TAKS FRI

E mori inat fshatin dhe ia preu vetes.

TAKS FRI

 1Ashtu është. Evropa është një lavire Babilonase që gjithmonë i shikon interesat e veta. Ashtu është. Nuk jam i kënaqur me datën e kushtëzuar, apo sido ta quani, për fillim të negociatave me BE. Ashtu është. Nuk jam i kënaqur as nga Maqedonia Veriore. Është frustruese dhe fyese të të thonë se nëse dëshiron të kesh jetë më të mirë do të duhet ta ndryshosh emrin e shtetit tënd. Ashtu është. Dhe më zë mllefi. Çështja që kishim me Greqinë ishte jashtë logjikës që nga fillimet e saj. Njësoj sikurse FYROM, që është një shpikje idiote me të cilën u bëmë anëtare të OKB…
Kështu duket, pra e gjithë kjo punë, kur problemit që dëshiron të zgjidhësh i qasesh vetëm me emocione, jo me intelekt.

Tani mbajmë mëri ndaj presidentit francez, Makron, për shkak të datës së kushtëzuar të negocimit. Ndaj Holandës, e cila nga pavarësimi deri më tani është donatori më i madh i Maqedonisë. E ndaj Danimarkës. Kujtoj si ministri danez i punëve të jashtme, Ufe Eleman Jensen, në vitin 1993 i prishi marrëdhëniet me Greqinë për hir të Maqedonisë. Madje, deri në atë pikë, sa grekët bojkotonin prodhimet daneze. Ndërkohë ne donim t’i falnim emrin e një rruge.

Me gjithë këto hidhërime, mos na del në fund si ajo fjala e urtë popullore: “E mori inat fshatin dhe ia preu vetes”.

Qenkemi vendosur në pozicion inferior kundrejt Greqisë. Gjasme deri tani paskëshim qenë të barabartë? Ata në BE dhe NATO, ne – jashtë. Unë personalisht njoh shumicën e atyre që tani janë shumë emotivë ndaj Maqedonisë Veriore dhe datës së kushtëzuar, por që në mënyrë që t’ua kthenin 5 eurot e  “taks fri”-së në Evzoni, e shkruanin vetë FYROM-in në formular.

Ashtu është. Nuk është fer. Jeta nuk është fer. Por, vallë, të jetë fer të mos dimë akoma se kush dha urdhërin që të sulmohej Parlamenti më 27 prill vitin e kaluar? Të jetë fer që kriminelët për të cilët dëgjuam në bombat e që e robëruan shtetin, të mos jenë gjykuar akoma? Të jetë fer që të mos dihet akoma se kush ka dhënë urdhërin për përgjim? Të jetë fer që administrata shtetërore të vazhdojë të jetë edhe më tej fole e klientëve partiakë? Të jetë fer që Gjorge Ivanovi të mos mbajë asçfarë përgjegjësie për faljet dhe rolin e tij në sulmin e organizuar të Parlamentit?

Këto janë kushtet që duhen përmbushur në mënyrë që në qershor 2019, Maqedonia të fillojë me negociatat për të hyrë në BE:

  • Reforma në gjyqësi dhe hetime proaktive, akuza dhe gjykime përfundimtare mbi rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë dhe ato të nivelit më të lartë.
  • Reforma në shërbimet e zbulimit dhe sigurisë
  • Reforma në administratën publike
  • Gjithashtu Këshilli i BE-së kërkon dhe pastrim të veprave të paligjshme të zbuluara nga bisedat e përgjuara, ndërkohë që duhet të vërtetohet edhe përgjegjësia për sulmin e Parlamentit më 27 prill të vitit të kaluar.

Çfarë dallimi kanë këto kushte nga ajo që ne, si qytetarë, duam me të vërtetë?

2Këto kushte nuk janë aspak ndryshe nga ajo që ne, si qytetarë, imagjinojmë dhe presim nga shteti ku duam të jetojmë. Gjatë 12 muajve të ardhshëm deri në datën e fillimit të negocimit dhe më tej. Ama, këto kushte janë shumë më ndryshe nga ajo që dëshiron udhëheqësia e vjetër e VMRO-DPMNE-së. Besa, edhe e reja.

Kjo datë kushtëzuese për ta vjen si përballje me realitetin. Vjen koha për burg. Prandaj bëjnë gjithë këtë zallamahi. Prandaj përhapin aq shumë pesimizëm. Prandaj thonë se BE do të shkatërrohet. Dhe se NATO është organizatë terroriste. E madje edhe tallen me dredhi duke pyetur: “Cilin shtet do ta bombardojmë së pari?”. Herë është kushtëzuese, herë jo. Prandaj thonë se kjo është disfatë. Se data nuk është datë. Se do të zhdukemi.

Ata do të bërtasin edhe më shumë. Prandaj Gjorge Ivanovi do të bëjë akoma më shumë pengesa në “udhën e pastruar drejt BE-së”, siç e quajti Johanes Han.

Pasi, ata e kuptojnë se ligësitë e tyre nuk do të harrohen ndonjëherë. Mendonin se ndërkohë që merremi me çështjen e emrit, si ne, si BE-ja do t’i harronim. Ndërsa, tani erdhi momenti kur duhet të merret vendimi. Ose burg për ta, ose burg për Maqedoninë.

Çfarë do të zgjedhim?

3Mirëpo, tani koha për vendim i ka ardhur edhe Zaevit. Nuk ka shumë kohë, as hapësirë për tregti me VMRO-DPMNE-në dhe Gjorge Ivanovin për falje të krimeve. Edhe njerëzit e tij të LSDM-së duhet përfundimisht t’ia nisin punës.
Tre persona ishin të zënë me emrin. Po të tjerët, çfarë bënin? Ishin të zënë me ligje për duhanpirje dhe me mbanin llogari për interesat e kafexhinjve. Mblidhnin fiskalet e pagesave rrugore për të arsyetuar shpenzimet e rrugës. E me vendime që nuk mund t’i zbatojnë në jetën e tyre as për një javë.

Kaloi një vit i tërë duke u arsyetuar se e gjithë administrata qenka e VMRO-së dhe se ata të BDI-së nuk bëkan fare. Mund të jetë dhe ashtu, por unë nuk kam parë ende se këta të LSDM-së janë diçka e veçantë. Apo se të paktën janë kapur pas shansit për ta ndryshuar Maqedoninë, për ta shndërruar në një shtet të denjë për BE-në. Pa kushte nga jashtë.

Mjaft më me planet virtuale “3-6-9”. Zëvendës kryeministrit Bujar Osmani tashmë nuk i vlen as “Plani 18”. Pasi Brukseli na i shkurtoi shifrat. “Plani 12” është në fuqi tani. Dhe nuk ka arsyetime për kërkesën e mëtejme të arsyetimeve.

4Ata që reagojnë emocionalisht ndaj datës së kushtëzuar dhe ndaj ndryshimit të emrit thonë: “BE nuk na duhet, do ta rregullojmë vetë shtetin”.
I bukur është ky egocentrizëm, sikur të ishim ajo fuqi botërore e cila duhet vetëm të vendosë t’i pastrojë plehrat dhe të marrë hapin me grupin e 7 shteteve më të zhvilluara. Plus që Rusia, BE dhe NATO do të luajnë ashtu siç ne kemi vendosur.

Nga ku e kanë idenë se vetë do ta rregulluakemi shtetin? Kur ne s’kemi bërë gjë prej gjëje vetë nga 1941 e deri tani? Mos të shkojmë më herët? Pse do të kishin ardhur të na rregullonin të tjerë, nëse ne paskemi mundur ta bëjmë vetë? Vetëm brenda një jave, Amerika ka shqyrtuar çështjen e Maqedonisë plot tri herë në nivel më të lartë. Ministri gjerman i Evropës, Mihael Rot, u ndesh me francezët rreth emrit, e për më tepër që duket se Angela Merkel shqetësohet më shumë për Maqedoninë se sa vetë Gjorge Ivanovi.

Në fakt, e vërteta e hidhur është që as SHBA, as Gjermania, as Franca, as Holanda, as Rusia apo Turqia nuk vendosin për ne. As për Greqinë. Vendosin për veten e tyre. Ata janë miq të Maqedonisë deri në atë pikë ku interesat e Maqedonisë përputhen me interesat e tyre. Ndërsa tani na thonë me dashamirësi: “Interesi jonë është që ju të jeni në NATO dhe BE. Është mirë të përfitoni nga kjo.”

A thua se integrimi në NATO varet nga nënshkrimi i Gjorge Ivanovit. E nga romantizmi jonë nacional për emrin apo nga ofendimi ynë nga shkaku se na kanë vendosur kushte për datë.

BE dhe NATO porositën shumë qartë: Gjeni se kush e organizoi sulmin në Parlament. Futini në burg vjedhësit dhe ata që përgjuan gjysmën e shtetit. Çlironi gjyqësinë nga varësia partiake. Mbushjani oraret e punës administratës që të mos ketë kohë të mendojë vetëm për partinë që e ka vendosur. E pasi e kapërcyet pengesën më të madhe që të pastrohej rruga drejt BE – çështjen e emrit me Greqinë – përvishni mëngët.

E kështu, të fyer e të përbuzur nisuni për plazh. E kur të ktheheni, mos harroni ta kërkoni t’ju kthehet “taks fri”-ja në Evzoni. Keni kohë, të paktën deri në fund të shtatorit, që të shkruani me krenari FYROM te formulari.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира