Artistja Hristina Ivanovska nga e mërkura punon plot tetë orë në ditë, nga ora 8:30 deri në 16:30 në një prej sallave të Muzeut të artit bashkëkohor (MAB), vetëm me një shishe ujë, një senduiç dhe një pauzë për të shkuar në tualet.
Bëhet fjalë për një performansë artistike të saj, e quajtur “Akumulim i lehtë i kapitalit” (Лесна_Акумулација на капитал), një titull i cili pjesërisht është marrë nga libri i autores Roza Luksenburg “Akumulim i kapitalit”.
Projekti hulumtues i Ivanovskës është pjesë e ekspozitës “Gjithçka që kemi të përbashkët” (Сѐ што ни е заедничко), e cila u hap sot në orën 20. Kuratore të ekspozitës ishin Mira Gaqina dhe Jovanka Popova. Me anë të instalacioneve artistike, videove, skulpturave, performansës dhe fotografive do të paraqiten 12 autorë dhe artistë të mirënjohur botërorë nga Maqedonia, të cilët mbajnë ekspozita në qendra të njohura artistike nëpër botë.
Ivanoska tashmë për 20 vjet punon në një art i cili merret me çështjen e emancipimit. Me anë të këtij projekti, thotë ajo, në kushtet e njëjta, ka dashur të ndjejë vetë “në lëkurën e saj” se si është jeta e grave që punojnë në industrinë e tekstilit.
Ekipi i SAKAMDAKAZAM.MK e takoi Ivanoskën ndërkohë që ishte ngjitur në një skelë dhe po ngjyroste boshllëqet mes shkronjave në një prej mureve të Muzeut. Në këtë mural është shkruar tituli i vepërs artistike “Akumulim i lehtë” (Лесна-Акумулација) në maqedonisht dhe anglisht.
“Unë punoj me duar, ashtu siç kanë punuar artistët në kohën e socializmit, kur kanë qenë të angazhuar për të zbukuruar një ambient. Teksti është shkruar me ngjyrë të bardhë, kurse mes shkronjave, në këtë hapësirë negative unë kam përdorur ngjyrën blu, apo ngjyrën e mantelit të punonjësve. Bëj punë intensive, me një shishe ujë, një senduiç dhe një pauzë për në tualet. Ideja ime është të mund të shihet se sa shumë punohet dhe se sa mund i madh fizik dhe psikik kalon një punonjës i tekstilit në Maqedoni, sipas deklaratave, analizave dhe mediave”, na tha artistja.
Pjesë e instalacionit do të jetë edhe marrëveshja e nënshkruar nga ajo dhe MAB, sipas së cilës, gjatë atyre gjashtë ditëve të punës, Muzeu do t’i paguajë një të katërtën e rrogës minimale shtetërore në total bruto, sipas Ministrisë për punë dhe politikë sociale.
“Nga kjo shumë, unë do të kthej 30 përqind në llogarinë e MAB, pasi kjo është në të vërtetë edhe shuma që ia kthejnë punonjëset e tekstilit shefit të tyre. Sipas llogarisë sime të përgjithsme, kjo është rreth 1.500 denarë. Llogaria do të mbajë titullin e veprës dhe ideja ime është ajo të funksionojë si një fond për mbledhjen e mjeteve nga qytetarët, institucionet dhe firmat, që më vonë të mund të përdoren për projekte të këtilla artistiko-hulumtuese të autoreve femra në Maqedoni”, u shpreh Ivanoska.
Përballë muralit është vendosur një pëlhurë, në të cilën ajo punon paralelisht duke qëndisur tekste. Kemi të bëjmë me tekste të ndryshme që flasin mbi punën, se çfarë do të thotë ajo në kontekstin shoqëror, në kontekstin shtetëror dhe se ku gjendet në mesin e saj puna artistike si dhe se sa vlerësohet ajo. Këto janë thënie, fjali të reja, tekste frymëzuese të cilat Ivanovska i ka lexuar më parë apo që lexon tani nga materialet që ajo përdor.
“Para disa ditësh fillova edhe të punoja me një tekst që në fillim e kisha menduar të ishte një deklaratë e shkurtër në lidhje me veprën time, por u zhvillua në një tekst më të gjatë, pasi tema është komplekse dhe konsideroja se duhet të thuhen më shumë gjëra. Vetë puna ime si një artiste prej tashmë 20 vjetësh vërtitet rreth çështjes femërore, asaj të emancipimit dhe të qasjes së barabartë në sektorin publik. Gjithnjë kjo punë është mbështetur nga hulumtime dhe informacione sa më të sakta, me leximin e literaturës adekuate, pasi konsideroja dhe ndjeja se kjo duhet të vazhdojë si një lloj teksti më i gjatë. Teksti i tërë gjendet më vete, ndërsa në pëlhurë do të qëndis ndonjë pjesë të tij.
Ivanovska thotë se sot do të punojë në ndërrimin e dytë dhe sipas marrëveshjes puna e saj do të përfundojë më 24 dhjetor.
“Shpresoj se do të arrij të përfundoj gjithçka. Në marrëveshje ekziston një klauzulë ku thuhet se Muzeu mund të më angazhojë përsëri në rast se ka nevojë.”, thotë Ivanoska.
Sot, në ora 19 pesë artistë nga “Gjithçka që kemi të përbashkët” (Се што ни è заедничко), të cilët mbërritën në Shkup, Anton Vidokle, kolektivi artistik “Çto delat” (Dmitri Vilenski dhe Nikollaj Oleinikov), Xhulieta Aranda, Artur Zhmijevski dhe Daniell Garsia Anduhar si dhe tre artistë nga Maqedonia Hristina Ivanovska, Nada Prlja dhe Gjorgje Jovanoviq do të bëjnë një shëtitje të organizuar nëpër muze dhe gjithsecili do të japë një shpjegim të shkurtër mbi konceptimin dhe rëndësinë e veprës së tij.
B. NESTOROSKA