ME ZOTIN PËRPARA111 (СО ГОСПОТ НАПРЕТ111)

Tema e këtyre zgjedhjeve është ose për ose kundër Gruevskit. Dhe ai e di shumë mirë këtë gjë. Mirë e dinë edhe gjykatësit që duhet ta gjykojnë atë dhe klikën e tij.

ME ZOTIN PËRPARA111 (СО ГОСПОТ НАПРЕТ111)

1Ç’është vallë kjo nervozë te gjykatësit në pragun e erës së re? Filluan edhe Zotit t’i kërkojnë ndihmë. E në gjykimin për shpullat e porositura dhe dhunën në Komunën Qendër kundër Nikolla Gruevskit dhe trembëdhjetë vetave, gjykatësja Tatjana Mihajllova, me të shtyrë afatin e 20 nëntorit tha se atëherë do të ketë një diskutim të mirëfilltë “në dhëntë Zoti”. Pasi në atë moment nuk paska pasur sallë të lirë.
Kush nga ne është budalla që ta besojë këtë gjë? Gjykatësja e di se nuk ka lidhje nëse Zoti e dhënka apo jo, e as se çfarë bën ajo vetë. Atë proces mund ta zgjasnin edhe me lojëra gjyqësore deri në pafundësi. Gruevski do të bëjë të mirin, ndërsa nga të gjykuarit e tjerë, gjithmonë do të ketë dikush që është i sëmurë, apo që është bllokuar diku në rrugë, apo do të ketë ndonjë ftesë që nuk arriti të dërgohej siç duhet e kështu avokati i Gruevskit nuk do ta dijë se duhej të ishte prezent, e ai vetë, thjesht, nuk do të vijë fare…

Ore, le ta vënë njëherë Gruevskin në paraburgim, e të shihni atëherë se si edhe të tjerët do të jenë të rregullt në gjykime. E nëse nuk duan ata vetë, do të gjejnë të tjerë të VMRO-së e do t’i sjellin. Nëse duhet, edhe Qosen do ta ngrenë nga varri që t’i gjejë. Do të shihni se si atëherë, edhe pa ndihmën e Zotit, do të gjendet një sallë gjykimi. Dhe se si korrieri i gjykatës do t’i ndreqë të gjitha ftesat të nënshkruara siç duhet. As furgonat nuk do të prishen. E do të arrijnë në kohë, nëse duhet madje do të nisen tri ditë para. Se mos ketë ndonjë ndalesë të papritur gjatë rrugës. Atëherë, edhe gjykatëset do të shërohen. Nëse duhet, do t’i ngrenë nga tavolina e operacionit që t’i sjellin në gjyq…

Në erën e vjetër të Gruevskit, kemi parë gjykime edhe më spektakolare se sa kjo e shpullave, kur, nëse gjykatësi ka shprehur dëshirë, është siguruar prezenca e shumë më shumë se 13 të gjykuarve. Drejtësia është në duart e gjykatësve. Pikërisht për këtë, ata dinë edhe si ta shkelin. Vetëm se duan të na bindin që dukuria e shkeljes së drejtësisë është – dëshirë e Zotit.

2E ndërkohë që ne merremi me sloganet më koti të zgjedhjeve lokale, Gjykata Penale në Shkup qartësisht vërteton se nuk ekziston dallim as mes jetës së vjetër dhe të re, e as me erës së vjetër dhe të re.

Si fillim, gjatë gjithë verës nuk i pranonin akuzat e PSP-së, pasi ishte periudha e pushimit vjetor. Dhe pushimi është institucioni më i rëndësishëm në Maqedoni. E tani, që kur pushuan dhe i pranuan akuzat, në Gjykatën themelore Shkupi 1, tashmë në tri raste, i refuzuan bombat si dëshmi. Shumë bukur. Domethënë tani do të shkojmë te Apeli. Pa ankesë, pa afate, pa ankesë ndaj ankesës…Kurse fakti që Apeli për dy raste tashmë vendosi t’i pranonte bombat si dëshmi nuk është aspak i rëndësishëm. Por, kemi tetëmbëdhjetë akuza. E akoma na mbetet ta bindim njëri-tjetrin me të trembëdhjetat. Prapë do t’i refuzojnë bombat si dëshmi, e PSP do të ankohet, e do ta presim Apelin,  prapë nuk do të ketë sallë të lirë,  gjykatësi do të sëmuret, e do të shkojë në rrugë zyrtare, ndërsa avokati do të shkojë në seminar…Kjo do të përsëritet edhe në erën e re e drejt së shkuarës.

Nuk e di nëse kemi të bëjmë me gjykatës që nuk duan të pastrojnë krimin, pasi edhe vetë janë zhytur në të, por fakti se prapë kemi tri raste ku bombat nuk pranohen si dëshmi, tregon se kjo nuk ka të bëjë fare me Zotin. Ka të bëjë me një planifikim rrënjësor se si të shkelet drejtësia, duke i përdorur të gjitha turket e gjyqësisë. Dhe tani për tani gjithçka shkon sipas planit të tyre. Këtu nuk ka  dëshirë të Zotit. Këtu ka vetëm një plan se si gjykatësit ta shpëtojnë Gruevskin nga drejtësia. Po edhe si ta shpëtojnë veten.

3Me stërzgjatje të proceseve gjyqësore, gjykatësit i ndihmojnë Gruevskit që të na bindë të harrojmë se Maqedonia u shkatërrua pikërisht nën udhëheqjen e tij. E ndërkohë që e pengojnë drejtësinë për hir të tij, i ndihmojnë që të na e shesë tezën se VMRO-DPMNE me këtë udhëheqësi do të jetë shpëtimtarja e Maqedonisë. Po edhe shpëtimtarja e tyre.
Pasi në këto zgjedhje lokale, VMRO-DPMNE shkon me mesazhin se është pikërisht Gruevski ai që do ta shpëtojë Maqedoninë. Kurse ai, përveç se në gjyqësi, qeveris me të gjitha komunat, përveç në tre. Nga kush do ta shpëtojë? Nga vetja e vet.

Fatmirësisht janë akoma të freskëta kujtimet e erës para 27 prillit. Përndryshe, nëse bazohemi te fushatat, mund të mendojë dikush se të gjithë janë të njëjtë. Madje edhe ngjyrat e bilbordeve  me kandidatët për kryetarë. Me të njëjtat premtime. Do të mbjellin pemë, qytetarët duhet të marrin ajër të pastër, do të hapin çerdhe e të ngasin biçikleta.

Ja, madje edhe Gruevski u bë konfuz tani. Premton jetë të re. E çfarë i mungonte të vjetrës?

Dhe i fton votuesit më 15 tetor të vendosin me laps në dorë. E deri tani si paskan vendosur? Pa laps? Me shkulje flokësh e rrahje me mbajtës kamerash në Kuvend? Me printim të letërnjoftimeve? Me prishjen e ashensorëve në kullat e komunarëve? Me hapjen e thasëve të “asaj, si quhet, për ta shtrënguar”? Me shtrëngim duarsh? Apo me tërheqje veshësh. Dhe me piskama e britma.

Por këto nuk janë zgjedhje për gjelbërimin dhe pemët. Pasi pemët nuk janë më. I prisnin në orën 4 të mëngjesit me polici. Ndërkohë nuk gjenden as palmat. Tema e këtyre zgjedhjeve është ose për ose kundër Gruevskit. Dhe ai e di shumë mirë këtë gjë. Mirë e dinë edhe gjykatësit që duhet ta gjykojnë atë dhe klikën e tij.

4Në përpjekje për ta shpëtuar Gruevskin janë edhe Janez Jansha dhe Viktor Orban nga partitë-motra në Slloveni dhe Hungari.
Mirë për Janshën, mund ta paramendojmë se pse ka ardhur. T’i ndajë përjetimet e çmuara. T’i shpjegojë liderit të partisë-motër se si kalohet koha në burg si i gjykuar për korrupsion, e mandej si kthehesh në politikë dhe përgatitesh përsëri për të qenë kryeministër.

Por, Orbani çfarë kërkonte? Të ngrihet një kryeministër aktual i shtetit, të ndezë avionin special nga Budapesti vetëm e vetëm që të kalojë tri orë me një kryministër të një shteti tjerët…Që t’i japë mbështetje, dhe atë për zgjedhje lokale. Për më tepër duke qenë i lodhur, meqë një ditë para ishte kthyer nga Singapuri…

Nuk është vetëm çështja se Gruevski nuk ka pasaportë, e nuk mund t’i shkojë në gosti. As çështja e panoramës nga tarraca  e tij në liqenin e Ohrit. Orbani duhet t’i ketë pasur ndonjë borxh të madh. Nuk është vetëm çështje e motërsisë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира