1Urdhëri “VMRO i javës” i shkon kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov. Për deklaratën e dhënë në lidhje me protestat e lajmëruara në rrjetet sociale me rastin e ndotjes enorme të kryeqytetit.
Shilegovi tha: “Mendimi im personal është se një pjesë e mirë e të ashtuquajturës iniciativë e qytetarëve është blof politik për politikën populiste që krijoi VMRO-DPMNE gjatë periudhës së shkuar, pasojat pikëlluese të së cilës po i shohim tani mbi shëndetin tonë. Informacionet e mia janë se protesta është e motivuar politikisht me qëllim që të diskreditohen si pushteti lokal ashtu edhe ai qendror në luftën kundër ndotjes së ajrit”.
Provoni të zëvendësoni fjalën VMRO-DPMNE me LSDM në këtë deklaratë. Do të tingëllojë sikur deklaratën ta ketë dhënë Ilija Dimovski në ditët më të fuqishme të regjimit.
Në qoftë se Petre Shilegov dëshiron të jetë një politikan i vërtetë, do të duhet ta shfrytëzojë protestën që ta nxisë veten për të gjetur një zgjidhje efikase të problemit së ndotjes së ajrit. Pasi madje edhe vmrovcat, të cilëve nga ky dimër filloi t’u pengojë ndotja e ajrit, e dinë se Petre nuk është fajtor për smogun helmues. Dhe e dinë se ky problem nuk mund të zgjidhet vetëm brenda dy muajve.
Ata që bëjnë thirrje për protestë duan të dinë nëse kryetari i Shkupit kërkon njëkohësisht zgjidhje ad-hok dhe jetëgjata.
Në fund të fundit, ç’punë prish nëse protesta edhe e motivuar politikisht? Këtu bëhet fjalë për protestë mbi një problem esencial të interesit publik. Vallë, vetëm partitë mund të jenë të motivuara politikisht?
Fakti se VMRO-DPMNE nuk na ka mbytur, nuk do të thotë se na bëri më të fortë që të mbijetojmë në ndotjen e ajrit.
2Nëse ekipi PR i kryetarit të qytetit i analizon tekstet gazetareske dhe komentet mbi deklaratën e Shilegovit, le të analizojë edhe këtë:
Kryetari i qytetit për herë të parë hapi numër urgjence për paraqitjen e ndotësve dhe publikoi një seri masash, por numri telefonik kaloi pothuajse pa u vënë re. Ndërkohë, lajmi i ditës ishte deklarata e tij se protesta e lajmëruar ka qenë e motivuar politikisht. Prandaj, për 24 orë ka patur vetëm dy telefonata në numrin 193.
Deklarata e kryetarit të Shkupit e hëngri aksionin e vet. U përhumb në mjegullën e Shkupit.
3Kur veçmë jemi te tema “partia dhe motivimi politik”, le të mos e harrojmë edhe VMRO-në e vërtetë. Këta vmrovca , të cilëve tani u pengon ajri i ndotur. E të cilëve u ka faj Zoran Zaevi dhe Petre Shilegovi. Dhe e tërë LSDM-ja.
Për shembull, deputeti Antonio Milloshoski, i cili në derdhjen e luciditetit të opozitës në rrjetet sociale poston fotografi me Goce Dellçevin duke mbajtur një maskë gazi. Ndërsa mbi fotografinë lexon: “Unë e konceptoj botën si një fushë ku mund të merret frymë.”
Si e konceptonte botën Milloshoski gjatë 11 vjetëve të fundit, ndërsa ishte në pushtet? Si një fushë për shkatërrimin e parqeve. Si fushë për ndotjen kriminele të Shkupit 2014 dhe për vendosjen e planeve urbanistike sipas masave të mafisë urbane. Si sakatim i Vodnos me ndërtimin e dhjetëkatsheve. Si angazhim i policisë speciale që të shkatërrojë parkingje në ora 4 të mëngjesit, sepse lideri i partisë së tij ka dashur ta zbukurojë hapësirën që të ndërtonte një ndërtesë baroku. Apo si fushë për lejimin e importit të druve të blerë me buxhetet e komunës, ndërkohë që varfëria në Shkup ndez goma dhe vaj të djegur për t’u ngrohur.
Në kohën kur Milloshoskit nuk i dukej ajri i ndotur, partia e tij lëvdohej me komunikatat mbi sorosoidët që kanë shpikur aplikacionet për matjen e ndotjes për të shkaktuar panik mes qytetarëve. Kurse kryetari i atëhershëm i Shkupit nga VMRO-DPMNE, dhe atë gjatë dy mandateve të tij, Koce Trajanovski, e hoqi stacionin matës në Qendër, që të mos maste ndotjen.
Në fakt, se si Milloshoski e shikonte botën na u bë e qartë atëherë kur laboratoret referuese na zbuluan se uji i Liqenit të Dojranit ishte i ndotur, ndërsa vmrovcat pinin ujë nga Liqeni dhe i pagëzonin fëmijët e tyre aty. Prandaj partia thoshte se uji është i pastër.
4Dhe tani partia në pushtet thotë se ka ilaçe për të sëmurët nga sëmundjet e rralla. Ka- në depo. Por dikush nga administrata ka qenë duke bërë manikyr, kështu nuk ka arritur t’a vërë vulën që ilaçet të mund të mbërrijnë tek të sëmurët. Dhe është dashur të dalin në televizion tre nëna të fëmijëve të sëmurë që të bindin zëvendës ministrin e shëndetësisë Goce Çakarovskin, që të nesërmen të vijnë vetë në depo. Dhe ta dëgjojnë zëvendës ministrin se si justifikohet se “kanë bërë allash-veresh” me kompanitë farmaceutike dhe nuk kanë arritur të shohin çështjen në tërësi.
Çuditem se si nënat nuk arritën të qëndrojnë të qytetëruara ndaj sjelljes së tillë brutale të zëvendësministrit.
Kjo është fotografia e vërtetë e efikasitetit të institucioneve në Maqedoni. Në vend që problemet të zgjidhen nga zyrtarët shtetërorë, gjë për të cilën marrin dhe rrogë, qytetarët organizohen vetë që të ndihmojnë veten e tyre.E shpesh herë madje, marrin drejtësinë në duart e tyre. Duke filluar nga nënat që vetë i sigurojnë ilaçet si për fëmijët e tyre si për të sëmurët, e deri te ata që hedhin helme në çerdhe dhe hapësira publike për të helmuar qentë që sulmojnë njerëz dhe peticionet online për të larguar makinat nga trotuaret.
E në fund, do të çuditemi se ambasadori amerikan na zbuloi korrupsionin. Dhe jo vetëm që e zbuloi sëmundjen, por e shpalosi dhe diagnozën thelbësore. Me konstatimin: Çështja është nëse ka njerëz që duan të luftojnë kundër korrupsionit.
5Ndërkohë që Zaevi rend pas botës, duke u përpjekur ta ndryshojë fotografinë për Maqedoninë nga jashtë, ne në shtëpi akoma jemi duke e jetuar fotografinë e vërtetë. Ku ministrat dhe drejtorët shtetërore, me gjithë administratën nuk mund të gjejnë vulën që ilaçet të mbërrijnë te të sëmurit, ku qenve nuk mund t’u vënë çipe që t’i mbrojnë ata dhe njerëzit nga helmimi, ku inspektorët nuk mund t’i gjejnë impiantet e paligjshme që na helmojnë për profit, ndërsa policia nuk mund të çlirojë trotuaret për këmbësorët.
Kështu qëndron puna, kur në momentin kur arrin në funksion shtetëror nuk merresh më me kërkimin e zgjidhjes së problemeve. Por me kërkimin e justifikimit të problemeve të pazgjidhura.
Përktheu: Fjolla Zllatku