VISHI PAPUÇET

Kryeministri Zaev çdo ditë që do të futet në zyrën e vet do të duhet ta përsërisë fjalinë e tij të preferuar: “Kjo ligësi nuk do të përsëritet më kurrë”

VISHI PAPUÇET

1 Si duket amerikanët e kanë tepruar me spërkatjen me alumin deri në atë pika sa që t’i bëjnë maqedonasit apatikë. E kështu terapia ka shkaktuar efekte anësore te udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së. Përndryshe, si mund të shpjegohet propozimi i Komitetit ekzekutiv të partisë për t’i falur të gjithë dhunuesit që u futën në Parlament me qëllim që të vrasin dhe të rrahin deputetë më 27 prill? Dhe me çfarë arsyetimi? “Me synim konsolidimin dhe relaksimin e tensioneve politike”.

Çfarë gjë të tensionuar ka këtu? Tensioni i vetëm është që dhunuesit e 27 prillit dhe organizatorët dhe nxitësit e tyre të dhunës akoma nuk janë burgosur. Pasi, nëse ia kanë dalë që të futen në Parlament, mund të na hyjnë edhe në shtëpi nëse përsëri e dëgjojnë Gruevskin që të mos rrinë në shtëpi me papuçe për ta mbrojtur.
Për çfarë lloj konsolidimi flet Komiteti ekzekutiv kur ai gjatë tërë kohës sillte deklarata për llogaritje finale? Mos duhet vallë t’iu japin edhe libreza të LSDM-së? Konsolidimi i vetëm i situatës te i cili mund të mbështeten është të pajtohen me fatin. Ata që kanë vjedhur dhe kanë bërë zullume të pajtohen me faktin se do të shkojnë në burg.

2 Kurse ata që i kanë mbështetur në vjedhje, ndërkohë që disa prej tyre edhe vetë e kanë pranuar atë mbështetje, të pajtohen me faktin se ka ardhur koha që ta marrin përsipër përgjegjësinë. Dhe kjo nuk është hakmarrje.

Si ndjeheshin kur i vdishnin papuçet dhe me plot gatishmëri i grisnin këpucët për ta mbrojtur regjimin në protesta dhe kundërprotesta? Kur marshonin kundër studentëve, profesorëve, kundër kolegëve…Vallë iu vinte mirë kur i rrethonin emrat e komshinjve, të prindërve dhe të miqve në defterin partiak dhe i dërgonin në shtabe për të kontrolluar se “kush është i joni”?

E pastaj, deri dje ata i bindnin se “tanët do të ktheheshin në pushtet. Dhe se aty ku i ka punësuar falë bindjes së tyre partiake, kanë bërë obstruksione. Në interesin e “tanëve”.

3 Dhe përse akoma merremi me VMRO-DPMNE-në, në vend që të merremi me çlirimin e shtetit prej saj?
Pak e kishim që u çmendëm deri sa ishin në pushtet, e tani po mërzitemi se janë në opozitë. E po bëjmë plot debate, analiza, a do të reformoheshka partia, e si do të reformoheshka, e a paska për të dhënë dorëheqjen Gruevski, e si do ta siguruaka vazhdimësinë e partisë…

Vazhdimësi për çfarë? Dhe reformim për çfarë? Si mund të reformohesh një shoqatë keqbërëse që e ka robëruar partia, e nëpërmjet partisë e ka robëruar dhe gjithë shtetin?
Me demek, nëse nuk do të ishte VMRO-DPMNE, nuk do të kishim pasur opozitë. Dhe se mu VMRO-DPMNE është dashur të reformohet për të qenë në opozitë. Kjo është edhe një tezë tjetër që e mban gruevizmin gjallë. Gruevizmi do të jetojë përderisa një VMRO-DPMNE e këtillë do të konsiderohet si strukturë politike. Ndërkohë që nuk është. Kjo është strukturë kriminele. Dhe vendin nuk e ka në jetën politike.

Për një shtet të shëndetshëm, në interes të publikut është që të ketë opozitë. Por kjo opozitë nuk mund të varet nga reformimi i VMRO-DPMNE-së. Interesi publik në mërzitjen se “çfarë do të bëjmë tani pa VMRO-DPMNE-në” përfundon me tre pika:

  • Zbulim i krimeve
  • Dënim i atyre që kanë bërë zullume
  • Kthim i parave të vjedhura

Aq.

E se çfarë do të bëjnë brenda partisë dhe si do t’i largojnë shpirtrat e këqij, kjo nuk është puna jonë.

4 Ashtu sikurse nuk është puna jonë se ç’do të bëjë LSDM-ja brenda partisë. Por gjithashtu siç është puna jonë se si LSDM-ja tani do të sillet me fitoren e saj dhe si do të qeverisë. Njëqind ditët e Zoran Zaevit përfunduan më 15 tetor. Me këtë përfunduan edhe arsyetimet për sëmundjet fëmijëve të qeverisë së re. Lufta sapo ka filluar. Por jo kundër Gruevskit. Por kundër gruevizmit.

Kryeministri Zaev çdo ditë që do të futet në zyrën e vet do të duhet ta përsërisë fjalinë e tij të preferuar: “Kjo ligësi nuk do të përsëritet më kurrë”.

Vetë Zaevi për më shumë se dy vjet me shpatullat e tij e udhëhoqi betejën për çlirimin e shtetit të robëruar. Prandaj është gjithashtu përgjegjësia e tij që kjo ligësi të mos përsëritet është më e madhja nga të gjitha. Për më tepër që shenjën e gruevizmit e mban akoma në ballë nga lëndimi më 27 prill.

Përktheu: Fjolla Zllatku

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира