ZILJA SHPËTIMTARE

Në programet e qeverive të Maqedonisë postkomuniste ekziston një konstantë dhe kjo është njoftimi për ndërtimin e autostradës Veles – Prilep – Manastir.

ZILJA SHPËTIMTARE

1Në këtë Maqedoni të përjetshme, nuk ekzison asnjë problem, zgjidha e të cilit nuk do të mund të shtyhej. Kështu, e njëjta gjë vlen edhe për vitin shkollor. S’ka qeveri, s’do të ketë as mësim. Mandatari për formimin e qeverisë, Zoran Zaev, tha se për shkak të pandemisë së koronavirusit, do të ishte më së miri që në vend në 1 shtator, shkollat të hapen në 1 tetor.
E gjithë bota ka problem me organizimin e mësimeve, por ama përpiqen, shpikin e provojnë gjëra të reja, punojnë…një diçka e bëjnë. Vetëm tek ne kanë një arsye shumë të mirë se pse arsimtarët dhe shkollat të mos jenë të gatshme për fillimin e vitit shkollor – nuk ka qeveri.
Pse vallë, duhet të ketë qeveri, që dikush i punësuar në institucion shtetëror të bëjë punën e tij? Vallë, është e domosdoshme që të dihet se cilës parti do t’i takojë ministri i arsimit, që dikush të fillojë të punojë? Kanë kaluar tashmë më shumë se gjashtë muaj që kur pandemia i mbylli shkollat. Çfarë bënin të punësuarit në intitucione shtetërore arsimore nga marsi deri një javë para fillimit të zakonshëm të vitit shkollor? Si mundën shkollat private të organizoheshin e të shpiknin një mënyrë për të organizuar procesin arsimor? Përse nuk mund të fillojë mësimi edhe në shkollat fillore? Çfarë shpikën punëtorët shtetëtorë të arsimit? Shpikën receta të reja që i postonin në Fejsbuk që të merrnin shumë lajke, ndërkohë që rrinin në shtëpi, duke marrë rrogën e njëjtë, as edhe një denar më pak.
Në shtetin tonë ekziston një institucion i cili quhet Byroja e zhvillimit të arsimit. Sipas emrit, këtu do të duhej të kishte njerëz që dinë të zhvillojnë arsimin, profesionistë, puna e të cilëve nuk do të duhej të varej nga fakti se cila parti qeveris. Këtë vit, me paratë të cilat i marrin nga ne, ata u desh të shpikin një mënyrë për të realizuar arsimin në kushte të kovid-19, por ja që nuk e shpikën.
Dhe ja ku na del Zoran Zaevi duke thënë se sivjet, 1 shtatorin do ta shtymë për 1 tetor.
Pse? Sepse ata që është dashur të bëhen gati, nuk janë bërë gati akoma.
Në kohën time si gjimnazist, kishim një shprehje që e përdornim në situatat kur dikush nuk ishte përgatitur për t’u pyetur nga arsimtari dhe në momentin kur e thërriste, binte zilja e përfundimit të orës: “Më shpëtoi zilja.” Kështu edhe Zoran Zaevi për punëtorët e shtetit ishte si zilja në fund të orës së mësimit. S’keni bërë gjë për gjashtë muaj? Nuk jeni gati? Pa merak, zilja shpëtimtare do t’ju shpëtojë nga “njëshi”.
Edhe pse, sinqerisht, dyshoj se në 1 tetor do të jenë gati.

2Në Parlament këtë fundjavë duhet të përzgjidhet qeveria e re. Për dy ditë do të dëgjojmë shumë fjalë mbi politikën e lartë, shumë urtësi nga goja e secilit, shumë braktisje të seancave, premtime, akuza, interpretime të kushtetutës, pauza – për drekë, për konsultime, për pushim të nervave…E në fakt, kjo situatë e qeverisë së vazhduar teknike, në kombinim me pandeminë, vetëm sa e bën më të qartë faktin e ne – shtet kemi, por institucione shtetërore nuk kemi.
Më saktë, kemi shumë institucione dhe paguajmë shumë, por njerëzit që punojnë aty janë të pakualifikuar dhe të paaftë. Gjatë këtyre gjashtë muajve i pamë se kur duhej të punonin, për ta korona ekzistonte, e kur pushonin – korona nuk ekzistonte. Përveç kësaj, të gjithë u vërtetuam se pothajse të gjithë njerëzit të vendosur në funksione shtetërore me rroga të shtetit, vetëm sa presin instruksione dhe nuk marrin asgjë përsipër përderisa nuk u thotë dikush “prej lart”. Askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësi në lidhje me asgjë dhe secili pret që dikush tjetër t’ua mbarojë punën. A nuk është kështu? Çfarë bënin mijëra drejtorë е kryetarë komunash përveç se të merrnin pjesë në fushatë dhe të mërziteshin në rast se shefi partiak ishte hidhëruar me ta?

Jetojmë në një shtet, i cili është i sëmurë nga kanceri. Një kancer, për të cilin është harxhuar terapia, dhe nuk mund të vazhdohet mjekimi, përveçse nëse nuk paraqitet në televizion, ku ministri i shëndetësisë, në rast se kemi fat, do ta shikojë lajmin dhe të sigurojë terapinë e duhur. Kishim rastin e një fëmije 11 vjeçar me nevoja të veçanta, për të cilin u desh të ngriheshin dy ministra që t’i gjendej vend në spital e më vonë në institucion social. Tani nëna e tij, edhe ajo vetë rëndë për nga shëndeti, ecën rrugëve në kërkim të djalit. Mos duhet të dalë mandatari në TV, që të strehohet edhe ajo?
Përse e paguajmë të gjithë atë administratë shtetërore, nga e cila askush nuk guxon të përjashtohet, për të cilën duhet vazhdimisht të kërkosh ndonjë lidhje, apo duhet të dalësh në lajme, që të jesh mjaft i rëndësihëm për ministrin. Vetëm atëherë do të zgjidhet probelmi. Më saktë, do të zgjidhet vetëm rasti në fjalë, ndërkohë që problemi do të vijojë të ekzistojë brenda sistemit. Për më tepër, rasti do të zgjidhet për arsyen e vetme që të evitohet publiciteti negativ, deri në shfaqjen e radhës në ekan.
Është mirë që institucionet varen prej nesh, por medet për ne kur do të kemi ne nevojë për to.
3 Dy javë me radhë është bllokuar dorëzimi i çertifikatave të lindjes. Drejtori i drejtorisë për udhëheqjen e librave amë, Bujar Dardhishta thotë me këmbëngulje se nuk ka asnjë problem por bëhet fjalë për masa anti-kovidi – kërkesën e dorëzon në një vend dhe çertifikatën e merr në një tjetër, e ndërkohë në sportelet e njësive të shpërdnara kanë ngjitur letra që thonë se kanë problem me sistemin kompjuterik.
Po mirë, ç’problem kaq i madh mund të jetë ky, që të mos mund të zgjidhet brenda dy javëve? Pse nuk paguan intitucioni ndonjë person që ta zgjidhë problemin? Nëse do të bëhej fjalë për kompani private, sistemi do të ishte funksional brenda 24 orëve.
Dhe realisht nuk është se është ndonjë problem i madh. Kemi të bëjmë me çertifikata të lindjes, vdekjes dhe të martesës. Ngado kërkohen tani çertifikata të tilla e që të mos jenë më të vjetra se gjashtë muaj. Pyes veten, sa personave u duhen çertifikata të tilla, mu tani? Për më tepër, mu tani kanë gjetur të ankohen në media!

4Në programet e qeverive të Maqedonisë postkomuniste ekziston një konstantë dhe kjo është njoftimi për ndërtimin e autostradës Veles – Prilep – Manastir. Që nga viti 1994, kur Branko Cërvenkovski hidhte lopatën në rrugën para lumit Babuna.
Sa ministra të Prilepit dhe Manastirit kanë kaluar nëpër qeveri deri më tani, si të LSDM-së ashtu edhe të VMRO-DPMNE-së? Dhe asnjëri nuk arriti ta bindë shefin e tij që kjo autostradë të bëhet prioritet. Të paktën të shkonin rehat në punë. Ndoshta tani shtipjani Boçvarski më në fund do ta fillojë. Apo ndoshta dhe jo…jo për tjetër, por të ketë ç’të vendosë në programin e qeverisë së ardhshme.

Oh, po. Për pak do të kisha një parashikim. Është edhe hekurudha për në Sofje.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира