Personat nga Enti Edukues-Korrigjues (EK) “Tetovo” jetojnë të droguar me sedativë 24 orë në ditë, alarmon zëvendës Avokatja e popullit Vaska Bajramovska-Mustafa. Edhe pse pjesa më e madhe e 16 personave janë fëmijë, atyre u jepet një dozë prej 5-20 miligramë nga këta antidepresivë.
”Nga shqyrtimi i dosjeve mjekësore gjatë vizitës në korrik, është konstatuar se këta fëmijë nga Enti EK “Tetovo” marrin një terapi shumë të fortë sedativësh të shkruar nga mjeku amë në Entin shëndetësor Ohër apo nga një specialist, doktor, neuropsikiatër, psikiatër. Terapia përbëhet prej disa lloje të dozave brenda ditës, (sidomos në orët e mbrëmjes) me këto ilaçe: Diazepam, Heleks, Mendileks, Depakin, Risperidon etj, nga 5-20 miligramë në ditë, gjë e cila duke marrë parasysh moshën e fëmijëve është një dozë shumë e madhe”, thuhet në Raportin special të Avokatit të popullit të shkruar gjatë vizitës në Entin EK “Tetovo”.
Në vend të risocializimit, shkollimit dhe aktiviteteve, ekipi i ka gjetur fëmijët e përgjumur.
“Krijohet përshtypja se për shkak të dozave të forta të terapisë që marrin këta fëmijë, shumica e tyre nuk kanë përqëndrimin e duhur dhe ngjajnë si të shkëputur nga rrethi. Në këtë aspekt, është e domosdoshme që të kryhet vizita të shpeshta në kontroll nga ana e personave profesionistë – specialistë, mjekë, neuropsikiatra apo psikiatra, me qëllim që të vlerësohet mundësia për të zvogëluar dozat e terapisë mjekësore, duke marrë parasysh gjendjen dhe zhvillimin e tyre psikik.
Sjellja adaptuese dhe e kontrolluar nuk mund të arrihet vetëm me anë të zbatimit të terapisë mjekësore, por është e nevojshme që format e dëshiruara të sjelljes të zhvillohen edhe nëpërmjet trajnimit të aftësive dhe trajtimeve bihejviorale nga ana e personave profesionistë”, thotë Bajramovska-Mustafa.
Psikiatri për fëmijë dhe adoleshentë, i cili ka ardhur bashkë me ekipin e Avokatit të popullit në vizitën e entit, nga biseda që ka bërë me fëmijët më të përqëndruar se të tjerët, ka zbuluar se gjatë kontrollit mjekësor fëmija nuk ka një privatësi dhe kjo bën që të mos mund të shprehet lirshëm. Pra, gjatë kontrollit gjithmonë është i pranishëm edhe ndonjë person i sigurimit, i cili i ka dhënë përgjigjet në vend të fëmijës.
“Rrallëherë u jepet mundësia këtyre fëmijëve që t’i tregojnë përjetimet dhe ndjenjat e tyre. Që këtu arrijmë në konkluzionin se dozat nga mjekimet e rregullta dhe rregullimi i terapisë varen në një pjesë të madhe nga informacionet që psikiatri merr nga ata që e shoqërojnë fëmijën. Ky informacion nuk është adekuat për të dhënë një mendim mbi terapinë e nevojshme”, paralajmëron zëvendës Avokatja e popullit Vaska Bajramovska – Mustafa.
Nga shqyrtimi i Librit në të cilin mbahen terapitë ditore të cilat u jepen personave brenda Entit, ka dalë se disa prej tyre bëjnë rezistencë, gjegjësisht ndonjëherë nuk pranojnë që të marrin terapinë ditore. Një pjesë se personave i kanë thënë ekipit që i ka vizituar se refuzojnë të marrin terapinë ditore, pasi nga ajo ndjejnë një përgjumja dhe një plogështi e cila u shkakton mosfunksionimin e duhur. Avokati i popullit ka konstatuar se nuk ka një qasje multidisiplinare ndaj fëmijëve. Kuadri i vetëm specialist i cili është përfshirë në dhënien e një mbështetjeje profesionale dhe trajtimi kundrejt fëmijëve janë dy psikologë që sipas sistematizimit figurojnë si edukatorë.
Veç kësaj, konstatohet brenda Raportit, nuk janë përfshirë edhe edukatorët specialë, ndonëse ka pasur edhe persona që nuk kanë marrë një diagnozë të konfirmuar, por kanë treguar një pengesë intelektuale të kombinuar me atë psikike.
Për të gjitha këto gjendje që u vunë në pah nga Avokati i popullit, Drejtori i Drejtorisë për kryerjen e sanksioneve Jovica Stojanoviq thotë se është vepruar menjëherë sipas rekomandimeve të tij dhe se gjatë këtyre ditëve do të lajmërohet edhe me shkrim.
“Unë nuk do të lejoj që këto probleme të zvarriten me vite të tëra. Mbrojtja shëndetësore në institucionet edukuese-korrigjuese nuk është nën Drejtorinë dhe nën Ministrinë e drejtësisë, por sipas ligjit është nën Ministrinë e shëndetësisë. Janë marrë dhe masa që gjendja të rregullohet”, thotë Stojanoviq.
S. K. DELEVSKA