Në shtet nuk ka mungesë të gjakut edhe pse vazhdojmë të kemi krizën e koronës, thotë drejtori i Institutit për mjekësi transfuziologjike (ITM), dr Sedulla Useini dhe dr. Goran Andonov, udhëheqës i Departamentit të organizimit, planifikimit dhe realizimit të dhurimit të gjakut në ITM. Dr. Andonov thotë se që në fillim të krizës, në mars, kanë qenë në pritje të kohërave të vështira dhe janë marrë vesh që të marrin disa masa për të parandaluar mungesën e gjakut nga ana e dhuruesve. Instituti ka plan vjetor ku planifikohen mbi 800 aksione dhe 55 mijë dhurime gjaku, thotë ai. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka pasur 20 mijë dhurime të gjakut.
“Ne punojmë sipas këtij plani qe 10 vjet. Është plan i përpunuar dhe mund të ketë ndryshime, ashtu si në këtë situatë. Në asnjë moment, që nga fillimi i krizës së koronës nuk ka pasur apel për mungesë të gjakut. Ndoshta një mungesë të tillë kanë pasur vetëm sa u përket trombociteve, por kjo ndodh sepse trombocitet jetojnë vetëm pesë ditë.
Dr. Andonov thotë se personalisht bën më të mirën e mundur që gjatë 10 vjetëve të fundit të mos ketë asnjë dhurues familjar. “Do të bëjmë ç’të jetë në fuqinë tonë, vetëm që të mos përfshihet familja”, thotë dr. Andonov, i cili edhe vetë ka dhuruar gjak mbi 80 herë.
Dr. Useini thotë se në Shkup për momentin ka 500 njësi të gjakut, dhe 1.500 janë në gjithë shtetin.
“E vërtetë, tani është ulur numri i operacioneve, përveç rasteve urgjente”, thotë ai dhe shton se nëpërmjet sistemit dhe tabelave, situata e gjakut në gjithë shtetin ndiqet në mënyrë të rregullt.
Useini dhe Andonovi thonë se në fillim të koronakrizës kanë pasur vështirësi me gatishmërinë psikologjike të njerëzve nga frika se mos infektohen, por kur ata kanë dhënë shembullin e tyre bashkë me shumë mjekë të tjerë, gradualisht njerëzit kanë marrë guximin dhe kanë filluar të dhurojnë njësi gjaku.
“Nga 20 mijë dhurues të gjakut, nuk ka pasur asnjë të infektuar. Te ne nuk ka shans që të hyjë dikush me temperaturë trupore mbi 37 gradë. Kudo që shkojmë si ekip në terren, për shembull në komunë, në fabrikë, gjithmonë gjysmë ore përpara dizinfektohet e gjithë hapësira, pastaj vendoset pajisja, shtretërit, përcaktohet radha e dhuruesve, matet temperatura trupore, mbahet distanca dhe mbahen maskat, thonë transfuziologët.
Instituti së bashku me Kryqin e kuq ka vendosur të bëjë një strategji se si të zhvillojë dhurimin e gjakut në popullata të caktuara, nëpërmjet ngritjes së vetëdijes.
“Konsideroj se gjatë 2-3 viteve të fundit kemi arritur goxha sukses, sidomos në pjesën perëndimore të shtetit, me Kryqin e kuq Tetovë, Gostivar dhe Kërçovë, si dhe me Qendrën rajonale për transfuziologji në Tetovë. Ata organizojnë aksione të dhurimit të gjakut çdo të premte pas ritualit fetar dhe kjo është treguar të jetë sukses i madh” tha derjtori, i cili është transfuziolog dhe hematolog.
Analizat tregojnë se mesatarja e moshës së shtetit është mjaft e lartë – 47 vjeç. Për këtë arsye Instituti ka përgatitur një projekt në mënyrë që të jenë më të pranishëm nëpër shkollat e mesme për nxënësit që kanë mbushur 18 vjet dhe nëpër fakultete.
“Targeti ynë janë shkollat e mesme dhe popullata shqiptare. Qytetarët më të moshuar kanë sheqer, tension të lartë, trigliceride, plazmë të yndyrshme, e cila duhet të hidhet. Prandaj duam që tek të rinjtë të krijojmë mendimin se është privilegj të jesh dhurues gjaku. Maqedonia aktualisht ka plazmë gjaku shtesë, e cila ruhet në dhoma speciale me temperatura prej minus 30 gradë dhe mund të qëndrojë deri në 3 vjet.
Sa i përket dhurimit të plazmës konvalescente për mjekimin e të sëmurëve me kovid-19, Useini thotë se deri më sot janë mbledhur 65 njësi dhe janë shfrytëzuar 56 njësi për pacientët me sëmundje aktive kovid 19.
“Kjo nuk është procedurë standarde dhe në botë vazhdon të njihet si procedurë në hulumtim e sipër. Për momentin është terapia e vetme për koronavirusin. Deri më tani kemi 300 të paraqitur, por bëjmë aq sa kemi kërkesë nga Klinika infektive dhe së shpejti edhe nga Spitali i përgjithshëm i qytetit “8 Shtatori”. Ajo ruhet në minus 20 gradë dhe mund të qëndrojë për gjashtë muaj”, thotë drejtori.
“Për ne, të gjithë dhuruesit e gjakut janë heronjtë e kohës moderne”, thotë dr. Andonov.
B. NESTOROSKA