Hipomagnezemia, hiperkalciuria dhe nefrokalcinoza familjare/Familial hypomagnesemiа, hypercalciuria and nephrocalcinosis
ICD: E 83.4
Prevalenca: 1/1.000.000
Hipomagnezemia familjare, nivelet e ulëta të magnezit në gjak e shoqëruar nga hiperkalciuria (rritje e sekretimit urinar të kalciumit) dhe nefrokalcinoza (akumulimi i kalciumit në veshkë) është një sëmundje e rrallë autosomale recesive e karakterizuar nga humbja e magnezit dhe zhvillimi i nefrokalcinozës dhe gurëve në veshka në fëmijërinë e hershme. Shpesh shoqërohet me insuficiencë progresive renale në fëmijëri ose adoleshencë. Pacientët kanë infeksione të shpeshta të traktit urinar, urinojnë në sasi të mëdha më shumë se 3 litra në 24 orë, kanë etje të shoqëruar me marrje të shtuar të lëngjeve, vonim të rritjes, dhimbje barku, humbje të shikimit, lëvizje të pakontrolluar të syve – nistagmus, dhe simptoma të tjera oftalmike. Diagnostikimi është zakonisht midis 1-8 vjet, dhe haset më shpesh tek vajzat sesa tek djemtë. Hipomagnezemia familjare u përshkrua për herë të parë në 1969, por u klasifikua në mënyrë të përshtatshme në 1987. Deri më tani, rreth 200 raste janë raportuar në literaturë.
Shkaqet:
Hipomagnezemia familjare me hiperkalciuri dhe nefrokalcinozë është një sëmundje autosomale recesive e shkaktuar nga mutacionet në gjenin që kodifikon proteinën klaudin-16 dhe gjenin që kodifikon proteinën klaudin-19.
Në varësi të faktit se cili prej dy gjeneve është me mutacion, simptomat do të varen, dhe përshkruhen dy nëntipe të kësaj sëmundjeje. Përkatësisht hipomagnezemia familjare me hiperkalciuri dhe nefrokalcinozë, dhe hipomagnezemia familjare me hiperkalciuri dhe nefrocalcinozë me përfshirje të syrit. Të dy proteinat janë të vendosura në krahun ngjitës të lakut Henle dhe luajnë një rol në rithithjen tubulare të magnezit dhe kalciumit në veshkë.
Përveç lakut Henle, proteina claudin-19 gjendet gjithashtu në epitelin e pigmentit të retinës, nga aty pasojnë simptomat që lidhen me shikimin.
Simptomat:
Infeksionet e shpeshta të traktit urinar tek këta pacientë shfaqen që nga fëmijëria e hershme. Përveç kësaj, shenjat më të zakonshme janë nefrokalcinoza, gurët në veshka, rritja e prodhimit të urinës, etja e madhe dhe marrja e lëngjeve, ngecja në rritje dhe zhvillim, dhe dhimbje barku. Te disa pacientë janë raportuar dhimbje dhe ngërçe muskulore për shkak të niveleve të ulura të magnezit. Me kalimin e kohës, më së shpeshti në adoleshencë, në disa raste dhe më vonë, në dekadën e tretë të jetës, sëmundja kulmon në insuficiencën progresive renale. Në rastet më të rënda, te pacientët me një mutacion të proteinës klaudin-19 zhvillojnë koloboma makulare, nistagmus dhe humbje të shikimit.
Diagnoza:
Diagnostikimi i kësaj sëmundjeje bazohet në një treshe simptomash: hipomagnezemia, hiperkalciuria dhe nefrokalcinoza. Një ekosonografi e traktit urinar tregon depozitimin e kalciumit në indet e veshkave. Ulja e kalciumit dhe rritja e acidit urik në gjak janë vetëm shenja shoqëruese. Në këtë sëmundje, nivelet e hormoneve paratiroide janë të larta para fillimit të sëmundjes kronike të veshkave. Ndryshimet e syve zbulohen me ndihmën e një ekzaminimi të hollësishëm oftalmologjik, dmth me ekzaminimin e fundusit. Sidoqoftë, një diagnozë përfundimtare bëhet me anë të konfirmimit gjenetik për një mutacion në gjenet klaudin-16 dhe klaudin-19. Trashëgimia është autosomale recesive. Këshillimi gjenetik duhet t’u ofrohet çifteve në rrezik (të dy individët janë bartës të mutacionit që shkakton sëmundjen) për t’u informuar se ka 25% mundësi për të lindur një fëmijë me këtë sëmundje. Diagnoza diferenciale përfshin sindromën Barter, hipokalceminë autosomale dominante, sëmundjen e Dent, acidozën tubulare renale distale, rakitizmin e trashëguar hipofosfatematik me hiperkalciuri dhe çrregullime tubulare që në përgjithësi shkaktojnë nefrokalcinozë të hershme.
Pasojat:
Pasoja e hipomagnezemisë familjare me hiperkalciuri dhe nefrokalcinozë është faza terminale e insuficiencës renale që shfaqet te 50% e pacientëve gjer në moshën 20 vjeçe. Pacientët me një mutacion të proteinës klaudin-19 kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje kronike të veshkave.
Trajtimi:
Trajtimi përfshin suplemente të magnezit si dhe diuretikë tiazidë për të zvogëluar sekretimin urinar të kalciumit dhe përparimin e nefrokalcinozës. Terapia ka për qëllim të vonojë progresin e sëmundjes kronike të veshkave. Transplantimi i veshkave është trajtimi optimal për këtë sëmundje. Te ata pacientë që vuajnë nga inflamacioni i rëndë i syrit, rekomandohet gjithashtu implantimi i thjerrëzës në sy.