STAJKOVCË – LLASKARCË

Mua nuk më shqetëson Mira.

STAJKOVCË – LLASKARCË

1Pavarësisht të gjithave, ky shtet vazhdon të jetojë falë njerëzve të mirë. Atyre njerëzve që janë të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm e që nuk kursehen të tregojnë njerëzinë. Ata janë njerëz që e duan punën e tyre dhe punojnë me përkushtim të plotë. Duhet të jemi të lumtur që njerëzit e mirë nuk janë ngrënë akoma nga ligësia e atyre, të cilët akoma edhe tragjedinë e fatkeqësisë së autobusit e trajtojnë si çështje ndëretnike. Duhet të jemi të lumtur për ata që mbajnë akoma mendjen e kthjellët, përkundër atyre të marrosurve, që gjejnë lloj-lloj teorish konspiracioni edhe në fatkeqësinë më të madhe, duke thënë se e paskan kurdisur ngjarjen me qëllim që të shpërqendrojnë opinionin publik nga ndryshimet e tabelave me emrin e ri të shtetit.
Potenciali që mirëmban këtë shtet nuk është vetëm i mjekëve që nuk paguhen mjaftueshëm dhe i motrave medicinale të shëndetit publik, që u paraqitën menjëherë në spital pas fatkeqësisë pa qenë nevoja t’i thërrisnin. Nuk është as vetëm i zjarrfikësve me automjetet e shekullit të kaluar. Potenciali që mirëmban këtë shtet gjendet te ata qytetarë të Shkupit që u ofruan strehim familjeve të viktimave dhe të lënduarve. Ishin ata që nxituan për të dhuruar gjak. Kjo është gjëja që na jep shpresë që të mund të themi se gjithsesi “ne do t’ia dalim”, pavarësisht ligësisë që na helmon gjithandej. Do t’ia dalim edhe në këtë sistem që rrënohet e që nuk është rinovuar nga koha e Titos.

Po tani? Çfarë jemi duke bërë? Ditët e zisë do të kalojnë. Përkujtimoret e politikanëve gjithashtu do të harrohen. Ashtu siç historitë heroike do të thuhen edhe për një kohë dhe do të pushojnë. E do të vijë momenti kur do t’i  zëvendësojmë shiritat e zinj mbi fotot e profilit në Fejsbuk me një selfi të ri. Ndërkohë, familjet që humbën të afërmit e tyre do të vuajnë gjithë jetën. Le të shpresojmë se të gjithë të lënduarit do të shërohen.

Jeta do të vazhdojë. Deri te fatkeqësia e radhës.

2A kemi marrë ndonjë mësim nga tragjedia jonë e fundit?  Apo do të vazhdojmë ankesat mbi rrugët e pasigurta, mbi qentë, kuajt dhe lopët në autostradë, mbi bankinat e ngritura, autobusët e vjetër, korrupsionin nëpër stacionet e kontrollit, mbi inspeksionet e papajisura dhe vozitësit e rraskapitur…Tashmë po bëjmë tridhjetë vjet që shkruajmë mbi sistemin e paorganizuar të shpëtimit, mbi efikasitetin e dobët të ndihmës së shpejtë dhe mbi kuadrot e patrajnuara e të papaguara….Veç një ditë para fatkeqësisë u bë publike se mosha mesatare e automjeteve kundër zjarrit është 27 vjet, dhe se automjeti më i vjetër te ne ka 39 vjet. Të mos përmendim se automjetet e reja u  morën me anë të dhurimeve të huaja. Njashtu sikurse u morën edhe automjetet e ambulancës. Në spitalin “8 Shtatori” ku u pranuan pothuajse të gjithë të lënduarit e aksidentit, ekziston një qendër e re për trauma e cila u hap ceremonialisht nga kryeministri para gjashtë muajve. S’kish fajde nga ajo gjë, kur deri në datën e fatkeqësisë nuk punonte, sepse mungonin anesteziologë dhe motra medicinale. E rregulluan punën “disi”, se ndryshe nuk do të kishin vend për t’i shtrirë të plagosurit.

Deri ku jemi me mësimet e jetës? Çfarë mësimi kemi marrë nga tragjedia e fundit? Dhe si do të na ndihmojë ajo që kemi mësuar për ta përmirësuar sistemin? Çdo mësimi i ri do të duhej të thoshte jetë të shpëtuara.

Fatkeqësitë ndodhin vazhdimisht, ashtu si dhe katastrofat natyrore. Janë gjëra që nuk mund të parashikohen. Mirëpo, efikasiteti i një shteti matet nga mënyra se si sistemi reagon kur ka fatkeqësi dhe nga mënyra se si menaxhon pasojat e fatkeqësisë. E për t’i menaxhuar, duhet të ketë hetim cilësor me identifikimin e përgjegjësisë. Përgjegjësi, jo për të linçuar, por për të parandaluar gabimin e njëjtë. Vallë mban mend dikush të ketë ndonjë finalizim, konkluzion të hetimeve të të gjitha tragjedive të mëdha që na kanë ndodhur vetëm gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit? Kemi pasur dy fatkeqësi me helikopter, ndërsa gjatë verës, u mbytën nga vapa disa pasagjerë në autostradë. Edhe?

Çfarë kemi mësuar deri më tani? Çfarë ka ndryshuar nga Stajkovcë 2016 – Llaskarcë 2019?

3Ç’faji ka Mira? Përse deputetja Mira Stojçevska u bë lajm shumë më i rëndësishëm se sa Republika e Maqedonisë së Veriut në NATO, vetëm se ka punësuar të birin dhe vëllai dhe se i shoqi është ngritur në detyrë gjatë mandatit të saj?
Aq ka mundur të bëjë Mira. Ka pasur një djalë për të punësuar dhe i ka gjetur punë. Të kishte pasur djali i saj firmë, do t’i kishte gjetur tender. Andaj, Mira nuk duhet dënuar, por duhet shpërblyer. Pasi ajo në mënyrë shumë të përkushtuar zbaton politikën partiake të LSDM-së.

Mua nuk më shqetëson Mira. Më shqetëson Damjan Mançevski, që është ministër i shoqërisë informatike dhe administratës dhe që deklaroi: “Sot është çudi që cilido simpatizues i kësaj qeverie të punësohet madje në institucione publike. Për 10 vjet të gjithë anëtarëve të LSDM-së i është ndaluar punësimi në sektorin shtetëror dhe privat. Ku të shkonin ata? Ta braktisin shtetin?”

Le të na falin të gjithë ata që nuk kanë librezë partiake. Me fjalë të tjera, Damjani e tha vetë haptazi: Ç’kujtuat ju? Se LSDM-ja do të punësojë dikë që nuk është pjesë e partisë në firma shtetërore dhe administratë publike?”

Po, Damjan. Ashtu kujtonim. Pasi 11 vjetëve me VMRO-DPMNE-në, që punësoi gjysmën e partisë në shërbim shtetëror, ndërkohë që BDI-ja punëson kuadro të tëra, pa i detyruar as të shkojnë në punë fare, po, kujtuam se të gjithë do të kemi qasje ndaj shërbimit shtetëror dhe se kriteret e vetme të punësimit do të jenë profesionalizmi dhe kualifikimi i duhur. E jo defteri partiak.

Nuk është e vërtetë se gjatë regjimit të kaluar, njerëzit e LSDM-së janë diskriminuar më shumë se të gjithë qytetarët e tjerë që nuk janë përkatës të partive. Ata kanë mundur të punësohen në firma private. Kanë mundur të hapin vetë firma private dhe të jetojnë po njëlloj të diskriminuar siç jetonin shumica e qytetarëve, që nuk ishin pjesë e partisë. Dhe përfundimisht – te cili ligj thuhet se diskriminimi i një anëtari të LSDM-së është dozë më e madhe diskriminimi se sa diskriminimi i një qytetari tjetër?

Faktikisht Damjani ka legjitimuar atë që bënte VMRO-DPMNE-ja në të kaluarën. Dhe nuk i dha legjitimitet vetëm asaj që po bën kjo qeveri, por edhe çdo qeveri e ardhshme. Ndërkohë që lideri i partisë, Zoran Zaev thoshte: “Kjo ligësi nuk do të ripërsëritet.”

Ja që po përsëritet. Pasi LSDM-ja e vazhdoi praktikën që të bënte që punësimi të ishte atraktiv vetëm në shërbimin shtetërorë. Bizneset private nuk kanë kushte më të mira pune. Futju ca tatime që të mund ta ushqesh ushtrinë tënde partiake me vende të shpikura pune. Dënoje me tatimet e ngritura edhe punën honorare të aftëve dhe punëtorëve dhe ndalojua honoraret pensionistëve. Ndalojua punën studentëve.

Po ata që nuk janë pjesë e partisë, çfarë perspektive kanë, vallë? Apo perspektiva e tyre është që të hyjnë në parti? Apo që të gjejnë punë në BE? Nëse shteti do të hyjë ndonjëherë në BE. Po ama nëse kjo ndodh, ata do të jenë të gatshëm, duke pritur.

4Agjencia greke për zbulim ka publikuar shpallje për punësimin e 56 personave me njohuri të gjuhëve të ndryshme. Mes tyre për herë të parë figuronte edhe gjuha maqedonase. Ja ku kanë një mundësi zbuluesit e arratisur, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkoski, të akuzuar për rastet e PSP-së për përgjim të jashtëligjshëm “Target” dhe “Fortesa” që të gjejnë punë. Të kualifikuar për shërbim zbulues – janë. Edhe gjuhën maqedonase – e dinë. Edhe ne nuk kemi pse shqetësohemi për ta. Plus që do të kenë dhe rrogë shteti.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира