1 Kush do të shkojë, vallë, në shtëpinë e Zhan Monesë pranë Parisit, për të biseduar për pajtimin mes qeverisë dhe opozitës në Parlamentin e Maqedonisë? Sipas idesë së deputetit evropian Ivo Vajgëll, do të duhet të ketë nga një koordinator, një deputet dhe një anëtar të shërbimit Parlamentar të çdo grupi deputetësh.
Më së miri është të çojmë deputetin Kërsto Mukoski që t’ua hapë derën mysafirëve. E bashkë me të të jetë dhe Johan Tarçullovski që t’i drejtojë drejt dhomës së duhur, që të mos humben. Ndërsa Sasho Vasilevski do të jetë aty për çdo rast, për shembull nëse nevojitet të lëvizet çelësi i derës.
Mbase prandaj edhe VMRO-DPMNE akoma mendon në duhet ta pranojë iniciativën për pajtim pranë Parisit. Pasi janë shumë veta. Dhjetë grupe deputetësh, nga tre në çdo delegacion, tridhjetë vetë nuk i nxë në një dhomë. Nuk u bë shtëpia e Zhan Monesë si banesa në Kapishtec gjatë kohës së zgjedhjeve para katër vjetësh. Apo, akoma mendojnë se numërohen se kush ka pasaportë, e kush nuk ka, që të dalë nga toka. Plus që edhe datat duhet të mos përputhen me afatet gjyqësore.
Ta dinte ideologu i Evropës së bashkuar, Zhan Mone, se kush shëtit nëpër shtëpinë e tij, do të rrokullisej në varr. Në atë vend kanë zhvilluar debate me vizion Robert Shuman, Dvajt Ajzenhauer dhe Konrad Adenauer, kurse ne do t’ua çojmë Vlladanka Aviroviqin. Dhe Vllatko Gjorçevin që të zihet me veten e vet.
Do t’i kushtojë shtrenjtë Bashkimit Evropian kjo përpjekje për rehabilitim të Nikolla Gruevskit dhe shoqërisë së tij. Për 11 vjet që ka qenë këtu, një herë nuk ka dalë në debat, në Parlament nuk paraqitet dot pasi e konsideron të ulët nivelin e deputetit, por te Zhan Moneja do të bisedojë me kundërshtarët politikë për pajtim parlamentar? E çfarë do t’u shpjegojë? Si ndodhi 27 prilli?
Për më tepër, ç’u duhet ajo e vajtur gjer në Paris? A nuk na përgëzuan të gjithë për zgjedhjet e realizuara siç duhet. Njerëzit votuan, vendosën që nuk duan që Gruevski të jetë në pushtet dhe këtu mbaron e gjithë puna. Kush po mban inat ndaj kujt? Në çdo shtet ekziston qeveri dhe opozitë. Vallë, të jetë aq e tmerrshme që Gruevski nuk është më në pushtet pas 11 vjetësh, që të kemi përsëri një situatë ndërkombëtare?
E pastaj, kush do të paguajë për shëtitjet në Paris? Tatimpaguesit evropianë? Ne, me paratë nga akciza për dizelin nga buxheti i ri? Apo, nuk kanë përfunduar tamam të gjitha paratë e vjedhura të popullit në Belize. Ka mbetur edhe diçka për të kthyer Gruevskin në jetë.
2 Meqë jemi te buxheti, unë pranoj se jam një nga ata gazetarë që nuk merren vesh nga financat. Dhe për dallim nga disa kolegë të mi, nuk jam ndjerë i fyer nga deklarata e ministrit Dragan Tevdovski, i cili u bëri lutje gazetarëve që nuk marrin vesh nga financat të mos bënin spekulime për buxhetin. Matematikën e njoh aq sa më është dashur ta mësoj në gjimnaz. Dhe me atë nivel njohjeje e kam absolutisht të qartë dhe më duket shumë logjik deklarata e ish ministrit të financave, Xhevdet Hajredini, i cili thotë: Nëse pohoni se qeveria e kaluar ka vjedhur 500 milionë euro në vit, pse i parashikuat ato para në buxhet? Dhe pyet: Mirë që i keni parashikuar. Por, çfarë do të bëni me ato para? Në se do t’i shpenzoni?
Aq matematikë di unë. Dhe pyetja më duket plotësisht me vend. Çfarë jemi duke bërë me paratë që qeveria e kaluar ka parashikuar t’i vjedhë? Ndërkohë që kjo qeveri thotë se nuk do të vjedhë.
3 Edhe pse, nëse themi të drejtën, ishte qeveria e re ajo që hapi buxhetin për debat publik. Kryeministri dhe ministri i financave dolën në debat për shërbimin publik. U përgjigjeshin pyetjeve të ministrit të parë të financave të Gruevskit, Trajko Sllaveski. Keni parë gjë të tillë më parë? Ministri i financave nuk ka zbritur për dy javë të tëra nga ekrani duke u bërë shpjegime të gjithëve. Si atyre që merren, si atyre që s’merren vesh nga financat.
Unë nuk mbaj mend ndonjëherë të jetë ngritur kaq shumë bujë për buxhetin. Përveç për buxhetin e vitit 2013. Kur më 24 dhjetor të vitit 2012, VMRO-DPMNE me shqelma i nxori opozitarët nga salla e Parlamentit. Po. Atëherë flitej shumë për buxhetin.
Edhe me këtë muhabetin për tre denarët e shtuara për akcizën e dizelit. Dy javë po debatojmë, u bëmë të gjithë ekspertë të financave dhe të ekologjisë. Ç’ju ka gjetur, o njerëz? Në kohën e Gruevskit dhe të Zoran Stavreskit, për çmimin e rritur të dizelit do të merrnim vesh tek atëherë kur të arrinim në pompën e benzinit. E nuk kishte kohë që të ankoheshim pasi TVM, Sitelli apo Kanal 5 me ditë të tëra na shpjegonin se sa e mirë është kjo për shëndetin tonë. Dhe se sa shumë e ka ngritur kjo gjë Maqedoninë në rejtingun e çdo rang liste. Dhe se jemi liderë të akcizës në botë, po edhe më gjerë, çka do të thotë, sigurisht, se është një dëshmi për politikat e suksesshme të qeverisë së VMRO-DPMNE-së nën komandën e Nikolla Gruevskit.
Madje edhe biznesmenët morën kurajo. Të gjitha ata që pëshpërisnin fshehurazi se Zoran Stavreski nuk ua kthen TVSH-në, e na lusnin nëse do të mundeshim të shkruanim, por pa ua përmendur emrin. Gruevski i mblidhte në sallën e madhe të “Aleksandar Palace”, ndërsa ata të spitullosur, sikur të ishin nisur për ndonjë meshë kishe, meqë i malltretone të dielave në mëngjes, e prisnin një orë deri sa zgjohej e të vinte, për t’i qortuar se pse nuk japin para për kishën, e në fund i duartrokisnin kur u premtonte se do t’ua kthejë TVSH-në. Gjë që për të është detyrim ligjor.
Pak si shpejtë harruam se çfarë na ndodhi për 11 vjet. E tani Zhan Mone do të na përkujtojë.
4 Besa, edhe historitë e Zoran Zaevit për ca analistë që i kanë thënë se u është cënuar siguria, m’i kujtojnë historitë për cënimin e Nikolla Gruevskit. Në faqet ballore të gazetës “Dnevnik”. Dhe në lajmet kryesore në televizionet, e marra nga burimet e mirëinformuara të portaleve korriere. A nuk kishte për ta vrarë një kohë, ndonjë mafi çeçene? A nuk u deshtë që avioni i tij të ateronte në Cyrih se pati diçka urgjente, ndonjë rrezik sigurie, kur shkruanin me kajron në mes të serive turke…E pastaj, vetëm kur më kujtohet se sa herë është granatuar ndërtesa e Qeverisë. Por pse të numërojmë, kur akoma askush nuk është zënë? Që nga koha kur Ivica Bocevski ishte zëdhënës.
Kurse është krejtësisht muhabet tjetër që shërbimet e sigurisë , kur ua tregojnë këto informacione kryeministrit, nuk i thonë se nuk është gjithçka për t’u thënë publikisht.
Kapaku mbi të gjitha është se doli edhe VMRO-DPMNE-ja me një komunikatë. E thërriti Zaevin që të thoshte se nga kush merr kërcënime dhe se sa reale janë. Dhe ai ua tha. Më 28 prill doli me çallmë në kokë duke akuzuar se më 27 prill kishte ndodhur një sulm i organizuar i Parlamentit, me qëllim që dikush ta vriste. Deklaratë së cilës Gruevski iu përgjigj: “Të donte dikush ta vriste, do ta kishte vrarë”.
Edhe këta deputetët e LSDM-së me gjithë mend e kanë pranuar idenë e Nikolla Gruevskit dhe shoqërisë së tij për rehabilitim në Paris? Pse Zaevi e mbajti për dy vjet mbante kokën në rrezik e në fund me gjithë kuptimin e fjalës iu gjakos? Që ta kthente Gruevskin si faktor ndërkombëtar?
5 Erdhi jeta edhe për deputetët e koalicionit të qeverisë. Iu qëlluan mirë rezultatet e zgjedhjeve lokale. Ndërkohë edhe VMRO-vcat nuk u bëjnë shumë presion. Thanë me vete – të bëjmë pak pushim. Imagjinoni të kishte ndodhur në ndonjë shtet tjetër që deputetët të mos kishin votuar për përparimin e të drejtave të njeriut. Çfarë skandali do të ishte ai. Por ne, meqë i njohim, ua neglizhojmë budallallëqet. Andaj edhe shpjegimi i koordinatorit të grupit të deputetëve të LSDM-së, Tomisllav Tuntev, se kanë qenë të defokusuar dhe konfuzë, na duket si gjë normale. Njësoj si kur koordinatori i deputetëve të BDI-së, Artan Grubi tha se nuk kanë votuat për shkak të një gabimi teknik.
Asnjeri as nuk dyshon se ata me qëllim nuk i kanë votuar rekomandimet e Avokatit të popullit. Thjesht kanë ardhur në Parlament, janë paraqitur me kartelat e tyre se janë akoma në punë dhe kanë ikur për kafe. Si çdo zyrtar shtetëror normal. Nëse do të kishin qenë me të vërtetë aq të fokusuar dhe konfuzë kur duhet të marrin para për patarina dhe mëditje, mbase do t’ia kishim kursyer ndonjë denar buxhetit. Por kjo gjë nuk do t’u kishte ndodhur as me gabim.
Si mund t’i ndodhte një gjë e këtillë Ilija Dimovskit si koordinator? Për më tepër, cili është funksioni i koordinatorit? T’i koordinojë kolegët. Dhe t’i fokusojë drejt kësaj: Nëse nuk dini se kë duhet të votoni dhe nëse nuk mendoni me kokën tuaj, shtypni butonin jeshil. Kurse në rastin tjetër, të kuqin”.
Por më mirë të mos e fillojmë atë muhabet. Ta kthejmë VMRO-në, poashtu.
Përktheu: Fjolla Zllatku