NJË GRUA NGA KUMANOVA STREHON NË SHTËPINË E SAJ FËMIJË PA PËRKUJDESJE PRINDËRORE, NDËRSA PARATË QË FITON NGA SHTETI I RUAN PËR TË ARDHMEN E TYRE

NJË GRUA NGA KUMANOVA STREHON NË SHTËPINË E SAJ FËMIJË PA PËRKUJDESJE PRINDËRORE, NDËRSA PARATË QË FITON NGA SHTETI I RUAN PËR TË ARDHMEN E TYRESuzana Veliçkovska bashkë me të shoqin për tetë vjet ka strehuar në shtëpinë e saj gjithsej 10 fëmijë pa përkujdesje prindërore (Foto: SDK.MK)

Kumanovarja Suzana Veliçkovska, për tetë vjet përkujdeset për fëmijë pa përkujdesje prindërore  në shtëpinë e saj në lagjen Karposh. Deri më tani ka strehuar 10 fëmijë, ndërsa kompensimin që i paguan shteti, ajo nuk e shpenzon, por e kursen për të ardhmen e fëmijëve. 54 vjeçarja Veliçkovska thotë se në 2010, bashkë me të shoqin kanë vendosur të bëhen një familje e cila do të strehonte fëmijë pa prindër, pasi e kishin humbur betejën për të pasur fëmijë biologjikë, si dhe e kishin kaluar moshën për të adoptuar.

Por, meqenëse nuk kanë dashur që të kalojnë jetën pa fëmijë, kanë shkuar në Qendrën për punë sociale në Kumanovë dhe kanë hapur shtëpinë e tyre për fëmijët që kanë mbetur pa një përkujdesje adekuate nga prindërit e tyre.

“Atëherë isha 45 vjeçe. Kur më thërritën që të merrja fëmijët e parë, isha ende në punë. Isha e emocionuar, e lumtur, njëkohësisht edhe e frikësuar. Ishin dy vajza, dy motra, 3 dhe 5 vjeç, të cilat kishin nevojë për strehim deri sa të zgjidhej gjendja familjare. Mbetën shumë shkurtimisht, vetëm disa ditë, por qëndrimi i tyre ishte vulosje se kjo shtëpi kurrë nuk do të ngelte pa fëmijë”, thotë Veliçkovska.

Në Kumanovë vetëm tetë familje strehojnë 16 fëmijë pa prindër, që është një numër i vogël, duke qenë se sidomos në vendet e vogla ka numër shumë më të madh të familjeve strehuese. Më shumë se gjysmën e këtyre fëmijëve e ka marrë nën kujdestari pikërisht familja Veliçkovski.

Mes dhjetë fëmijëve të strehuar, ka pasur fëmijë nga të gjitha moshat, statuset shoqërore dhe kombësitë, nga qyteti dhe fshati. Disa prej tyre kanë qenë viktima të dhunës në familje. Nevoja e tyre e përbashkët ka qenë nevoja për dashuri dhe përkujdesje dhe kjo familje është përkujdesur që t’i kalojnë të gjitha traumat që jeta u ka shkaktuar duke u dhuruar dashurinë që meriton çdo fëmijë.

“Me ardhjen e fëmijëve jeta jonë mori një dimension tjetër, ndërsa shtëpia na u mbush me lumturi. Në vend të vetmisë dhe problemeve, përditshmëria jonë tani është e mbushur me gjallëri dhe gëzim. Në shtëpinë tonë nuk kanë ardhur vetëm fëmijët, por edhe shokët e tyre nga lagjja dhe shkolla. Bashkë me ta erdhën kënga, hareja, të qeshura e të qara…Jeta na u mbush me shumë aktivitete, festa, ditëlindje. Në mjedisin tonë edhe ne u bëmë më të respektuar”, thotë Veliçkovska.

Në fillim të vitit, pas katër vjetëve nga shtëpia e tyre kishin ikur vëlla e motër nga një fshat i Kumanovës dhe kanë mbetur vetëm dy motrat e moshës nga 13 deri 15 vjet, të cilat kanë jetuar bashkë me ta për 8 vjet. U rritën dhe u bënë fëmijë të edukuar dhe nxënës të shkëlqyer. “Arritëm rezultatet me shumë përpjekje dhe punë. Unë jam në kontakt të përditshëm me arsimtarët dhe shërbimet profesionale të shkollës. Me fëmijët punoj gjatë ditës, ndërsa në mbrëmje përkujdesem për punët e shtëpisë. Mbaj përgjegjësinë e madhe për t’u ofruar fëmijëve më të mirat. T’i kapërcejnë momentet e vështira që kanë pasur në jetë dhe t’i gëzohen jetës si të gjithë fëmijët e tjerë. Kam një mbështetje të madhe edhe nga shërbimet profesionale në Qendrën për punë sociale në Kumanovë, nga shkolla “Magdalena Antova” dhe punëtorët shëndetësorë të ambulancës të vendit ku jetojmë. Të gjithë fëmijët e mi kanë qenë nxënës shembullor dhe unë jam shumë krenare me ta. Tani, motra më e vogël po përgatitet për një garë në gjeografi.  Shpresoj që të rriten dhe të bëhen njerëz të suksesshëm, që një ditë do të ndihmojnë prindërit dhe familjet e tyre, pasi në momentet më të vështira vetëm fëmijët janë pranë prindërve”, thotë Veliçkovska.

Ajo thotë se frika se si do të gjendej në situata të caktuara  ka qenë shumë më e madhe se ajo që kanë prindërit biologjikë ndërkohë që përkujdesen për fëmijët e tyre.

“Vjet në mars të gjithë fëmijët u sëmurën nga lia. Sa nisën në semestrin e parë, në fillim u sëmur njëri pastaj të gjithë të tjerët. Temperatura u hipte madje deri në 40 gradë. Më flinin në gjoks që t’i dëgjoja nëse ishin mirë apo jo, kisha frikë se mos u ndodhte diçka e keqe. Është punë e madhe të kesh përgjegjësi për të ruajtuar një fëmijë të dikujt tjetër. Jam ndodhur në situata që më janë duhur të pazgjidhshme dhe se nuk mund të përballesha me problemet. Por me kalimin e kohës dhe me shumë përpjekje dhe ndihmë nga autoritetet, ia dola. Kisha një fëmijë me probleme shikimi, shikonte shtrembët. Çdo verë e çoja në Shkup për terapi, paguaja shuma të mëdha për taksi  dhe një operacion laser për përmirësimin e shikimit. Ia dolëm që të mund t’i largonte syzet dhe të shikonte normalisht”, thotë Veliçkovska.

Suzana Veliçkovska me ekipin profesional të Qendrës për punë sociale, për promovimin e projektit të UNICEF-it, çdo fëmijë meriton familje (Foto: SDK.MK)

Ajo nuk e fsheh faktin se kjo është një punë shumë e vështirë që kërkon shumë përgjegjësi për t’ia dalë mbanë me të gjitha rreziqet, por gjithsesi ajo shprehet se më e vështira nga të gjitha është ndarja me fëmijët, kur ata kthehen te prindërit e tyre ose kur i japin për adoptim. Por, pothuajse të gjitha vazhdojnë ta vizitojnë dhe ajo vazhdon ta mbajë lidhjen me prindërit dhe kujdestarët.

“I dua shumë fëmijët, i respektoj, i mësoj dhe i edukoj, por nuk e di se ku e kanë kufirin. Asnjëherë nuk e përjetova lumturinë që të jem nënë, por nëpërmjet këtyre fëmijëve ndjehem si prind i dytë. Kam një bashkëpunim të shkëlqyer me prindërit e tyre biologjikë dhe punojmë së bashku që këta fëmijë t’i nxjerrim në rrugë të drejtë. Ata janë me mua deri në momentin kur kanë nevojë, deri atëherë kur qendra dhe prindërit vendosin të kthehen, atëherë unë largohem”, thotë ajo.

Suzana nuk dëshiron të flasë për vendimin me të shoqin që mjetet t’i fitojnë nga shteti dhe të mos i shpenzojnë, por i kursejnë për fëmijët dhe u ndihmojnë edhe atëherë kur largohen nga familja e tyre. Thotë se kjo është një gjë e vogël dhe nuk ia vlen të përmendet, pasi ekzistojnë edhe kujdestarë të tjerë që nuk e kanë gjendjen ekonomike aq të mirë sa ata.

“Dashuria nuk blihet me para. Ne nuk duam t’u ndihmojmë atyre fëmijëve. Unë kam punuar dhe kam pasur rrogë. Po të kisha dashur rrogë, por të kisha punuar vetë aty. Edhe bashkëshorti im ka rrogë. Ne kemi mjaftueshëm për ne të dy. Duam t’u ndihmojmë, ndërsa përderisa ka ndonjë fëmijë që dëshiron të mbetet me ne, ne do ta pranojmë me kënaqësi deri në fund të jetës”, thotë ajo.

Veliçkovska, me rastin e Ditës së Komunës së Kumanovsë 11 Nëntor, nga kryetari i Kumanovës  Maksim Dimitrievski fitoi një mirënjohje për kujdestar për fëmijë pa përkujdesje prindërore. Ajo thotë me krenari se ky çmimi është një nderi i madh, pasi dikush e ka vlerësuar përpjekjen e saj. Në këtë mënyrë e dedikon çmimin fëmijëve, pasi është merita e tyre. Kjo grua humane thotë se do të vazhdojë t’u ndihmojë fëmijëve deri sa të ketë shëndet të mirë. Derisa lejon ligji. Prandaj u bën thirrje të gjitha familjeve që kanë mundësi të hapin shtëpinë e tyre dhe zemrat e tyre për këta fëmijë, pasi kjo gjë do t’u sjellë vetëm gëzim dhe përmbushje në jetë, pasi po ndihmojnë krijesa me të cilat fati nuk është treguar aq i drejtë.

Suzana Veliçkovska me rastin e Ditës së Komunës së Kumanovës 11 nëntor, mori një mirënjohje nga ana e kryetari të komunës Maksim Dimitrievski (Foto: SDK.MK)

Ministria për punë dhe politikë sociale bashkë me UNICEF-in gjatë kësaj vere ka nisur një fushatë për të nxitur qytetarët të bëhen kujdestarë në mënyrë që fëmijëve pa përkujdesje familjare të mund t’u sigurohen kushte sa më të përafërta me mjedisin e familjes.

S. NIKOLIQ

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира