Produktet e higjienës menstruale (peceta, tamponë etj), do të kenë normë tatimore preferenciale prej 5 përqind, lajmëroi kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe tha se ky është kontribut i qeverisë në luftimin e varfërisë menstruale. Me uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar nga 18 në 5 përqind të prodhimeve menstruale, do të bjerë çmimi i tyre në treg.
“Bazuar në iniciativën e një grupi deputetësh dhe të sektorit civil, me konceptin e ri të reformës tatimore, kemi arritur në një vendim i cili do të mundësojë disponueshmëri më të madhe të këtyre prodhimeve për të gjitha gratë dhe vajzat pavarësisht nga pozita e tyre ekonomike dhe fuqisë blerëse”, tha Kovaçevski.
Gjatë viteve të kaluara disa organizata dhe shoqata joqeveritare kanë hulumtuar dhe apeluar në mënyrë të përsëritur tek institucionet se duhet të ketë një përjashtim ose ulje të plotë të TVSH-së për këto produkte. Ata gjithashtu apelojnë që buxheti i shtetit të ketë produkte falas për nxënëset e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe të jenë të disponueshme në tualetet publike në të gjithë vendin.
MARINA KOSTOVA