Në Ohër, në pushimoren “Daljan”, në afërsi të rrugës së vjetër për Strugë në dalje të qytetit, gjysma e të punësuarve janë shurdhmemecë. Nga katër të punësuarit në kuzhinë, tre janë shurdhmemecë, ndërsa ka edhe dy të punësuar me nevoja të posaçme të cilët kryejnë punë të dobishme brenda objektit.
Kjo pushimore funksionon në mënyrë specifike, pasi ka të punësuar me nevoja të veçanta, por edhe mysafirë të asaj kategorie personash. Drejtoresha e objektit “Daljan”, Sllavica Stefanovska shumë sinqerisht dhe me durim shpjegon se si funksionon kjo pushimore, e cila është e llojit të hapur dhe funksionon si hotel.
“Në kuzhinë kemi katër të punësuar, nga të cilët tre janë shurdhmemecë. Shumica pyesin veten se si funksionojmë. Salla e restorantit si nëpër hotelet e tjera, është e lidhur me kompjuter. Por ka një dallim. Në kompjuterin e sallës ka një dritë sinjalizuese. Në atë moment sinjali përçohet edhe në kuzhinë. Aktivizohet llampëza, personat që janë aty e aktivizojnë printerin. Lexojnë mesazhin, dhe kryejnë porosinë. Më pas vjen kamerieri për ta marrë”, thotë Stefanovska.
Punë specifike ka edhe mirëmbajtësja e dhomave të hotelit, e cila është gjithashtu shurdhmemece.
“Në hyrjet e dhomave ekziston një llampëzë sinjalizuese. Ajo e shtyp llampën që t’i lajmërojë mysafirët brenda dhomës. Nëse ata nuk janë persona me nevoja të veçanta, atëherë nuk ka nevojë për këtë lloj sinjalizimi”, thotë Stefanovska, e cila është sekretareshë e Shoqatës së personave shurdhë në Ohër.
Në pushimore kanë raport të veçantë ndaj personave të verbër. Mbahet llogari se në çfarë pjate do t’u vendoset sallata, ku qëndron piruni dhe thika si dhe për rendin e objekteve në dhomë. Sa u përket invalidëve civilë të luftës, mbahet llogari që të mos ketë pengesa nëpër rrugë dhe në dhoma. Në “Daljan” disa prej tyre për 30 vjet me radhë akomodohen në të njëjtën dhomë. E njohim çdo cep të pushimores dhe dhomës.
E pyeta drejtoreshën nëse mundej që dikush nga hoteli të më siguronte disa fotografi që të mos shqetësohen të punësuarit nëse shohin ndonjë të panjohur në kuzhinë.
“Jo”, më tha, “mund t’i bëni vetë fotografitë, ata do të gëzohen për faktin se dikush është kujtuar për ta e se dëshiron të shkruajë diçka për punën e tyre”, më tha Stefanovska.
Të punësuarit në kuzhinë u treguan shumë të ngrohtë dhe iu gëzuan vizitës sime. Ishin duke përgatitur drekën, të veshur me veshje shumë të pastra të bardha, por para se t’i fotografonim, i kërkuan drejtoreshës në gjuhën e shenjave që të prisnim pak. Pas pak erdhën me veshje të re, të rregullt e të pastër.
“Bota jonë nuk është e njëjtë me botën e tyre. Ata jetojnë në një botë heshtjeje. Duhet të futemi brenda saj. Ata nuk dëgjojnë, nuk mund të flasin, por e ndjekin gjuhën e trupit shumë mirë dhe në bazë të saj nxjerrin konkluzione se për çfarë njeriu bëhet fjalë”, thotë Stefanovska.
“Në Maqedoni ekziston një shkollë fillore dhe një shkollë e mesme për shurdhmemecë. Por shkolla e vërtetë për punë turistike e kanë objektet e hotelerisë. Këtu, kishim përfaqësues të manifestimit “Veshta zhena” (Grua e shkathët) ku të punësuarit tanë mësuan shumë nga zanati.
Edhe pse pushimorja është e llojit të hapur dhe funksionin si hotel, aty nuk para organizohen seminare apo aktivitete të firmave dhe organizatave joqeveritare.
“Ne sugjerojmë që firmat e Maqedonisë, në vend që të paguajnë hotele të shtrenjta, të organizojnë seminare dhe konferenca te ambientet tona. Sidomos kur bëhet fjalë për organizata joqeveritare të cilat trajtojnë problematikën e personave shurdhmemecë. Për fat të keq, ata nuk vinë në pushimoren tonë edhe pse ne i kemi të gjitha kushtet për qëndrim cilësor”, thotë Stefanovska, duke shtuar se kërkojnë ndihmë pasi me vite të tëra përpiqen të gjejnë mënyrë që të ndërtojnë një fushë lojërash në kopshtin e pushimores, siç kanë shumë lagje të Ohrit.
Në të shkuar na përcolli kujdestari i pushimores duke na përshëndetur me gjuhën e shenjave e na tha që të vinim përsëri.
D. ÇUBRIQ