JU NJOFTOJMË ME SËMUNDJET E RRALLA: SCHIMKE DISPLAZIA IMUNO-KOCKORE

JU NJOFTOJMË ME SËMUNDJET E RRALLA: SCHIMKE DISPLAZIA IMUNO-KOCKORE

Schimke displazia imuno-kockore/Schimke immuno-osseous dysplasia

ICD – 10: Q 77.7

Prevalenca: < 1/1.000.000

Schimke – Displazia imuno-kockore u përshkrua për herë të parë nga Dr. Robert Neil Schimke në 1971. Fillimisht u karakterizua si një çrregullim me shtat të shkurtër disproporcional, sindromë nefrotike, limfopeni dhe imunitet qelizor të dëmtuar. Sëmundja Shimke është shumë e rrallë. Rreth 50 raste janë raportuar në literaturë deri më tani, pa ndonjë predispozitë të dukshme gjinore, etnike ose gjeografike. Në Amerikën e Veriut, prevalenca vlerësohet në 1 në 1 – 3 milion lindje të gjalla.

Simptomat:

Rritja e ulët ndodh për shkak të ngjeshjes të rruazave që çon në shkurtimin e qafës dhe trupit. Lartësia e të rriturve është 136 – 157 cm për burrat, dhe 98.5 – 143 cm për gratë. Sëmundja renale paraqitet me sindromën nefrotike progresive kortikorezistente dhe shpesh çon në insuficiencë renale dhe nevojë për transplant. Zakonisht, shenjat e para të sëmundjes së veshkave janë proteinuria dhe hipertensioni.
Në sistemin imunitar, defekti është në imunitetin qelizor – nuk ka qeliza T të mjaftueshme. Këto qeliza janë të rëndësishme në identifikimin e substancave të huaja dhe në mbrojtjen kundër infeksionit. Si rezultat i kësaj mangësie, incidenca e infeksioneve kërcënuese për jetën është e madhe, gjithashtu shfaqen shpesh edhe sëmundjet autoimune.

Manifestimet më të zakonshme janë lordoza (lakimi i theksuar i shpinës së poshtme), njolla të errëta në lëkurë (hiperpigmentime) zakonisht në gjoks dhe shpinë, hundë me bazë të gjërë me majë bulboze.
Më rrallë haset akumulim i depozitave yndyrore ose indeve fibroze në murin e arteries (arterioskleroza), ishemia cerebrale, kokëdhimbje migrenoze, ulje e aktivitetit të tiroides (hipotiroidizëm), ulje e numrit të limfociteve (limfopeni), enteropati, anemi normocitike ose mikrocitike, legen hipoplastik, mikrocefali, azoospermi te meshkujt dhe menstruacione të parregullta te pacientët femra. Në raste të rënda, simptomat e sëmundjes janë të pranishme që nga lindja. Në ato më të buta, simptomat shfaqen më vonë në fëmijëri.

Tiparet fizike:

Shumica e personave të prekur kanë tipare të veçanta fizike. Këto përfshijnë flokë të hollë (60%), buzë të hollë të sipërme, hundë me rrënjë të thellë dhe të gjerë (68%), majë bulboze të hundës (83%) dhe rritje të ulët disproporcionale (98%). Karakteristikat shtesë përfshijnë lordozën lumbare (84%), barkun e fryrë dhe njollat e hiperpigmentuara (85%) në trup dhe herë pas here në qafë, fytyrë, krahë dhe këmbë.

Diagnoza:

Diagnoza bazohet në një vlerësim të kujdesshëm klinik, biokimik dhe radiologjik me osteopeninë, rruaza kurrizore me formë vezore dhe të ngjeshura, koka hipoplastike të femurit dhe acetabulume hipoplastike si karakteristika tipike radiografike. Testimi molekular mund të bëhet për të konfirmuar diagnozën.

Etiologjia:

Sëmundja Schimke shkaktohet nga mutacionet në gjenin SMARCAL-1 që kodon proteinën përgjegjëse për rimodelimin e kromatinës në kromozome.

Trashëgimia:
Mutacionet e gjenit SMARKAL-1 trashëgohen në mënyrë autosomale recesive, që do të thotë se rreziku i sëmundjes është më i lartë nëse mutacionet janë të pranishme në të dy kopjet e gjenit SMARKAL-1 në secilën qelizë. Secili prind i personave me sëmundje autosomale recesive, bart një kopje të gjenit të mutuar, por ata zakonisht nuk tregojnë shenja të sëmundjes. Është e nevojshme të ofrohet këshillim gjenetik për personat që janë bartës ose janë në rrezik për të qenë bartës të mutacionit, përfshirë diskutimin e rreziqeve të mundshme për pasardhësit dhe opsionet e riprodhimit. Diagnoza prenatale është e mundur kur varianti patogjenik është identifikuar më parë te një anëtar i familjes.

Trajtimi:

Për shkak se sëmundja prek më shumë sisteme organesh, menaxhimi i pacientit duhet të jetë multidisiplinar. Për pacientët me insuficiencë renale terminale, transplanti i veshkave është terapia e zgjedhur. Për shkak të imunodeficiencës, terapia imunosupresive pas transplantimit të veshkave shoqërohet me një rrezik për infeksione të rënda oportuniste. Për imunodeficiencën dhe anomalitë e tjera hematologjike, transplanti i palcës së kockave është trajtimi i zgjedhur.

Prognoza:

Shumica e pacientëve përfundojnë fatalisht në fëmijëri ose adoleshencë të hershme. Pacientët me forma më të buta dhe fillim të vonë të sëmundjes mund të jetojnë deri në moshën madhore. Në shumicën e pacientëve, jetëgjatësia është e kufizuar në fëmijërinë ose adoleshencën e hershme, për shkak të goditjes në tru, infeksioneve, insuficiencës së palcës kockore dhe asaj renale. Mbijetesa deri në pjekuri është raportuar tek pacientët me forma më të lehta dhe të mëvonshme të sëmundjes dhe menaxhim të suksesshëm të manifestimeve renale.

ЧИТАЊЕТО Е БЕСПЛАТНО.

АМА НОВИНАРСТВОТО НЕ Е.

Поддржете го слободното, независно, професионално новинарство. Новинарство со интегритет.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира