THUAJ FALEMINDERIT

Ti ua merr cilësinë e jetës qytetarëve, e ata ty t’i marrin votat.

1 Do të përsëritet “ligësia”!? Pse, juve tani ju kujtua? Qytetarët që ju sollën në pushtet për katër vite ju paralajmëronin: Kini kujdes, “ligësia do të përsëritet”. E ju ua kthenit: “Shihni punën tuaj.” E dinim të gjithë se VMRO-DPMNE do të kthehet nëse LSDM nuk punon mirë. Po, çfarë bëtë ju në LSDM që ligësia të mos përsëritet?
E tani, qytetarët duhet të frikësohen se do të kthehet një parti keqbërëse që vodhi gjithçka – nga zgjedhjet e gjithçka tjetër dhe udhëheqësia e së cilës as nuk kërkoi falje për gabimet e të arratisurit në Budapest, për sulmin e organizuar të Parlamentit, për përgjimin masiv, për jetën me frkë nga reketimi, për mediat e shkatërruara apo për rrëmbimin partiak të shtetit…Me çfarë vërtetoi LSDM qeverisëse se frikësohet që të mos kthehet VMRO? Qeverisja e tyre nuk ishte luftë kundër ligësisë. Sidomos jo në nivel lokal, ku vlerësohen efekte konkrete.

Kur kujtoj se çfarë presionesh brutale kemi përjetuar ne, mediat, nuk dua as ta kujtoj fare VMRO-në. Vallë tani na ka mbetur të krahasojmë LSDM-në me VRMO-në?

Zaevi premtoi se do të fillojë me pastrim rrënjësor të sistemit që në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në pranverën e 2019, kur Stevo Pendarovski fitoi vetëm 4.000 vota më shumë se sa Gordana Siljanovska-Davkova, kur aktori Dragan Spasov-Dac i dhuroi një fshesë. Dmth, nuk është se votuesit nuk e kanë paralajmëruar. Por, ai me fshesën e tij vetëm ngrinte pluhur. Pasi nuk donte t’ua prishte hesapin bashkëpartiakëve të tij me gjithë interesat e tyre biznesi, familjare e të tjera private.

E kështu – njerëzit dolën dhe fshinë vetë. Dikush është hakmarrë për shkak të arrogancës së qeverisë lokale, dikush për shkak të drejtorit të paaftë që partia ka vendosur për t’ia komplikuar jetën, dikush për shkak të mbeturinave që nuk i janë mbledhur, dikush për faktin se nuk ka parking, e dikush për faktin se fëmija i mëson në një klasë të shkatërruar, dikush sepse pranë ndërtesës së tij është ndërtuar një tjetër dhe me ballkonin e saj ka hyrë te ballkoni i vet. Të gjithë me hallin e tyre, hall për të cilin qeveria nuk ka pasur mirëkuptim. Sepse ka menduar vetëm anëtarët e saj.

Vallë, akoma nuk e kuptojnë se nuk kemi më durim të tolerojmë një qeverisje vetëm për interesa partiakë? Jemi të lodhur. Të hidhëruar. Kur pas çdo lëshimi të bombave Zaevi thërriste “Le të mos lejojmë këtë ligësi të përsëritet”, me të vërtetë besonim se kjo ligësi nuk do të përsëritet. Tani dy partitë më të mëdha janë në rënie. VMRO-DPMNE-ja në këto zgjedhje mori 50.000 vota më pak se në zgjedhjet lokale në vitin 2017. Ndërsa LSDM ra për rreth 180.000 votues. Në fakt, disfata më e madhe e LSDM-së është që na humbi shpresën.

2 Zaevi në vend që të thotë tani “Ndalo, Micko”, duhej t’u kishte thënë ndonjëherë “Ndalo…” edhe ndërtuesve që i sulmuan të gjitha lokacionet që iu tekën. Por ai në zgjedhjet lokale u thoshte: “Nuk mund të jetë Jo, mund të jetë Po.” Ndërsa pushtetet i aprovuan planet sipas ëndrrave të tyre, e jo sipas ëndrrave të qytetarëve për jetë më cilësore. Kaq të paftyrë janë ndërtimtarët, sa madje edhe ndërtkohë që zgjat fushata, ata nuk e ndaluan uzurpimin e hapësirës publike. Qeveria ua bën me sy, prokuroria me vite udhëheq procedura parazgjedhore, ndërsa qytetarëve të dëshpëruar u mbetet ta marrin vetëm fshesën në dorë.
Nuk ka pse çuditet Zaevi se ka humbur aq shumë vota, madje edhe në mjedise ku LSDM tradicionalisht korrte fitore. Nuk ka se pse të filozofohet këtu kaq shumë. Ti qytetarëve po ua merr cilësinë e jetës,  qytetarët t’i marrin votat.

3 Të mos i marr m’sysh, ndoshta është dhe herët që të flitet për shpresë të re kur shihet suksesi i grupeve të votuesve të cilët votuan gjashtëdhjetë vende në Këshillet e komunës. Për ta votuan 65.000 njerëz. Në dhjetë komuna ata do të jenë faktori përcaktues i shumicës. Këtë sukses e arritën pa para, pa fushata të shtrenjta, pa reklama televizive, pa strukturë të organizuar. Këta njerëz nuk ofronin punësime dhe anëtarësime në borde drejtuese, por ofruan ide se si t’i mbështesin interesat qytetarët me anë të identifikimit të problemeve lokale.

65.000 votat dhe 60.000 fletët e tyre të pavlefshme tregojnë se qytetarët rrënqethen kur u përmendet partia dhe neveriten nga partizimi i gjithçkaje. Por, nuk jam i sigurt se LSDM dhe VMRO-DPMNE janë të gatshëm të heqin dorë nga politika e tyre për të “rritur” klientë partiakë që do të jenë makineri votuese për ta. Jam i bindur se në vend që t’i pranojnë, ata do të provojnë të heshtin. Ashtu siç provuan t’i ndalojnë pak para zgjedhjeve, kur donin ta ngrenë pragun e mbledhjes së nënshkrimeve.

4 Jemi në krizë botërore, gjithçka po shtrenjtohet, Kovidi akoma po mbush spitale e varre, nga janari do të jetë edhe më vështirë, ndërsa te ne qeveria dhe opozita marrin hov me zgjedhje të parakohshme. A kemi të drejtë ne që të paktën një vit të mbijetojmë pa zgjedhje? E sikur të ishin vetëm zgjedhjet. Mos e kishim pak që përjetuam Mickoskin të na fliste kundët betonizimit dhe kundër “mafies në pushtet” dhe të takohet me Zijadin Selën në vendin e krimit në Kuvend, e tani do na duhet sërish të merremi me takimet e tyre partiake në Klub të deputetëve, e pastaj me zgjedhjen e Qeverisë së Përzhinës, e pastaj me situatat si  “Ky ministër nuk flet me zëvendësin, e tjetri nuk flet me kryeministrin”, ministrat dhe zëvendës ministrat në MPB, do ta vërtetojnë kompetencën e ministrave të financave dhe ministrave për punë dhe politikë sociale…Dhe përveç gjithë kësaj, duhet të ketë edhe kryeministër shqiptar gjashtë muaj para zgjedhjeve. “Pse jo”, ishte motoja e Ahmetit, apo jo…
Zgjedhjet lokale treguan se më së paku 120.000 votues nuk kanë nerva që ta durojnë këtë gjë.

Pse është kaq e tmerrshme nëse në një shtet demokratik humben zgjedhjet lokale? Vallë, duhet që gjithçka të jetë kaq dramatike, e filozofia të bëhet “bie Shilegovi, bie Qeveria”, apo kaq e rëndësishme historikisht sa, nga ndryshimi i qeverive koale të varet e ardhmja e shtetit? Logjika e Zaevit s’ka aspak bazë. Nëse bie Qeveria sepse ka rënë Shkupi, do të thotë kjo se LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në zgjedhje eventuale të parakohshme? Se, zgjedhje të parakohshme lokale sigurisht që nuk mund të ketë. Ka qenë apo jo kryeministër ai, ka vendosur apo jo të na maltretojë me zgjedhje të jashtëzakonshme apo jo, qeveria lokale e VMRO-së me siguri do të qëndrojë për katër vitet e ardhshme.

Zaevi ka edhe shumë projekte të cilat ka premtuar se do t’i përfundojë dhe për këtë ka fituar besimin në zgjedhjet e vjetshme. Nuk mund të iki tani vetëm pas një viti sepse nuk i pëlqen situata. Ka edhe tre vjet deri në fund të mandatit – le të konsolidohet. E le t’u thotë votuesve “Faleminderit” që i ja hapën sytë.

Për më tepër, prit t’i shohim edhe kuadrot e reja të VMRO-së, se si do të qeverisin ata në komunat që kanë fituar. Le t’i nxjerrin listat e ndryshimeve nëpër çerdhe dhe shkolla. Le të vënë drejtorë të rinj të ndërmarrjeve komunale. Le të asfaltojnë gjtihçka që kanë premtuar me mjetet e veta komunale. Le të krijojnë “një ardhmëri të re” me fshirjen e “Veriut” nga tabelat dhe heqjen e gjuhës shqipe. Po, edhe Danella nëse fiton, do të shohim se si do t’i blejë 250 autobusët për transport pa pagesë të shkupjanëve. Ndërkohë edhe Mile është akoma në paraburgim shtëpiak, e nuk mund të vozisë nëpër gjithë Shkupin siç vozitej me autobusët dykatësh që po rrënohen.

Në fund të fundit, të shohim nëse ligësia është kthyer me të vërtetë, sepse tashmë po i nxjerrin listat për t’i shenjuar ata që nuk mendojnë njëlloj.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира