Sindroma e imunodefiçencës, centromerës jostabile dhe anomalive të fytyrës/ICF syndrome; Immunodeficiency, Centromere Instability and Facial Anomalies
ICD – 10: D 84.8
Prevalenca: <1/1.000.000
Ky sindrom i përket grupit të sëmundjeve imunodeficiente (mungesë imuniteti). Sëmundja së pari shfaqet në fëmijërinë e hershme me infeksione të shpeshta dhe karakterizohet nga tiparet karakteristike të fytyrës (hipertelorizëm – sy të gjëra, epikantus – palosje e lëkurës së qepallës së sipërme që mbulon cepin e brendshëm të syrit; veshë të ulët dhe makroglosi. – gjuhë e madhe), rritje dhe zhvillim i ngadalshëm, dhe pengesa në zhvillimin psikomotor. Niveli i imunoglobulinave është i ulët, dhe kjo vlen për të gjitha klasat e imunoglobulinave (IgA, IgM, IgG, IgE).
Sëmundja është e rrallë, me më pak se 50 pacientë në të gjithë botën, dhe u përshkrua për herë të parë në fund të viteve 1970. Vitet e fundit, numri i rasteve të diagnostikuara është rritur, duke treguar se sëmundja është më e shpeshtë nga sa mendohej.
Shkaqet, trashëgimia dhe këshillimi gjenetik:
Bëhet fjalë për një gjendje gjenetike autosomale recesive për shkak të varianteve patogjene në një nga gjenet e mëposhtëm: DNMT3B, CDCA7, HELLS, ZBTB24. Sëmundja trashëgohet në mënyrë autosomale recesive, që do të thotë se pacienti ka trashëguar nga një variant patogjen nga të dy prindërit të cilët janë bartës të shëndetshëm të sëmundjes (heterozigotë). Pacienti është ose homozigot (i njëjti variant gjenetik patogjen trashëgohet nga të dy prindërit) ose një heterozigot kompleks (një variant i ndryshëm gjenetik patogjen trashëgohet nga të dy prindërit). Probabiliteti që sëmundja të përsëritet në njërën nga shtatzënitë e mëpasshme në një familje ku ka një fëmijë me këtë sindromë, dhe të dy prindërit janë bartës, është 1 në 4 (ose 25%), dhe probabiliteti që sëmundja të mos përsëritet në ndonjë nga shtatzënitë e mëpasshme është 3 nga 4 (ose 75%).
Manifestimi klinik:
Imunodefiçenca – pavarësisht që qelizat B janë të pranishme, pothuajse të gjithë pacientët me këtë sindromë zhvillojnë infeksione të rënda në fëmijërinë e hershme, të gjithë kanë infeksione të rënda respiratore dhe rreth gjysma kanë infeksione gastrointestinale. Forma të tjera të infeksioneve janë perikarditi, infeksionet e veshit, sepsa dhe kandidiaza orale. Në laborator, imunodefiçenca manifestohet me një gamë, nga mungesa e lehtë e imunitetit gjer te agamaglobulinemia, me IgG, IgM dhe IgA të ulëta ose ata mungojnë krejtësisht. Gjysma e pacientëve kanë një numër të ulët të qelizave T, dhe një numër më i vogël i pacientëve mund të kenë një numër të reduktuar të qelizave B.
Tiparet specifike të fytyrës (dismorfia) – ndryshimet e fytyrës te kjo sindromë mund të jenë shumë të lehta dhe ndryshojnë nga pacienti në pacient. Shenjat më të zakonshme janë një urë e sheshtë e hundës, sy të gjerë, një palosje lëkure në qepallën e sipërme që mbulon cepin e brendshëm të syrit. Veshë të vegjël dhe një gjuhë e madhe janë më pak të zakonshme.
Paaftësia zhvillimore psikomotorike – rreth 1 nga 5 pacientë me këtë sindromë tregojnë shenja të paaftësisë intelektuale dhe/ose shenja neurologjike. Zhvillimi psikomotor është zakonisht i vonuar, dhe ndonjëherë janë të pranishme ataksia dhe hipotonia muskulore.
Diagnoza:
Diagnoza bazohet në dyshimin klinik të këtij sindromi, që sugjeron testimin citogjenetik me një kariotip standard – gjetja e strukturave kromozomale multiradiale mbështet diagnozën. Zakonisht thyerjet kromozomale janë pranë centromereve të kromozomeve 1, 16, dhe më rrallë 9, dhe krahët e këtyre kromozomeve marrin pjesë në formimin e strukturave multiradiale. Diagnoza përfundimtare e kësaj sëmundjeje bëhet nga testimi gjenetik molekular (testimi i synuar i një gjeni, testimi i më shumë gjeneve të lidhura me imunodefiçencat, ose testimi më i gjerë i ekzomës) dhe gjetja e homozigotit për një variant patogjen në një nga gjenet e lidhura ose dy patogjenë të trashëguar nga të dy prindërit. Te familjet ku të dy prindërit janë bartës të varianteve gjenetike patogjene të lidhura me këtë sindromë, diagnoza prenatale me biopsi korionike ose amniocentezë është e mundur. Vendimi për testimin prenatal merret përmes këshillimit gjenetik që ndihmon prindërit të marrin një vendim që është në përputhje me vlerat dhe besimet e tyre.
Trajtimi:
Trajtimi i kësaj gjendje pothuajse gjithmonë përfshin infuzione të rregullta të imunoglobulinave, gjatë gjithë jetës. Vitet e fundit janë bërë përpjekje për transplant të palcës kockore.