VETËVRASJE NGA PRITA

Qytetarët janë armiqtë më të mëdhenj të partive

VETËVRASJE NGA PRITA

1Breee, sa na u shqetësua qeveria në lidhje me protestat e fundme. Mendoja se çështjen mbi aktivizimin qytetar e kemi mbyllur në vitin 2015 kur VMRO-DPMNE-ja vizatonte rrathë mbi fotografitë tona ndërkohë që protestonim, por nuk paska qenë kështu. Çfarë histerie po bëhet mbi protestat e nxënësve të shkollave të mesme që nxiten nga lëvizja globale ekologjike “Të premtet për të ardhmen (Fridays for Future). Për një moment kujtoj se jam duke lexuar shpalljet e vjetra të dala në 2015 nga Qendra famëkeqe për komunikim e Ilidja Dimovskit.

E pastaj, me sa kokëfortësi vazhdojnë të këmbëngulin me bindjet e tyre duke thënë se protestat janë partiake, e jo qytetare. Kjo pritet nga çdo parti, sidomos kur është në opozitë, që të përpiqet të “ngjitet” me ndonjë protestë qytetare e ta rrëmbejë atë. Kjo ka ndodhur në të kaluarën dhe do të ndodhë dhe në të ardhmen. Mirëpo, nëse si një qeveri, refleksi i parë pas shpalljes së protestave është të kërkohet fajtori, e jo të përpiqesh të gjesh problemin, atëherë ne si qytetarë me të vërtetë kemi një problem. Ndërsa qeveria ka një problem akoma më të madh.
Sa për rikujtim, një pjesë e atyre nxënësve të shkollave të mesme, të cilët në vitin 2015 dilnin për kamping para Ministrisë së arsimit dhe protestonin kundër regjimit të Gruevskit, pas tri vjetësh u bënë votues e dolën në referendumin për ndryshim të emrit dhe hyrje në NATO. Shumë prindër aso kohe i mbështesnin fëmijët e tyre. LSDM-së, a nuk iu deshën vallë ata qytetarë si votues kundër VMRO-DPMNE-së? A e dinë ata, shkruesit e shpalljeve në LSDM, se disa prej këtyre nxënësve të shkollave të mesme, të cilët tani protestojnë për një mjedis të shëndetshëm jetësor do të bëhen 18 vjeç që në prill të këtij viti? E se një numër i madh i tyre për tri-katër vjet do të jenë votues aktivë? Si do t’i bëjë LSDM-ja që të votojnë për ta? Duke i bërë ata të jenë mendjengushtë? Duke u thënë të mos mendojnë vetë sepse duhet ndonjë parti t’u thotë se ç’duhet menduar? Do t’i frikësojë me mungesa të paarsyetuara dhe drejtorë të këqij ashtu siç i frikësonte Nikolla Gruevski?
Nuk mund të besoj se pas katër vjetësh po e shkruaj të njëjtën gjë që kam qenë duke shkruar edhe gjatë kohës së VMRO-DPMNE-së. Nuk mund të besoj që partia e cila doli nga protestat qytetare dhe nga aktivizmi qytetar tani ua fyen inteligjencën qytetarëve. Kjo tregon një amaterizëm total politik. LSDM-ja po thyen degën mbi të cilën është ulur. Nuk qeveriset kështu. E as nuk fitohen zgjedhjet. Kjo është një vetëvrasje politike.

2Ata janë të humbur deri në pikën që në një shpallje partiake rreth mbajtjes planit të detajuar urbanistik për Tërnodollin në komunën e Shkupit – Karposh, thanë se ata kanë qenë të koordinuar nga VMRO-DPMNE-ja dhe nga E majta. Eeej….Të majtën po e ringjallin me gjithë kryesinë e saj prej tre personash e gjysmë, që të na bindin se qytetarët e Tërnodollit nuk e dinë se në çfarë mëhalle duan të jetojnë, por paskan ardhur njerëz nga E majta dhe bashkë me VMRO-DPMNE-në ua kanë shpërlarë trurin. Pasi qytetarët e kësaj mëhalle nuk mund të jetojnë si deri më tani, pa ndërtesa, në shtëpi të ulëta individuale dhe kanë frikë se do të shembet kodra. Andaj do të duhet dikush nga partia opozitare t’u tregojë se si duan të jetojnë. Për më tepër, si mund t’i besojnë ata kryetarit të Karposhit Stefan Bogoevit se garancia për sigurinë e kodrës është e siguruar me pjesën tekstuale të planit ku shkruhet se ndërtuesit duhet të vendosin mure të forta mbështetëse, kur ndërkohë sillet ligji për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme dhe kur është shumë më ekonomike të “blihet” një inspektor apo punonjës në komunë ose ministri, se sa të ndërtohet një mur i shtrenjtë mbështetës nga i cili nuk mund të kenë ndonjë të mirë financiare.
Sikur kjo të mos mjaftonte, bëjnë edhe konsultime me qytetarët e lagjeve të tjera në lidhje me planin që të bëjnë si komshinj të mirë, kur në realitet janë veçse provokatorë dhe reketues që shkaktojnë parregullsi. Se mendojnë që banorët e mëhallës së qetë të cilët jetojnë nëpër shtëpi dhe oborre nuk do t’i dallojnë këta se nuk janë komshinj të tyre. E, nëse një parti qeverisëse u ka thënë se duhet të jetojnë në ndërtesa të larta, këtë gjë duhet ta pranojnë, se përndryshe do t’u kthehet VMRO-DPMNE-ja e sigurisht që do t’u ndërtojë ndërtesa pa i pyetur, ashtu siç u ndërtonte në Novo Lisiçe, Aerodrom, mu në qendër të Shkupit, në Debar Maalo, Panorama, Kisella Vodë…

Siç na ka dalë puna, më mirë të mos pyesim fare. Se, nëse pyet do të të vijë një boks nga ndonjë mik partie. Sa urtësi të mirë që dëgjuam nga Gruevski në kohën e tij: “Dy-tri shpulla, nuk është vepër penale, po veç shkelje…”

3Më 25 dhjetor, LSDM-ja do të hapë një debat publik për ndryshimin e modelit zgjedhor. Një muaj e gjysmë para shpërbërjes së Parlamentit. Dhe një javë para qeverisë teknike. Sa për të thënë se ligji është në rend të ditës. Do ta sulmojnë VMRO-DPMNE-në se paska parashtruar 6.000 amandamente E do të bëjnë thashetheme mbi partnerin e koalicionit, BDI, se ka parashtruar 5.000 amandamente dhe se kanë ngelur edhe 3.734 për t’u përkthyer në shqip. Ndërkohë kanë edhe 100 ligje të tjera për të sjellë. Sa i përket Ligjit për mbrojtje, nuk do të mund të votohet, sepse VMRO-DPMNE-ja nuk do ta votojë për inat. Veç kësaj, edhe Ligji për prokurorinë do të aktualizohet sërish…

Ehu…Nëse për ta paska pasur kaq shumë rëndësi ndryshimi i modelit zgjedhor, atëherë pse nuk bënë asgjë gjatë këtyre tri vjetëve? Të kishin nisur me kohë, ndoshta edhe do ta kishin mundësuar që ligji të kapte këto zgjedhje. Tani zihen për foltoren, nxjerrin shpallje dhe deklarata pafund, BDI-ja kërcënohet me luftra, me rrahje, me bllokada, me Mickovskin… Sikur ne nuk e dimë se si bëhet një koalicion apo se pse, se si bëhen listat e deputetëve, se kush hynë në listën e deputetëve…
Auuu, ndryshimi i sistemit zgjedhor do të na i rrezikojë elitat partiake. Le të bëjmë sikur do ta ndryshojmë.
Mirëpo, kjo tashmë nuk është as aktrim. E dimë se partitë merren vesh kollaj atëherë kur kanë interes të përbashkët. Prandaj edhe askush nuk shqetësohet.

4 Qeveria ia nxori fundin me nënvlerësimin e inteligjencës së qytetarëve. Pastaj ndjehen keq kur u thonë se janë të njëjtë si VMRO-DPMNE-ja. Dhe ashtu duhet të ndjehen. Është e tmerrshme të jesh sikur VMRO-DPMNE-ja.
Nuk janë të gjithë të njëjtë për nga mënyra e qeverisjes. Mund të imagjinoni në kohën e Gruevskit, Koce Trajanovski të ndryshonte një drejtor gjimnazi se i paska cënuar të drejtën e protestave nxënësve të shkollave të mesme, ashtu siç e ndryshoi Petre Shilegovi drejtoreshën e shkollës “Nikolla Karev”. Nuk janë të njëjtë edhe për nga aspekti i asaj që arritën të bënin në skenën ndërkombëtare. Nuk janë të njëjtë edhe për nga transparenca e shpenzimeve të buxhetit. Nuk janë të njëjtë as për nga aspekti i çështjes së respektimit të të drejtave të njeriut, mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve të cenueshme, lirisë së shprehjes…Ja ku janë, mjaft të zhurmshëm njerëzit brenda partisë që kanë turp nga shpalljet partiake mbi protestat.

Mirë ama, janë të njëjtë për nga mënyra se si i nënvlerësojnë të gjithë ata që nuk mendojnë siç mendon partia e tyre. Qytetarët të cilët i ndihmuan Zaevit të vinte në pushtet dhe i dhanë mbështetje NATO-s edhe për ndryshimin e emrit, akoma nuk mund ta harrojnë zullumin e VMRO-së së Gruevskit. Por ka shumë nga ata që mbajnë mëri ndaj LSDM-së.

Tani kemi protesta kundër ndotjes. Mbrëmjë kishim një Ditëpudi në Karposh. Nesër mund të ketë një tjetër Ditëpudi kush e di se ku nëpër Maqedoni. Pasnesër do të protestohet për rrogat e artistëve, për arsimin, shëndetësinë, trajtimin e kafshëve, shpëtimin e lumenjve, liqeneve, për “pastrimin” e trotuareve…Gjithmonë ka një arsye për protestë. Qytetarët duan të jetojnë më mirë. Dhe do të duam gjithmonë. Edhe opozita ndonjëherë do të dojë të shfrytëzojë pakënaqësinë e qytetarëve që të përfitojë për vete. Por, është politikisht e papërgjegjshme nga ana e qeverisë, që kur ka ndonjë problem, në vend që ky problem të zgjidhet, të kërkohet një fajtor te qytetari i cili dëshiron që t’i zgjidhet problemi. Pse? Pasi protesta e tij do t’ia cenojë rehatinë dhe begatinë që ia ka mundësuar partia.
Na del se qytetarët janë armiqtë më të mëdhenj të partive.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира