DUA QË TË MOSHUARIT TË MENDOJNË PËR TË ARDHMEN, THOTË FIZIOTERAPISTI I GERIATRISË ME SHIKIM TË DËMTUAR ACO ZANEV

DUA QË TË MOSHUARIT TË MENDOJNË PËR TË ARDHMEN, THOTË FIZIOTERAPISTI I GERIATRISË ME SHIKIM TË DËMTUAR ACO ZANEVZanevi punon për 30 vjet në terapi fizikale me pacientë pa gjymtyrët e poshtëm dhe kuadriplegji. (Foto: Gj. Liçovski)

Fizioterapeuti Aco Zanev është person me shikim të dëmtuar, i cili tashmë prej tridhjetë vjetësh është punësuar në Spitalin e specializuar të geriatrisë dhe mjekësisë palliative “13 Noemvri” në Shkup.

“Që në moshë të re kam pasur dëshirë jetësore të bëhem fizioterapist dhe ja që ia dola dhe mendoj se jam një mjek i suksesshëm”, thotë ai.

Zanevi ka kryer shkollën e mesme të mjekësisë në Beograd në vitin 1990 dhe pas gjashtë muajsh është punësuar në Spital, në Geriatrinë e atëhershme, ndërsa në vitin 2013 është diplomuar në Fakultetin e mjekësisë në Shtip, në degën e fizioterapisë.

“Unë jam rritur në Geriatri”, shprehet në shaka e sipër.

“Për mua një fizioterapist i vërtetë është ai që arrin t’ia tërheqë vëmendjen pacientit, ta bëjë të mendojë për diçka tjetër, për shembull për të ardhmen e tij”, thotë Zanevi. (Foto: Gj. Liçovski)

Zanevi thotë se gjatë arsimit të tij ka përdorur kompjuter me komanda zëri dhe skrin rider, ndërsa veçanërisht i ka ndihmuar fakti se në Universitetin e Shtipit të gjithë profesorët e shkruanin literaturën e tyre në formë elektronike.

Ai punon në zyrë, për të cilën shprehet se është pjesë e terapisë fizikale ku fizioterapisti aplikon ushtrime të ndryshme për pacientët, nga ato më aktivet, deri tek ato që kanë nevojë për mbështetje, ushtrime më pasive, ushtrime për gjymtyrët e sëmura apo për gjymtyrët e cunguara. Zanevi punon me pacientë që nuk kanë gjymtyrët e poshtme, dhe me kuadriplegji.

“Në përgjithësi kemi të bëjmë me pacientë të akomoduar këtu në pjesën geriatrike dhe në shumicën e rasteve këta janë njerëz në moshë dhe parandalimi i çdo terapie fizikale është parandalim i plagëve nga të qëndruarit shtrirë, nga mosaktivizmi. Terapia fizikale ndihmon që njeriu të fillojë të mendojë më shumë për veten e vet. Shumë nga njerëzit e moshuar thjesht dorëzohen dhe mendojnë se erdhi pleqëria dhe kaq ishte. Fizioterapisti, të paktën për mua, është ai që arrin t’ia tërheqë vëmendjen pacienit drejt diçkaje tjetër, ta bëjë të mendojë për diçka tjetër, për shembull për të ardhmen e tij. Thjesht, ta bësh që problemin që ai ka ta heqë nga mendja dhe ta bësh që çdo ardhje e tij të jetë interesante dhe diçka e dëshiruar për të”, na shpjegoi Zanevi.

“Unë jam rritur në Geriatri”, thotë në shaka e sipër Zanevi. (Foto: Gj. Liçovski)

Zanevi tha se ai është i punësuari i vetëm me invaliditet në Spital dhe se personat me shikim të dëmtuar punojnë në Entin për rehabilitim mjekësor në Kozle.

“Trajtimi që kanë fizioterapistët e Entit është krejt ndryshe. Sikur ta kenë të ngulitur në mendjen e tyre se një fizioterapist që nuk sheh mund të bëjë vetëm masazh dhe kaq. Unë nuk jam aspak dakord. Të gjithë ne kemi kaluar të njëjtin proces arsimor, të njëjtën literaturë, të njëjtat pjesë praktike. Këtu fizioterapisti trajtohet me mirëkuptim dhe pranim. Personat me invaliditet duhet të pranojnë se gjatë jetës do të mbajnë një barrë më të madhe. Kjo ka të bëjë edhe me shoqërinë ku jetojmë”, thotë fizioterapisti Zanev.

Nga eksperienca shumëvjeçare në Spital, Zanevi thotë se para disa vjetësh ka pasur një paciente në “Sju Rajder” e cila ka pasur një frakturë në ijë dhe ka qenë e palëvizshme.

“Kishte një dëshirë të madhe që të ngrihej dhe të jetonte. Me punë të vazhdueshme ia doli. Ky është një vërtetim se nuk është e vërtetë se njerëzit që vijnë këtu vijnë dhe nuk kthehen më. Ky është një institucion ku njerëzit mund të arrijnë të përmirësojnë shëndetin e tyre dhe pastaj të kthehen në shtëpi”, thotë Zanevi.

B. NESTOROSKA 

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира