1Domethënë, nga e hëna më në fund duhet të përgatitemi se përfundimisht do të vijë jetë e re. Jetë në të cilën nuk do të ketë jetë për këmbësorët, që të mund të pihet cigarja kudo dhe gjithnjë. Edhe nëse bie shi, borë apo na merr stuhia.
Përfundimisht, pas debatit të gjerë për reformën më të rëndësishme në shtet nga plani 3-6-9, deputeti i LSDM-së Tomisllav Tuntev, një prej shtatë iniciatorëve për ndryshim të Ligjit për duhanpirje, zbuloi se ideja e tyre nuk ka qenë që të lejohet duhanpirja në institucionet publike, por “të lejohet të pihet cigarja në tarracat dhe në vende, të cilat për shkak të kushteve klimatike nuk mund të qëndrojnë hapur”.
Bravo për sinqeritetin. Tani të paktën e kemi të qartë cilat interesa i mbrojnë deputetët. Dhe le të mos kemi më dilema se gjëja që i ka shqetësuar nuk ka qenë interesi publik.
Çfarë do të thotë të mund të pihet duhani në tarracat në çfarëdolloj kushtesh klimatike? Ajo do të thotë të pihet duhani në sallonet e mbyllura me xham apo najlon, ndërtime të forta në vende publike. Të vendosura mbi trotuaret tona, në shëtitoret, sheshet dhe rrugicat tona për biçikleta…
Shumë bukur. VMRO-vcat na i shkatërruan parqet dhe sheshet dhe i okupuan të gjitha parcelat e lira për të ndërtuar ndërtesat e tyre. Ndërsa tani SDSM-ovscat do ta na i uzurpojnë edhe trotuaret dhe shëtitoret.
2Ata që e iniciojnë debatin për duhanpirje nuk janë deputetë që nuk kanë shëtitur ndonjëherë. Dhe ata e dinë shumë mirë se gjëja që po prezantojnë si një zgjidhje evropiane nuk ekziston në asnjë shtet në BE. As në Paris, as në Bruksel, as në Stokholm, as në Berlin…Zgjidhja evropiane do të thotë se atij që i pihet duhan, do të pijë para kafenesë. E jo në sallonin e mbjellë në trotuar. Zgjidhja evropiane parashikon efikasitet energjetik. Kurse te ne ngrohim erën e rrugës. Zgjidhje evropiane do të thotë se trotuaret duhet të lirohen për këmbësorët. Si dhe për ndihmën e shpejtë, për zjarrfikësit dhe hidraulikët. Dhe nëse nuk ka vend për këmbësorë, nuk do të ketë vend as për tavolinat e kafeneve. Ndërsa te ne, sallonet e mbuluara me najllon u bënë baraka mbi trotuare me ngrohje të nëndheshme.
Shikoni tani Rrugën e bohemëve në Debar Maalo në Shkup. Rruga më e shtrenjtë në Maqedoni që e kemi paguar ne. Provoni të kaloni me një karrocë për fëmijë. Apo me karrocë për invalidë.
Për më tepër që vendet ku pihet duhani nuk u pengojnë vetëm këmbësorëve. U pengojnë edhe banorëve të rrethinës. Pasi brenda atij najloni janë montuar bokse muzike, televizorë…
Të mos harrojmë. Të gjitha ato punë janë të rregulluara me ligj. Me decibelë, ndotje dhe vendosje të pajisjeve urbane.
Ndërkohë deputetët thonë se kjo qenka legale. Si qenka bërë legale? Dhe thonë, nëse kjo nuk ka qenë legale, me atë gjë është dashur të merren më mirë pushtetet lokale. Ha, ha, ha…Po për çfarë zgjidhje evropiane po flasim kur mu ata që duhet ta kontrollojnë zbatimin e ligjit të duhanpirjes pinë duhan në zyrat e tyre. Pihet duhan në të gjitha institucionet dhe firmat shtetërore. Pihet duhan në spital. Në garazhet me kate. Ore, pihet duhan edhe në Qeveri e në Parlament.
Fort mirë që propozuesit e ligjit na çliruan nga Gruevski. Hajde tani, le të na i çlirojnë edhe trotuaret.
Kurse nëse ky ligj arrin për votim në Parlament, ja ku kemi shansin të shohim nëse LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE janë të barabarta për sa i përket çështjes së të bindurit me krenari. Të shohin nëse të gjithë do të votojnë po njësoj si një kope nën komandë, apo ndoshta do të dalë dikush me mendimin e tij personal. Atëherë do të shohim nëse jeta ka filluar me të vërtetë.
Ndërkohë drejtësia me të vërtetë do të sundojë pa marrë parasysh a je kryeministër, kryetar komune, deputet, drejtor i një ndërmarrjeje publike, gjykatës ose inspektor, ti nuk do të pish duhan në zyrë. Pasi, duhanpirja është e ndaluar me ligj. Sundimi i të drejtës është respektim i ligjit. Le të na falë ligji.
3Dhe le të na falë edhe klasa e mesme. Apo ai që dëshiron të kalojë nga varfëria në klasën e mesme. Pasi, qeveria kërkon mënyrë se si të mbledhë para në buxhet, e kështu mendon që ata që kanë të ardhura prej 1.000 eurosh t’i trajtojë si të pasur, që të paguajnë tatim më të lartë personal.
Në Maqedoni popullata e përgjithshme është e varfër, ndërsa më të pasurit janë 50-70 njerëz të cilët përbëjnë vetëm 1 përqind të popullatës. Kështu, ata që kanë nga 1.000 euro të ardhura nuk janë dhe aq të pasur sa të duhet të tatimohen. Në fakt, ata nuk janë aspak të pasur. Janë thjesht më pak të varfër. Dhe mund të jetojnë relativisht më të relaksuar se sa ata që mezi ia dalën.
Duke dashur të arrihet një efekt, qeveria mund të arrijë kundërefekt. Ta frustrojë atë shtresë të qytetarëve që në mënyrë të ndershme i fiton paratë dhe rregullisht i paguan tatimet.
A është qëllimi i qeverisë ta përforcojë klasën e mesme apo ta përzëre edhe atë nga shteti? Të stimulojë punësim me rroga më të larta në kompanitë e suksesshme private apo të vazhdojë me defterët partiakë me listat e punëve të shtetit? Të nxisë ndërmarrësinë në Maqedoni apo t’i urdhërojë të suksesshmit të rreshtohen për të marrë pasaporta bullgare? T’i inkurajojë ata që janë të aftë të punojnë dhe të fitojnë edhe jashtë orarit të punës apo të krijojë ndjekës që do të qëndrojnë të gatshëm për t’ua mbushur tubimet dhe të bëjnë sikur janë populli?
Është fyese të thuash se me 1.000 euro je njeri i pasur. Çfarë do të thotë kjo? Se je i kualifikuar për të marrë kredi që të shkosh në kinema? Jeta ka ardhur, apo jo? A nuk duhet të gëzohemi, të jemi të lumtur? Lumturia nuk kufizohet vetëm me një sanduiç, një sallatë të vockël dhe një raki shpie, apo jo? A nuk duhet të shkojmë në teatër, të blejmë veshje të reja, të qerasim dikë në kafene, të festojmë diçka me shoqërinë…Pasi kemi punuar ndershëm, kemi fituar dhe kemi paguar tatim. A nuk duhet në një pikë të jetës tënde të blesh makinë të re? Apo biçikletë të re? A nuk duhet ta regjistrosh fëmijën në ndonjë aktivitet jashtëshkollor? Apo edhe për sportin ose gjuhën e huaj duhet të futesh në minus? A nuk duhet të shkojmë diku për fundjavë? Apo me pushime? A nuk duhet ndonjëherë të dalim nga Maqedonia? A është vallë, qëllimi i këtyre të pasurve me nga 1.000 euro në muaj të dalin nga shteti përjetësisht vetëm e vetëm që të fitojnë më shumë? Apo qëllimi është të kthehen në shtëpi, këtu të fitojnë e këtu t’i shpenzojnë paratë?
Përfundimisht, a do të duhet të tatimohen të pasurit me 1.000 euro të ardhura, faturat e të cilëve janë lehtësisht të kontrollueshme apo duhet të lirohen nga tatimi të varfërit që i ruajnë paratë në Belize dhe Panama? Pasi ata deri tani kanë treguar mjaft kreativitet në fshehjen e të ardhurave.
4Sido që të jetë, do të vijë dhjetori. Pothuajse një vit pas zgjedhjeve ku zgjodhëm jetën. Super është liria. Por erdhi koha të vendoset edhe rregull. E nga ku t’ia nisim? Ja për shembull, nga fillimi i jetës. Nga inkubatorët në klinikën shtetërore ku ditë për ditë vdesin të sapolindurit. E kur të shpëtohet ndonjë jetë që sapo ka nisur, të ndezim nga një cigare.
Përktheu: Fjolla Zllatku