Në rrugën Bogdan Karakostev, 97 në Veles, jeton vetëm familja Durmishovski. Nga shtëpia e tyre duket një pamje jashtë mase e bukur e pjesës së vjetër të qytetit, në pamje shumë e shtrenjë dhe e vlefshme. Veç asaj, në këtë familje strehuese të Velesit mbizotëron harmonia, dashuria, miqësia e cila nuk ka çmim. Përveç Isamilit dhe Benas Durmishovskit, me ata janë bashkë edhe katër fëmijë nën strehim, 2 vjeçari Emanuel, i cili jeton me ta që kur ishte 6 muaj, Sefanka ka një muaj, Gjylberaj ka 15 dhe Miradija 12 vjet.
Ismaili ka punuar në “Porcelankë” e Velesit dhe tani është pensioner. Si familje strehuese kanë filluar nga viti 2004 dhe ka vazhduar deri më sot, plot 14 vjet.
“Rrjedhim nga një familje ku mbretëronte dashuria, sidomos dashuria ndaj fëmijëve. Nuk jemi mësuar të jetojmë vetëm. Ne lindëm tre fëmijë – një djalë dhe dy vajza, të gjithë të martuar dhe kemi nipër dhe mbesa. Biri, Irfani, jeton me mua në shtëpi dhe ka pranuar të jetë kujdestar. Ka dy fëmijë bilogjikë dhe tre nën kujdestarinë e tij, kështu gjithsej në oborr kemi nëntë fëmijë. Për ne të gjithë janë të njëjtë, për të gjithë kemi dashuri, mirëkuptim dhe përkujdesje”, thotë Ismaili i cili ka 64 vjet, ndërsa gruaja e tij 60.
Përgjatë këtyre 14 vjetëve të shkuar, famija Durmishovski kanë rritur 37 fëmijë. Aq kanë dalë nga shtëpia e tyre. Disa kanë mbetur më gjatë, të tjerë kanë ndenjur përkohësisht, por që të gjithë kanë lënë gjurmë në zemrat e tyre. Kanë pasur rast të ruajnë dhe nëna me fëmijë viktima të një dhune familjare dhe probleme të tjera. Atje kanë ndenjur për rreth dy muaj dhe janë larguar.
“Një shtëpi e mbushur me fëmijë për ne është gëzim i madh. Unë kurrë nuk i ndaj fëmijët. Shtëpia jonë është gjithmonë e mbushur me të qeshura, asnjëherë nuk jemi të nevrikosur, nuk zihemi, por jetojmë me shumë dashuri. Kur ata shkojnë në shkollë, shtëpia duket bosh. Më duhet t’i falenderohem arsimtarëve dhe profesorëve, pedagogëve të tyre, të cilët nuk kursehen që t’u ndihmojnë, pasi në shpi nuk mund t’u ndihmojmë aq shumë për mësimin. Në shkollë janë të shkëlqyer”, thotë Benasi.
Ajo përkujdeset për vaktet dhe për ushqimin nuk ka asnjë lloj problemi, të gjithë hanë atë që është gatuar, nuk ekziston nuk dua, nuk ha. Të gjithë fëmijët janë mirë të disciplinuar, gjatë vizitës erdhën për t’u përshëndetur me shumë mirësjellje dhe vazhduan të luanin. Higjiena e shtëpisë është në një nivel të lartë, për të përkujdesen të gjithë, pa përjashtim. Fëmijët shoqërojnë Ismailin gjatë pazarit dhe ndihmojnë pa hezitim.
Më i riu, Emanueli, i bie pianos në shkollën e muzikës, dhe edhe pse në shtëpi ata nuk kanë piano, ai fiton në gara në Maqedoni, Serbi, Bullgari.
“I mësojmë për jetën, të dinë se çfarë i pret. E kemi të vështirë kur duhet të largohen, na dhemb shumë. Por e dimë se i përkasin një familjeje tjetër dhe se një ditë ata do të ikin. Disa nga fëmijët i dinë prindërit e tyre biologjikë. Mes fëmijëve nuk ka ndarje në bazë nacionaliteti. Një vajzë është maqedonase, tre të tjerat rome, por e rëndësishmja është që mes vete janë vëllezër dhe motra. Flasim në gjuhën maqedonase edhe pse jemi romë, fëmijët nuk rrinë dot njëri pa tjetrin, janë të pandashëm. Dalin në çarshi me shoqe dhe në ora 22.30 janë në shtëpi, asnjëherë nuk kanë pasur probleme”, thotë Durmishovski.
Edhe pse shtëpia është e mbushur me vrullin e fëmijëve, të gjithë kanë rregull, i dinë dhe i respektojnë detyrimet e tyre, i ndihmojnë “gjyshe Benas”, siç e thërrasin. Nuk ka as zënka rreth programit televiziv, nëse njëri është duke shikuar një seri apo film edhe të tjetër e shohin, apo nëse ka sport, nuk ka ndarje, zënka, mosmarrëveshje.
“Fëmijët nuk sjellin trishtim. Përkundrazi ata dinë si të gëzohen. Dinë t’ia nisin këngës e të kërcejnë. Është mëkat që rrugët të kenë fëmijë të braktisur, prandaj le t’u ndihmojnë, e të përkujdesen për ta, jeta do t’u ndryshojë. Nëse ekziston dashuria ndaj fëmijëve, gjithçka është e mundur”, thotë Ismaili.
Një vajzë, nga fëmijët e parë që kanë ardhur te Durmishovski, tani më është e martuar, ka tre fëmijë dhe shpesh i viziton.
“Kjo është mirënjohja më e madhe për përpjekjen tonë që t’u ndihmojmë fëmijëve atëherë kur ata e kanë më të vështirë, duke qenë se braktisen nga prindërit”, thonë bashkëshortët Durmishovski.
P. PEÇKOV