TAZI BE

Mjaft më me lajkatime. Politika zyrtare e Republikës së Bullgarisë po kërcënon ardhmërinë e fëmijëve tanë.

 1 VMRO-ja bullgare, ajo e Karakaçanovit, lajmëron se do të bëjë revizion të ndarjes së pasaportave bullagare ndaj qytetarëve të Maqedonisë. Do t’ua marrin mbrapsht pasaportat e politikanëve maqedonas që flasin keq për Bullgarinë. Shyqyr. Kur nuk na kujtua neve që t’i pastronim hesapet se kush nga politikanët tanë, përveç pasaportës maqedonase mban dhe një bullgare, të paktën një punë të hajrit do të shohim nga bullgarët. Le t’i pastrojnë ata.
Me anë të komisioneve ndërqeveritare i vërtetojmë njëri-tjetrit se çfarë kanë qenë Samoili dhe Goce Dellçevi një herë e një kohë. Po sot? Sa deputetë? Sa ministra, sa kryetarë komunash të Maqedonisë kanë pasaportë bullgare? Vetë janë shkruar si Bullgarë. Askush nuk i ka shtyrë me zor. E kështu nesër, me plot të drejtë, do të na thonë: Ç’gënjeni veten? A nuk e shihni se liderët tuaj janë bullgarë?

Mund të thotë dikush, të tilla janë rrethanat. Hajdeeee. Po për Goce Dellçevin, çfarë rrethanash ka pasur? Ai nuk ka mundur ta marrë vetë pasaportën maqedonase. Kurse për Samoilin – të mos flasim fare. Por deputetët tanë kanë shtet maqedonas. Rrethanat e tyre janë ku e ku më të favorshme se sa ato të Goce Dellçevit.

Të flasim drejt. Unë nuk e kam fjalën për ata që kanë marrë pasaportë bullgare për të shkuar në Gjermani, Suedi, Francë, Holandë për të punuar si qytetarë të BE-së, se ata me siguri nuk e kanë bërë këtë gjë që të shpërngulen në Bullgari, apo që të bullgarizohen. Atyre politika nuk u intereson. Ia kanë mbathur nga politikanët që t’i sigurojnë vetes ekzistencë. Mirëpo është tejet e rëndësishme se kush nga këta liderë aktualë dhe të së kaluarës, që kur ekziston Republika e pavarur e Maqedonisë, ka pasur apo jo pasaportë bullgare apo çfarëdolloj pasaporte të ndonjë shteti tjetër.

Ne që kemi zgjedhur të jetojmë në këtë shtet duam të dimë nëse për kryeministrin, deputetin, deputetin special, ministrin, kryetarin apo këshilltarin e komunës sonë ekziston një shtet rezervë…A nuk është e drejtë që në zgjedhje të di nëse ai që merr vendimet në emrin tim ka një vendlindje rezervë?

Ashtu siç është e rëndësishme se me sa para je futur në politikë dhe sa para ke bërë ndërkohë që je në politikë dhe paraqet pronë në Komisionin e antikorrupsionit, është gjithashtu e rëndësishme edhe me sa pasaporta je futur në politikë. A ka guxim Zaevi dhe kjo garniturë politike ta vendosë çështjen e pasaportave si kusht për funksion shtetëror? Këtu nuk ka hidhërime. Nuk ka gjykime. Nuk më interesojnë motivet se pse dikush mund të ketë pasaportë tjetër. Është e thjeshtë. Dua vetëm që si votues të bëj një vlerësim objektiv të njeriut që më premton se do të bëjë diçka për mua, me paratë e mia dhe në shtetin tim.

2 Unë i pëkas asaj gjenerate që mban mend barcaletat për Bullgarët, për shkak të të cilave tani Zaharieva kënaqet me hakmarrje. Kur e dëgjova deklaratën e saj se vetoja nuk qenka veto, mu kujtua një barcaletë e viteve 1970-80 kur e bija e Todor Zhivkovit, Ljudmila, ka qenë duke ngarë shpejt makinën nëpër Sofje dhe e ka ndalur policia. Polici, duke mos e ditur se kush ishte vajza, për dënim i ka bërë një vrimë në dokumentacionin e lejes. Duke ia kthyer, sheh se mbiemri i saj është Zhivkova dhe e pyet: “Todor Zhivkovin, ç’e ke?” Ajo i përgjigjet se është babai i saj. Atëherë, polici ia merr sërish dokumentacionin nga dora dhe afër vrimës shënon “Kjo vrimë nuk është vrimë” („Тази дупка не е дупка”).
Kështu, edhe kjo veto nuk është veto. Ashtu sikurse në vitin 1941 okupimi fashist bullgar nuk ishte okupim fashist bullgar.

“Kjo vrimë nuk është vrimë” nuk është një barcaletë e zakonshme. Por një këndvështrim origjinal bullgar ndaj botës dhe një mentalitet i pasqyruar përmes një barcalete që mbetet gjithmonë aktuale.

3 Gjithmonë kur Krasimir Karakaçanov thoshte budallallëqe, nuk ia merrja seriozisht, se kujtoja se kjo nuk ishte politikë zyrtare e Bullgarisë. E paskam gënjyer veten. Ajo po që është politika zyrtare e Sofjes dhe e tillë do të mbetet.
Nuk e di nëse bullgarët janë të vetëdijshëm se çfarë kanë bërë me veton. Nëse kaq shumë kishin dëshirë të na shkrijnë, e të bëhemi një, të na bëjnë t’i shtypim kujtimet e krimeve të tyre nga koha e okupimit fashist, të na bëjnë të harrojmë serbëve, jugonostalgjinë dhe kujtimet e kohës së Titos, atëherë mu ata duhet të na shtyjnë për në BE, të na i hapin kufijë, të shpenzojnë para evropianë për rrugë, hekurudha, turizëm, energjetikë, agrikulturë….Atëherë në një mënyrë të natyrshme do të ktheheshim drejt tyre e do t’u ishim mirënjohës. Mirë, edhe për ne, edhe për ata. Nuk do të kishte pasur nevojë për dekret për dashurinë tonë.

Çfarë pamje ka gjenerata aktuale për Bullgarinë? Fëmijë e mi dinë vetëm për Banskon, Borovecin dhe kremën “zdrave” për pubertet. Tani, përveç vetos, mësuan edhe për ligësinë e administratës fashiste. Ashtu siç nënës time i ka mbetur në kujtesë momenti kur ushtritë bullgare hynin në Manastir, ashtu edhe fëmijëve të sotëm do t’u mbetet në kujtesë dijenia se fqiu i tyre po ua ndalon të ardhmen evropiane. Se meritojnë më pak se fëmijët bullgarë. Më kot do t’i ndryshoni librat e historisë. Fëmijët e sotëm nesër do të shkruajnë histori. Me veton historike të 2020.

Nuk themi se i gjithë populli bullgar ka qenë fashist. Por, Bullgaria zyrtare në vitin 1941 i është bashkangjitur Paktit të trefishtë. Dhe nuk themi se të gjithë bullgarët janë të liq, por Bullgaria zyrtare në vitin 2020 na dha veto për BE:

Shumë prej nesh kanë miq në Bullgari. Miqtë respektohen. Si njerëz. Por politika shtetëore e Bullgarisë është armiqësore dhe jo për t’u respektuar. Shtetin e gjykojmë sipas politikës zyrtare. Republika zyrtare e Bullgarisë ka kryer akt dhune. Republika zyrtare e Bullgarisë shantazhon nga pozicioni i një anëtareje të BE -së.

Mjaft më me lajkatime. Politika zyrtare e Republikës së Bullgarisë po kërcënon të ardhmen e fëmijëve tanë.

4 Çfarë do të bëjmë tani me Bullgarinë? Nuk kemi çfarë të bëjmë me Bullgarinë. Le t’ia gjejë zgjidhjen BE-ja Bullgarisë.
Kur Gjemania, me atë fuqi të madhe dhe përpjekjen që investoi, nuk arriti ta largonte veton bullgare për çështje nebuloze, e madje edhe Angela Merkel na doli fajtore se nuk i ka vendosur kërkesat nebuloze të Bullgarisë në kornizën negociuese, hyrja në BE bëhet një mision i pamundur.

Ne nuk hymë në BE. Vjet ishte vetoja e Makronit ngaqë Franca kishte zgjedhje lokale. Sivjet është vetoja e Borisovit, ngaqë Bullgaria ka zgjedhje parlamentare. Më kot lodhemi me raporte kapituj, bençmarke, programe tuining, konferenca ndërqeveritare, korniza negociuese, deklarata të Lisbonës, kritere të Kopenhagës…në botën reale politika e zgjerimit të BE-së varet nga ciklet zgjedhore të 27 shteteve-anëtare.

Kjo bën të qartë dhe se sa kanë ndryshuar ato vlera evropiane në të cilat besojmë kaq shumë.

Kjo vrimë nuk është vrimë. Kjo veto nuk është veto. Por as kjo BE nuk është BE.

5 A është e qartë tani se pse mbaja mëri me kolegët kur sulmin e organizuar të Kuvendit në 27 prill 2017 e quanin “e enjtja e përgjakshme”, “ngjarjet jo të dashura”, “ngjarjet e Kuvendit” apo poezi të ngjashme, në vend që ta quajnë me emrin e duhur – sulmi i organizuar i Kuvendit?
Tani Gjyqi po refuzon paditë për dëmshpërblim të raportuesve të Kuvendit dhe kërkon prej tyre të dëshmojnë se ka pasur sulm të Kuvendit. Sipas Gjyqit, gazetarët kanë qenë atje në shëtitje, e jo në punë.

Çfarë dëshiron të thotë Gjyqi? Se politikanët të cilët kanë qenë të lënduar në atë “ngjarje të përgjakshme” janë më të rëndësishmit, kurse ata që kanë raportuar mbi “ngjarjen e përgjakshme” nuk ekzistojnë? Gazetarët ishin të mirë për Gjyqin si dëshmitarë atëherë kur gjykoheshin sulmuesit e Kuvendit, por nuk i pranonin si viktima. Të mos ishin gazetarët nuk do të dihej sa ka ndodhur një sulm në Kuvend.

Ndoshta Bullgaria ndonjëherë do ta heqë veton për BE. Por ne do të vazhdojmë të jetojmë me një gjyqësi të tillë, e kjo gjyqësi nuk është për BE.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира