UNË JAM MARSIAN

Kur të rriten fëmijët, do të duhet të zgjedhin se kë duan më shumë, mamin apo babin.

1 Në letrën e njoftimit do të them se jam nga Marsi. Pse jo? Teksa po e shihja aterimin e sondës së NASA-s, u emocionova dhe papritur u ndjeva shumë i dashuruar me Marsin, sikur të ishte shtëpia ime, sikur të vija nga atje.

Si? Nuk guxuakam të figuroj si marsian sepse marsianët nuk ndodhen në Preambulën e Kushtetutës? Po mirë, aty përmenden të tjerë….dhe fjalia përfundon me “etj”. Ja që unë jam njëri nga këta “etj”. Kam miq që janë të lumtur sepse janë mes të vaksinuarve të parë kundër kovid-19 dhe duan që në letrën e tyre të njoftimit të thuhet se përkatësia e tyre etnike është “Fajzer”, edhe pse kjo mund të krijojë përçarje mes familjeve ku bashkëshorti apo bashkëshortja dëshirojnë që përkatësia e tyre etnike të jetë “Biontek”. Po nuk mund të thuhet se është Sputnik, për shembull? Apo, këto përkatësi etnike nuk hyjnë në kategorinë e “të tjerëve” por në atë të “përtej të tjerëve”.

Na erdhi një kohë e tillë që kur të zgjohesh në mëngjes të duhet të vendosësh se si do të quhesh në letrën e njoftimit për 10 vjetët e ardhshme, derisa të zgjat letra e njoftimit. Fëmijët, prindërit e të cilëve janë të një përkatësie tjetër etnike, që në 14 vjeç do të duhet të zgjedhin nëse e duan më shumë mamin apo babin.

Pa le të shohim se kush mund të guxojë të më ndalojë që ta regjistroj veten si marsian? Nuk e llogaris as Komisionin për parandalim të diskriminimit. As gjykatën kushtetuese. Që kur ligji në Parlament udhëhiqet me procedurë të shpejtë sepse ka një flamur evropian, unë pse mos të sillem si një evropian? Do të shkojë direkt në gjykatën e Strasburgut.

Parlamenti, elita politike dhe publiku kërkojnë të gjejnë logjikë në një gjë që është krejtësisht jologjike në mes të një pandemie. A shikoni se çfarë bisede të kotë po bëjmë? Mrekulli. Argëtimi do të vijojë në kanalin parlamentar të shërbimit publik.

Sonda u lansua në korrik të vitit 2020 dhe pas shtat muajve, mbrëmë ateroi në Mars. Po politikanët tanë ç’punë arritën të bëjnë për shtatë muaj? Përkatësinë etnike në letrat e njoftimit. Ah, po. Se desh do të harroja një sukses tjetër – tabelat trigjuhësore rrugore. Një sukses i dyfishtë.

2 Kryeministri Zoran Zaev thotë se ky ka qenë premtimi që i ka dhënë partisë Besa që të bëjnë një koalicion parazgjedhor, por nuk e kuptoj se pse Besa do të ishte e lumtur me një gjë të tillë. Si do të bëhet më e bukur jeta e votuesve të Besës me faktin se në letrën e njoftimit do të thuhet se janë shqiptarë? Vallë kaq të kënaqur janë me të gjitha çështjet e tjera në shtet, sa vetëm edhe këtë gjë e kërkojnë nga politikanët? Vallë kaq gjë i ka mbetur Besës të bëjë? Të shkruajë nacionalitetet nëpër letrat e njoftimit, sepse punën e inspektimit të tabelave na e mori BDI-ja?
Zaevi vazhdon të na thotë se në këtë mënyrë ne “mbajmë llogari për të drejtat e bashkësive etnike dhe për bashkësitë më të vogla etnike”.

Kur i është ndaluar dikujt të thotë se çfarë është në këtë shtet? Mund të dalësh lirisht në shesh dhe të thuash: “Unë jam marsian”. Vizato lirisht një tatuazh në ballë nëse kaq fort dëshiron të dallohesh nga të tjerët. Por letra e njoftimit? Nuk e kuptoj si të rrit ndjenjën e nacionalitetit diçka që të rri në xhep apo çantë dhe ta shohin vetëm punonjësit e sportelit apo policia që të ta krahasojë fotografinë? Kur të shkosh në bankë e të shohin se çfarë nacionaliteti je, mos ndoshta do të të japin më shumë para? Apo do ta riprogramojnë kredinë? Apo do të mund të paguash në më shumë këste? Ose mos ndoshta mendon se do të të kenë frikë e do të ta lëshojnë rrugën?

A duhet që një punonjësi sporteli në bankë t’i interesojë se çfarë je ti sipas nacionalitetit? A duhet që policit që do të të kërkojë letrën e njoftimit t’i interesojë më shumë se cilit etnicitet i përket që të të mundet të të shërbejë siç duhet? Apo, do të duhet që secili të shkojë te “ai i veti”.

Kjo nuk ka asnjë lidhje me idenë e “një shoqërie për të gjithë” të cilën e promovon Zaevi. Pikërisht ngaqë dëshiron që t’u bëjë mirë të gjithëve, do të bëjë një aparteid. Le të jemi të gjithë të regjistruar, të dihet kush është kush. Sot, sipas përkatësisë etnike, nesër sipas diçkaje tjetër.

Më falni, por unë me të vërtetë nuk mund të gjejë as një nevojë emotive e as praktike nga çështja e regjistrimit të përkatësisë etnike.

3 Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për MKD.MK tha se “nuk ekziston një shtet demokratik në botë ku në letrën e njoftimit shkruhet përkatësia etnike dhe fetare. Por, nuk mendoj se një ligj i tillë do të ketë pasoja negative.”
Nëse presidenti thotë se askund në botë nuk ka një budallallëk si ky i Besës, ndërsa Zaevi i ka dhënë besën se do ta përmbushë, atëherë ai mund të mos e nënshkruajë ligjin. Le t’ua kthejë në Parlament për së dyti herë, le ta diskutojnë dhe le ta votojnë nëse nuk kanë punë më të mençur. Rregulativat evropiane nga gushti i këtij viti do të ndalojnë ndarjen e të dhënave personale ku shkruhen përkatësitë racore, etnike, religjioze dhe politike, kurse deputetët tanë do të sjellin ligjj me flamur evropian, demek po bëjnë përputhje standardesh me BE-në.

Për këtë arsye për mua është totalisht i parëndësishëm mendimi i Pendarovskit nëse ai nënshkruan diçka për të cilën nuk është i sigurt nëse duhet ta nënshkruajë apo jo. Pse duhet ta hajë shteti nga mendimi i qytetarit Stevo? Qytetari Stevo mund të ndajë mendimet e tij në kafe me miqtë e tij sa të dojë. Por qytetarët presin që presidenti Pendarvoski, kur i ndan mendimet me ta, edhe të bëjë diçka në lidhje me ato mendime. Pasi, vetëm në këtë mënyrë rezulton se edhe mendimi ka qenë shtetëror.

4 Ministri për punë të jashtme Bujar Osmani në intervistë për emisionin “Triling” tha se që kur e kemi kthyer dinamikën e komunikimit me Bullgarinë, i është bërë e qartë se “Bullgaria nuk i konteston atributet e identitetit, gjegjësisht gjuhën dhe përkatësinë etnike të qytetarëve që përkasinë këtu, gjegjësisht identitetin e qytetarëve”.

Këtu?! Bujar Osmani po e thotë këtë? Apo Ekaterina Zaharieva. Për cilin ekip po bëjmë tifo? Për Zaevin apo për Borisovin? Nuk e kuptoj se çfarë i është bërë e qartë ministrit për punë të jashtme? Qeverisë bullgare ia pranoi narrativin se ata nuk e neglizhojnë identitetin, e ndërkohë kanë vendosur veto pikërisht për shkak se kundërvihen për faktin që në kornizën negociuese të qëndrojnë populli dhe gjuha maqedonase.

Shumë mirë nëse është ashtu siç thotë Osmani. Që kur nuk ka asnjë problem, atëherë le ta pranojnë gjuhën maqedonase, popullin maqedonas ashtu siç e shkruajnë gjermanët në kornizën negociuese dhe siç ranë dakord 26 shtete-anëtare të BE-së. Le ta heqin bllokadën që të mund të fillojmë me negociata. Herët a vonë, do të mbërrijmë edhe deri te kapitulli me të dhënat dhe letrat e njoftimit.

5 Puna me BE-në gjithnjë e më shumë humbet kuptimin. Jo vetëm sa iu përket vaksinave, pasi shohim se për vaksinat e huqën vetë punën. Vaksinat ishin vetëm kapaku i zhgënjimit nga vetoja bullgare.
Bullgaria është fajtori më i madh që këtu gjithnjë e më pak po çuditemi rreth kësaj teme. Sa më proevropian të jesh, sa më shumë të logjikosh, ndonjëherë emocionet mbizotërojnë.
Thjesht, nuk mund të jesh neglizhent nëse Bullgaria të injoron, kurse partnerët e saj janë të pafuqishëm që të të ndihmojnë.
Dhe, çfarë ndodh? Do të fillojmë me negociata? Presim datën? Nuk mund të bëhet për sa kohë kryeson Portugalia, por Sllovenia me siguri do ta kthejë përhapjen në rendin e ditës? Gjermania nuk dorëzohet? Mirë de, s’prish punë. Mos na elaboroni më shumë.

Më parë edhe kishim ndonjë shpresë, na kapte euforia, shkonte deri në shkallën e zhgënjimit. Në një gjendje të tillë edhe mund ta besonim ndonjë premtim.. Po tani? Tani jemi në një situatë ku nuk është se nuk të bëhet vonë fare, por ekziston një lloj neglizhencë. Ata flasin, por nga njëri vesh futet e nga tjetri del.
Nuk je as i hidhëruar, as i inatosur, nuk ke as energji e as dëshirë që të shpjegosh gjëra. Për ty, gjithçka është njësoj tashmë. Ashtu sikurse kur i jep fund një lidhjeje romanike. Në fillim mërzitesh, e kujton shpesh ish-in se ku mund të jetë, ku është duke shkuar, çfarë është duke bërë…Dhe hop! Vjen koha kur e sheh me një tjetër dhe nuk të bëhet as t’ia hedhësh sytë.

Jeta paskësh mundur të jetë e bukur edhe pa të.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира