Një mijë e tetëqind banorë të fshatit Bllatec do të mbrojnë furnizimin e tyre me ujë me protesta dhe nuk do t’i japin ujë nga lumi Bllateshnica mini hidrocentralit që planifikohet të ndërtohet pranë fshatit. I gjithë fshati u kthye në një rezistencë civile që u formua menjëherë pas matjeve të para gjeodetike të rrugës përgjatë lumit lokal, ku kalon dhe tubacioni rural nga i cili fshati furnizohet me ujë të pijshëm dhe ujitjen e zonave bujqësore.
“Jo vetëm me protesta, por edhe duke penguar çdo aktivitet ndërtimor të koncesionarit që synonte të ndërtonte një mini hidrocentral në lumin tonë pa dijeninë dhe lejen tonë. Prej tij furnizohet me ujë të pijshëm i gjithë fshati dhe ujiten tokat bujqësore përgjatë rrjedhës së lumit. Herën e fundit që erdhën për të bërë disa matje kadastrale, ne u ngritëm dhe e ndërpremë punën. Do të ndalojmë çdo aktivitet tjetër ndërtimor për ndërtimin e këtij mini elektrocentrali që nuk ka kush e di se çfarë kapaciteti për të prodhuar energji elektrike, më së shumti për pesëdhjetë amvisëri, ndërkohë që fshati do të mbetet pa ujë për pije dhe vaditje. Prandaj i gjithë fshati do të luftojë për ta ruajtur ujin e tij, që për ne do të thotë jetë”, thotë përfaqësuesi i bashkësisë lokale të Bllatecit, Bazhe Anakievski.
Banorëve u ishte thënë se investitori i kishte të gjitha dokumentet e mundshme të ndërtimit të lëshuara nga ministritë përkatëse, ndërsa ata në fshat as nuk e dinë dhe as nuk u pyetën. Ata nuk e dinë as kush është koncesionari, e vetmja gjëqë kishin mësuan ishte se ishte nga Shtipi dhe se investitori fillestar ia kishte lënë të drejtën e koncesionit një subjekti tjetër juridik nga Koçani.
“Mini hidrocentrali me tubacione do të thithë të gjithë ujin e lumit, i cili nuk ka rendiment të madh, që do të thotë se në një shtrirje prej tre kilometrash përgjatë lumit, fshati jo vetëm që nuk do të ketë ujë, por do të ndodhë fatkeqësi e madhe ekologjike për botën e gjallë”, thonë banorët.
Në mbrojtje të fshatarëve është dhe Komuna e tyre e Vinicës, e cila tashmë ka lëshuar ndalimin e ndërtimit për shkak se kanë kaluar të gjitha afatet ndërtimore. Duke qenë se janë krijuar bazat ligjore, banorët e Bllatecit kërkojnë që ministritë përkatëse të anulojnë lejet e dhëna, të drejtën e ujit dhe të ndërpresin marrëveshjet me koncesionarin.
T. JOVANOVSKI