MJEKU U SHPËRNGUL NË GJERMANI, BURGU MBETI PA MJEK TË PËRHERSHËM

MJEKU U SHPËRNGUL NË GJERMANI, BURGU MBETI PA MJEK TË PËRHERSHËMLargimi i kuadrove profesional në shtetet e Evropës perëndimore ka lënë pa mjek të përhershëm burgun në fshatin Këshanje të Kumanovës, sepse mjeku i cili ka punuar deri para një muaj është larguar për të punuar në Gjermani; - Ish kryeministri Nikolla Gruevski hapi burgun në Këshanje më 30 shtator 2013 (Foto: MIA)

Burgu në fshatin Këshanje, në afërsi të Kumanovës më se një muaj nuk ka mjek të përhershëm dhe për shëndetin e të burgosurve tri herë në javë kujdesen mjekët nga Qendra Shëndetësore e Kumanovës. Sipas Avokatit të Popullit, kjo nuk është e mjaftueshme duke pasur parasysh se në burg qëndrojnë rreth 200 të burgosur, përfshirë edhe njerëz me probleme serioze shëndetësore dhe psikologjike, të cilët kanë nevojë për trajtim të vazhdueshëm.

“Shpesh kemi ankesa në lidhje me kujdesin shëndetësor në burg për shkak se ai nuk ofrohet me kohë dhe ky është një problem i madh për të burgosurit. Në ditët kur nuk ka mjek, nëse dikush ka probleme shëndetësore nuk ka kush ta ekzaminojë. Nga sektori i sigurisë nuk kanë ç’t’i bëjnë ndërsa, infermierja është aty vetëm për të shpërndarë terapinë. Duke pasur parasysh seriozitetin e çështjes për të mbrojtur shëndetin e të burgosurve, mendoj se ne duhet të kemi një mjek të përhershëm. Megjithatë, vendimi ligjor prej disa vjet më parë, lejon angazhimin e mjekut me marrëveshje dhe jo si më parë, kur burgu kishte mjek të punësuar të burgut brenda sektorit të kujdesit shëndetësor, thotë Avokati i Popullit nga Kumanova Naser Veseli.

Detyrimin për të siguruar mjekun e përhershëm në ambulantën e burgut në Këshanje e ka Ministria e Shëndetësisë përmes Qendrës Shëndetësore të Kumanovës, e cila ka lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë dhe Drejtorinë për Ekzekutimin e Sanksioneve për ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët në institucionet ndëshkuese – korrektuese dhe burgjet.

Drejtori i Qendrës Shëndetësore të Kumanovës Miomir Pankovski tha se burgu është pa një mjek të përhershëm për shkak se punonjësi i mëparshëm u largua për të punuar në Gjermani, dhe derisa të punësojnë një mjek të ri, tri herë në javë do të dërgojnë mjekë të ndihmës së shpejtë, në ditët kur janë të lirë.

“Nuk kemi numër të mjaftueshëm të mjekëve, kështu që nuk mund të dërgojmë një për të punuar vetëm në burg. Për këtë shkak, bëjmë kombinime me stafin që kemi për të mos lënë burgun pa kujdesin shëndetësor. Dërguam një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për të publikuar një konkurs për punësim të ri, por për shkak të zgjedhjeve dhe bllokadës së institucioneve në të kaluarën procedura u zgjat. Tani shpresoj se ministri i ri do të japë shpejtë pajtimin dhe se së shpejti problemi do të zgjidhet “, thotë Pankovski.

Nga burgu i Këshanjës, Kumanovë, thonë se pavarësisht se nuk ka asnjë mjek të rregullt, të burgosurit dhe personat në paraburgim marrin kujdes të rregullt dhe të duhur shëndetësor, ndërsa gjatë kohës kur nuk ka mjek, në thirrje vjen ndihma e shpejtë e Kumanovës dhe deri tani nuk ka pasur probleme me trajtimin e pacientëve. Nga burgu njoftojnë se pacientët dërgohen rregullisht për vizitat specialiste në spitalet në Kumanovë dhe Shkup, në burg 8 herë në muaj vjen një psikiatër dhe tri herë në javë vjen mjek i përgjithshëm me orar të plotë pune nga ora 8.30 deri 16.30, ndërsa infermierja punon çdo ditë dhe kanë një farmaci të pajisur mirë me medikamente.

Përkundrejt kësaj, Avokati i Popullit thotë se njerëzit ankohen se me muaj nuk i dërgojnë në spital dhe nuk janë të gatshëm t’i dërgojnë për operacion dhe iu thonë të presin përfundimin e dënimit.

“Shumë rrallë i lëshojnë, vetëm kur shëndeti i tyre rrezikohet dukshëm. Kishim një rast kur është ndërprerë dënmin për shkak të nevojës për operacion,” thotë Avokati i Popullit Veseli.
Avokati i Popullit të paktën dy herë në muaj viziton burgun Këshanje dhe ndonjëherë më shumë në varësisht nga ankesat e të burgosurve.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира