VETËKRITIKË MIQËSORE

Jeta e një fëmije të lindur jashtë martese nuk vlen më shumë se sa biznesi i një dhunuesi në ndërtimtari.

1 Dëgjoj Zoran Zaevin se si ankohet për administratën jofikase shtetërore dhe them me vete – vallë, ky njeri është kryeministër apo qytetar, që po na rrëfehet se si nëpunësit nuk meritojnë rrogën që u jepet, e thotë: “Edhe sikur të mos jetë një punëtor i mirë, nëse qëndron 8 orë në punë, do të duhet të punojë patjetër diçka”. Ndoshta qytetari Zaev, bazohet te vetja e tij dhe çuditet se si dikush mund të qëndrojë në zyrë 8 orë dhe të mos bëjë asgjë. Epo mirë, fundja, ka disa që edhe punojnë, ndjekin projekte private, përkthejnë, kanë byro, kompjuter, rrymë elektrike, ngrohje, ftohje dhe kështu në punë nuk e kanë dhe aq kot. Por, edhe shumë të tjerë ia dalin mirë edhe pa bërë ndonjë punë shtesë private. Pak Facebook, pak lojëra kompjuteri, pak kafe, disa pauza për duhan, ndonjë pazar për shtëpi, pak vizitë në tualet, nëse grisen getat, duhet të shkojë të blejë të reja, e pastaj, pse të mos bëjë dhe ndonjë mankiryr…dhe ja, dita ka kaluar.

Kryeminstri Zaev nuk tha se si do ta zgjidhë problemin e të papunëve, por kryeministri Bytyqi ka një ide se do t’i  çlirojë institucionet shtetërore nga udhëheqësit e paaftë dhe thotë: “Udhëheqësit, të cilët nuk i kanë plotësuar pritjet e qytetarëve, nuk duhet të presin që dikush t’i zëvendësojë, duhet të ikin vetë.” Dhe tani ata po vrapojnë, po zbrasin sirtaret. Të gjithë po dorëhiqen. Sepse janë ndjerë të turpëruar nga Bytyqi, kur iu tha: “Nëse nuk je ia aftë, largohu vetë!” Po këta udhëheqës, vallë, janë vendosur vetë aty, që tani po tërhiqen? Ç’të jetë kjo? Një vetëkritikë miqësore?

Ndonjëherë i paramendoj ministrat e Qeverisë, të ulur rreth tavolinës rrethore, duke i treguar njëri -tjetrit se sa vështirë e kanë, se si në ato seancat e grupeve për mbështetje si “Alkoolistët anonimë”, apo “Viktimat anonime të dhunës”. Imagjinoj se si kryeminstrit i vjen turp dhe fillon i ankohet grupit: “Kam shumë të punësuar, por nuk e di se si t’i bëj të punojnë”, fjali pas së cilës të gjithë pohojnë me kokë, dhe thonë: “Ashtu është, të kuptoj”. E pas tij, merr fjalën një ministër tjetër e thotë: “Edhe unë kam shumë të punësuar, vijnë në punë, por asnjëri nuk punon”. E në atë moment do të ngrihet ndonjë sekretar shtetëror: “Edhe unë kam shumë njerëz në listën e pagesave, por ata as që vijnë në punë”. E një ministër tjetër do të dëshirojë të ndërlidhet me parafolësit: “Edhe te unë, ka drejtorë shumë të çuditshëm, nuk mund t’i gjesh asnjëherë në punë, nuk më ngrenë telefonin dhe mbrohen nga partia”…

Po ne që ankohemi? Kush na dëgjon? Administratorët, si punuan, si jo – rrogën do ta marrin. Ndërsa se a do të marrim ne rrogë apo jo, nuk u bëhet fare vonë. Nuk u bëhet vonë madje deri në këtë nivel sa as nuk e çojnë nëpër mend se nëse ne nuk marrim rrogë, automatikisht rrogë nuk do të ketë as për ta.

E kam të qartë se kjo është diçka që i pengon qytetarit Zaev. Por nga kryeminstri Zaev, për më tepër në mandatin e dytë, nuk pres të ma tregojë atë që di. Vallë çfarë pret? Ambasadorët e huaj deri më tani organizonin aksione dhe na e pastronin shtetin nga mbeturinat. Ndoshta pret që ata të na e pastrojnë edhe administratën publike.

2 Të marrim një shembull…askush nuk e di se sa kanë punuar inspektorët shtetërorë të mjedisit dhe administratorët e tyre. Fatkeqësisht u dogj arkivi i Inspektoratit dhe bashkë me të edhe dëshmia për punën e tyre. Zjarrfikësit u ankuan se nuk punonin pompat e ujit në objekt, por ata të Inspektoratit nuk na qenkan inspektorë për mbrojtje kundër zjarrit. Për më tepër, meqë jemi te inspeksioni, në objektin e njëjtë, deri para disa ditësh punonte kryeinspektori i shtetit, ministri në rotacion Bujar Osmani. Siç duket, ndërkohë që inspektoronte tabelat dygjuhësore në vend, nuk i kishte vënë re pompat e ujit. Ky është një lëshim serioz, sidomos në institucionet shtetërore kur drejtorët dhe funksionarët janë të BDI-së. Drejtor i Instpektoratit shtetëror për mbrojtjen e mjedisit është Fejzulla Spahiu. Para dy vitesh, në prill 2018, kur u dogj arkivi i Minstirsë së drejtësisë, ministër ishte Bulent Saliu. Kur u dogj Posta në 2013, drejtor ishte Rafiz Aliti.

Ndërtesa e institucioneve shtetërore digjej. Informatat e para na thoshin se nuk ka pasur qasje drejt cisternave zjarrfikëse, apo se nuk ka pasur alarm zjarri, rrugë evakuimi, apo se nuk e kanë ditur se ku duhet shuar rryma dhe se pompat e ujit nuk kanë qenë funksionale. Kam një përshtypje se ndoshta arsyet e zjarrit një ditë do të zbulohen, por asnjëherë nuk do të merret përsipër përgjegjësia për gjithë këto lëshime.

Të gjitha këto gjëra nuk janë diçka që duhen shpikur. Gjithçka parashihet me ligj dhe thjesht, ai vetëm duhet të respektohet.

3 Mirëpo këtu ligji vlen vetëm atëherë kur duhet të zbatohet mbi njeriun e thjeshtë dhe të pafuqishëm. Si në rastin me 18 vjeçarin, i cili nuk mund të nxjerrë kartën identiteti sepse nuk ka numër amë, pasi nëna e tij, shtetase e huaj e ka lindur atë në Maqedoni në lidhje jashtëmartesore, ndërkohë që ka figuruar e padivorcuar nga bashkëshorti. Sipas ligjit, nëse nuk është e divorcuar, automatikisht, si baba shënohet ai me të cilin nëna në atë kohë ka qenë e martuar, megjithëse ai nuk është babai biologjik.

Djali nuk mund të regjistrohet në fakultet, nuk mund të punojë, nuk mund të hapë llogari në bankë, nuk mund të shkojë te mjeku. Drejtori i drejtorisë për mbajtjen e librave amë, Bujar Dardhishta, thotë se “sipas Ligjit për familje dhe normave që vlejnë dhe respektohen që nga viti 1995, personi në fjalë nuk mund të marrë certikfikatë”.

Sikur të bëhej fjalë për një ligj për ndërtim, urbanizim apo legalizim të ndërtimeve të paligjshme, nga 1995 e deri më tani do ta kishin ndryshuar 100 herë. Dhe nuk do të vlenin “normat që respektohen rreptësisht”, pasi jeta e një fëmiju jashtëmartesor nuk vlen më shumë se sa biznesi i një dhunuesi në ndërtimtari.

4 Hristijan Mickoski vazhdon të mbajë bashkëpunëtorët e tij të afërt në formë. Organizon protesta, bllokon udhëkryqet…Sa keq, Gruevski nuk mundi, për arsye të argumentuara t’iu bashkangjitej me “punton” nga lista e pasurisë. Do të ishte më tërheqëse edhe për publikun e gjerë, jo vetëm për ta.
Ata po ankohen kundër qeverisë, flasin në emër të popullit, ndërsa zgjedhjet ku votoi populli ishin më pak se para dy muaj. Të mos flasim për atë se VMRO-DPMNE i kërkoi zgjedhjet të cilat vetë i humbi e as për atë se kanë 44 deputetë në Kuvend. Sikur të mos bllokojnë punën e Kuvendit, këta deputetë atje mund të dorëzojnë propozim ligje, të kërkojnë votëbesim për qeverinë, e jo të organizojnë ahengje për veten e tyre. Ka shumë çështje që kanë të bëjnë me këto protesta, duke përfshirë këtu edhe pjesën më bizare të historisë – problemin me çmimin e rrymës elektrike do ta zgjidhë partia, kryetari i së cilës është pronar i hidrocentraleve.

Ka njëfarë simbolike në faktin se vendosën të bllokonin udhëkryqin te Komisioni rregullor ku fillon rruga Makedonia. Sepse, ashtu sikurse BDI vazhdimisht luan me zjarr dhe kërcënohet se do ta hedhë Maqeodoninë në ajër, ashtu dhe VMRO-DPMNE bllokon Maqedoninë vazhdimisht. Çfarë kanë bërë ata këto katër vitet e fundit? Kanë bllokuar Kuvendin në vitin 2017, kanë bllokuar zgjedhjen e Qeverisë në vitin 2017, kanë bllokuar procese gjyqësore, kanë bllokuar ligjet në Kuvend dhe tani po i bllokojnë sërish…

LSDM një herë provoi ta bllokonte seancën e buxhetit dhe ata i rrahën. I larguan nga Kuvendi me shqelma, ndërsa VMROvasit me të vërtetë duhen përgëzuar për këmbënguljen e treguar në bllokimin e suksesshëm.

Përktheu: Fjolla Zllatku

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари