnistojë dikë nga sulmuesit, në mënyrë që t’i kalojë ndonjë ligj në Kongres.

2 Dallimi është që amerikanët këtë datë do ta shkruajnë në histori dhe do ta kujtojnë si një nga ditët më të zeza në zhvillimin e demokracisë amerikane, kurse ne, që në 2018 harruam se çka na ndodhi në 2017. Për këtë arsye, meqë nuk kujtojmë, na përsëriten gjërat e këqija.

Zaevi që mezi shpëtoi erdhi në gjyq si dëshmitar dhe gjeti justifikimin për të akuzuarit për organizimin e sulmit sepse mendon se ata kanë qenë naivë dhe të manipuluar nga Gruevski.

Nuk mund të ketë  pajtim me anë të harresës, gjithçka ka rend. Në fillim kërkohet falje, pastaj vjen përgjegjësia e në fund vjen pajtimi, por fakti se do pajtohemi nuk do të thotë se do të harrojmë.

3 15 burra nga BDI janë ulur në një hapësirë dhe janë fotografuar pa maska që të lëvdohen se po i festojnë ditëlindjen liderit Ali Ahmeti në zyrat e reja të zv.kryeministërit Artan Grubi. Mu atë ditë kur e nxorën foton dolën dhe të dhënat se 12.500 qytetarë dhe qytetare të Tetovës janë dënuar në rruge për mosmbajtje maskash. Nga kush të marrin shembull për mbajtjen e maskave? Ç’është e vërteta, funksionarët e BDI-së asnjëherë nuk janë përgjigjur para ligjit të shtetit, sepse për ta është e rëndësishme çfarë do të thotë kryetari i partisë.

E çuditshme se si pushteti ua merr mendjen politikanëve deri në atë pikë sa te bëjnë hapa që nuk do t’i kishin bërë kurrë si qytetarë të thjeshtë. Si iu teket të publikojnë veten duke shkelur ligjin!? E tha bukur mirë Zaevi se për Vitin e ri do të rrimë në shpi me pixhama, por as vetë nuk e mbajti premtimin. Shkoi në mal e u fotografua pa maskë dhe atë me ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe, i cili 3 herë në ditë thotë- mbani maska, mbani distancë, duke u dyndyr rrjetet sociale.

Ja, edhe këtu është dallimi mes SHBA-së dhe Maqedonisë.  Atje njerëzit u besojnë institucioneve demokratike, paguajnë tatime, paguajnë dënime nëse gabojnë, dhe vazhdojnë punën e tyre. Ndërsa te ne mu ata që janë përfaqëses të institucioneve shtetërore, në mënyrë të vetëdishme e shkelin ligjin vetëm e vetëm sepse munden. Nuk është puna për 20eu që do të paguajnë,, por është puna se askush nuk u kërkon llogari.

4 Edhe një tjetër ndërtesë nga projekti 2014 u bë me funksion – Ministria e mosshkuarjes në punë. Njësoj si në Monti Pajton, ku kishin ministrinë e ecjes idiote, dhe është fakt, ecnin si idiotë. Artan Grubi fitoi ministrinë e mosshkuarjes në punë dhe është fakt – mbi 1500 njerëz marrin rroga që të mos shkojnë në punë, e për pak vite do të fillojë t’iu vijë dhe pensioni.

5 Lideri i VMRO-DPMNE-së thotë se do të punojë fort në terren që t’i devaluojë dhe të mos i pranojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë. Si? Mos vallë do ta sulmojë ndërtesën e Entit për statistikë? Si devaluohet numri i njerëzve, mallit, hidrocentraleve etj…? Le të na shpjegojë, si inxhinier, si bëhet devaluimi i njerëzve të numëruar? Nëse janë 10 të jenë 9! Do të heqë meshkuj, e të shtojë femrat!

Pse? Çfarë dobie ka VMRO-DPMNE nga regjistrimi i popullsisë. Si do të ndihmojë kjo që të vijë në pushtet, përse do të votonte dikush për një parti, politika e së cilës është të mos i pranojë rezultatet e regjistrimit.

Besa, Mickoski është kundër çdo gjëje, e pse të mos jetë edhe kundër regjistrimit, është opozitë për inat. Nëse do t’i thoshe: “Sot është e premte”, do të të thoshte: “E, për ne nuk është e premte, do të jetë e premte kur të vijë VMRO-ja në pushtet.”

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира