Vajza tetëmbëdhjetë vjeçare nga Shkupi, e cila është e pastrehë, këtë vit nuk ka arritur të nxjerrë letër njoftim, edhe pse është shtetase e Republikës së Maqedonisë dhe posedon çertifikatën e lindjes. Rastin e ka paraqitur në zyrën e Avokatit të popullit, i cili ka hapur lëndë dhe përpiqet të zgjidhë problemin e të gjithë atyre, që për arsye të ndryshme kanë mbetur pa adresë banimi dhe si pasojë nuk mund t’i nxjerrin dokumentet e nevojshme dhe t’i realizojnë të drejtat e tyre.
“Me vetë faktin që ky qytatar ka mbushur 18 vjet, ajo e ka për detyrim të nxjerrë letër njoftim, pasi kjo është normativë prekulizive dhe çdokush që nuk posedon letër njoftim dënohet me gjobë. Ajo u ankua te ne, pasi nuk mund të nxjerrë letrën e njoftimit, sepse nuk mund të vërtetojë se ku banon. Në shërbimin për punë administrative në Ministrinë e punëve të brendshme i kanë kërkuar vërtetim të noterizuar për adresën e saj, gjë që ajo nuk ka arritur të sigurojë. Kjo vajzë, përveçse nuk ka se ku të jetojë, ka mbetur edhe pa prindër. Në moshë më të vogël, prindërit i kanë nxjerrë nënshtetësinë dhe ka çertifikatën e lindjes”, thotë Suzana Saliu, zëvendës Avokati i popullit për gjendje të qytetarëve.
Ajo thotë që edhe pse bëhet fjalë për shtetas të Maqedonisë, me këtë pengesë administrative praktikisht vajzës së re i bëhet e pamundur t’i realizojë të drejtat për mbrojtje sociale dhe shëndetësore, të cilat i përkasin, si dhe hapja e një llogarisë bankare, apo mundësinë për t’u paraqitur në Agjencinë për punësim.
E drejta për dokument personal i përket çdo qytetari tonë. Prandaj kemi hapur lëndë dhe kemi kërkuar përgjigje nga Ministria për punë të brendshme, e cila iu referua Ligjit për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit.
Në iniciativën për ndryshim të urdhëresave të kontestueshme ligjore, të cilat zyra e Avokatit të popullit i ka ngritur deri te Ministria për punë dhe politikë sociale dhe Ministria për punë të brendshme, thuhet:
“Më shumë se 20 vjet pas sjelljes së tekstit të këtij Ligji, akoma zbatohet neni dy, i cili thotë që – një qytetar konsiderohet se ka siguruar vendbanim, në rast se ai apo një anëtar i familjes së tij ka vendbanim nën pronësinë e tij apo është me marrëveshje për qira në përputhje me ligjin”. Kjo urdhëresë bie në kundërshtim me nenin 35 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, pasi Republika ka për detyrë të kujdeset për sigurinë sociale të qytetarëve dhe t’u vijë në ndihmë të pafuqishmëve dhe personave invalidë. Në këtë kategori sigurisht që përfshihen edhe personat e pastrehë.”
Sipas Saliut, ndryshimet ligjore duhen bërë sa më shpejt. Pasi sipas të dhënave, Vetëm në Shkup ekzistojnë mbi 200 persona të pastrehë në Shkup.
“Kjo vajzë e re me të gjitha mundimet që përballet në jetë, në vend që të integrohet në shoqëri, shteti me administratën e tij po e margjinalizon krejtësisht, sikur të mos ekzistonte. Konsiderojmë se në raste të këtilla vendqëndrimi për personat e pastrehë mund ta marrë përsipër ose ministria për punë dhe politikë sociale, ose të merret adresa e qendrës së personave të pastrehë në Kryen e kuq në Momin potok. Këto adresa mund të përdoren përkohësisht, derisa njerëzit të arrijnë të kenë një vendbanim apo të kenë kushtet për të siguruar një vendqëndrim”, thotë Saliu.
Sipas saj, ndryshime të këtij Ligji janë të nevojshme jo vetëm për personat e pastrehë, por edhe për shkak se qytetarët, pas ndërrimit të adresës së banimit përballen me shumë pengesa burokratike, derisa të arrijnë t’i rinovojnë dokumentet.
Ministria e punëve të brendshme thotë se kanë dërguar iniciativë te Qeveria për programin vjetor të 2018, në të cilën janë sugjeruar edhe ndryshime edhe përmbushje të Ligjit për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit.
“Ndryshimet ligjore janë të domosdoshme, pasi nga praktika shumëvjeçare e zbatimit të urdhëresave të ligjit, është vërtetuar se ka disa mospërputhje të cilat përbëjnë probleme. Ato reflektohen në mënyrë negative në pjesën e evidentimeve që i drejton MPB, si dhe në cilësinë e të dhënave të cilat Ministria ua çon subjekteve të tjera. Reflektohet edhe mbi përditshmërinë e qytetarëve dhe realizimin e detyrimeve të tyre si qytetarë”, thonë nga MPB.
MPB thotë se me ndryshimet ligjore pritet që të zvogëlohen lëshimet në aspektin e rregullimit të paraqitjes së vendbanimit të qytetarëve dhe ndryshimit të adresës.
“Me ndryshimin e ligjit pritet të vihet pikë dhe një evidencë precize, e cila do të jetë dhe pikë referuese për Regjistrin e popullatës së Republikës së Maqedonisë dhe përputhje e tërësishme me Ligjin për letër njoftim”, thonë nga MPB.
MPB thotë se në 2013 kanë formuar grup pune, i cili ka përgatitur ndryshime plotësime të Ligjit për paraqitje të vendbanimit dhe vendqëndrimit të qytetarëve dhe se në fund të 2015 ato i janë dorëzuar Qeverisë, ndërsa më vonë kanë hyrë edhe në procedurë parlamentare.
“Me ndryshimet e propozuara, mes tjerash, janë parashikuar edhe procedura lehtësuese për nxjerrje të letrës së njoftimit për personat e pastrehë dhe kategoritë e ngjashme. Ligji i përmendur nuk ishte i miratuar nga Parlamenti”, thonë nga MPB.
Ministira për punë dhe politikë sociale thotë se në bashkëpunim me Drejtorinë për mbajtjen e regjistrit të lindjeve, ka përgatitur informacion drejt Qeverisë dhe se Ministria e drejtësisë do të jetë përgjegjëse për të inicuar ndryshime me Ligjin për procedurë jashtëgjyqësore, ndërsa Ministria e punëve të brendshme do të iniciojë ndryshime të Ligjit për vendbanim dhe Ligjin për letra të njoftimit.
“Njëkohësisht, së bashku me Drejtorinë për mbajtjen e regjistrit të lindjeve, do të publikojmë thirrje publike, që të mund të paraqiten të gjithë personat që nuk janë të regjistruar në MPB, dhe kjo thirrje do të zgjasë deri në maj 2018. Do të angazhojmë ekipe mobile, të cilët do të punojnë në terren për të identifikuar këto persona që t’iu ndihmojnë në qasjen drejt dokumenteve personale”, thonë nga Ministra për punë dhe politikë sociale.
Në qendrat rezidenciale ka 120 persona të pastrehë
Nga Ministria për punë dhe politikë sociale thonë se kanë ndërmarrë masa për akomodim të përkohshëm të personave të pastrehë në objekte për mbrojtje shoqërore, dhe se për momentin janë akomoduar rreth 120 persona, që janë gjetur poshtë Kalasë së Shkupit.
Pjesa më e madhe kanë dokumentacion personal, por të tjerët janë në proces e sipër për të nxjerrë dokumente, ndërsa një pjesë nga ta që i përmbushin kriteret kanë realizuar të drejtat e mbrojtjes sociale”, thonë nga Ministria e punës dhe politikës sociale.
Në qendrën për persona të pastrehë në Çiçino, e cila funksionon në kornizat e qendrës ndërkomunale për punë sociale në Shkup, për momentin janë akomoduar rreth 45 persona. Në qendrën rezidenciale për ndërhyrje të personave të pastrehë në Momin potok, i cili është i udhëhequr nga Kryqi i kuq i qytetit të Shkupit, ka rreth 70 persona të pastrehë, të cilët përdorin shërbim për mirëmbajtjen e higjienës së personave, ushqimit, rrobave, kontrolleve mjekësore.
“Pjesa më e madhe e personave që janë akomoduar në Momin potok kanë letër njoftim, me përjashtim të rasteve problematike ku nuk është rregulluar dokumentacioni i nevojshëm. Për momentin, po vendosen kapacitete të tjera për akomodim me ndërhyrje të personave të pastrehë, gjegjësisht 3 qendra rajonale për intervenime, të cilat do të funksionojnë në bashkëpunim me organizatat lokale të Kryqit të kuq”, thotë Ministria për punë dhe politikë sociale.
E. BOÇVAROSKA