“Jugohrom”-i kërkon vazhdim të ri 18 mujor të afatit që të vendosë filtrat për pastrimin e gazrave ndotës të fabrikës. Afatin, i cili kalon sot, e ka vendosur Qeveria para dy vjetësh. Deri më tani, Qeveria dhe Ministria e ekologjisë disa herë e kanë vazhduar afatin me kërkesën e Jugohromit, por në fabrikë akoma nuk janë vendosur filtrat.
Nga Jugohromi thonë që po punojnë intensivisht për vendosjen e filtrave.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë dhe ata e dinë se ku kemi mbërritur me aktivitet tona. Ne nuk mund ta mbarojmë sistemin e kompletuar për filtrim deri në 1 nëntor, sepse nga periudha që fituam nga 1 nëntori i 2014-ës deri në 1 nëntor të 2016-ës, kemi humbur një vit e gjysmë me punë administrative si leje ndërtimi dhe punë të tilla të ngjashme. Lejen për ndërtim e morëm në korrik të këtij viti dhe që atëherë po punojmë intensivisht. Janë bërë themele betoni dhe tani po vendoset konstruksioni i çeliktë. Tashmë kemi bërë kërkesë për vazhdimin e afatit për 18 muaj të tjerë që të mund të kompletohet puna me përfshirjen e të tre reparteve dhe tani presim që Qeveria të japë mendimin e saj”, deklaroi Vasko Senderovski, drejtor gjeneral i Jugohromit.
Në lidhje me këtë gjë, përsëri reagoi organizata “Eco Guerilla”, e cila sot tha se ligjet dhe Kushtetuta duhet të vlejnë edhe për Jugohromin.
“Fakti që Jugohromi i ka keqpërdorur të gjitha afatet e deritanishme dhe që kalon i padënuar nga Ministria e ekologjisë dhe Qeveria, fakti që Prokuroria publike e Tetovës nuk ka pranuar që të procesuojë asnjë padi penale kundër këtij ndotësi, si dhe heshtja e shumë institucioneve për këtë problem na bën të humbim shpresën që problemi me ndotjen me të cilin përballen qytetarët e Tetovës do të zgjidhet. Ajo që ne kemi vënë re në terren është që nuk duket as F-ja nga filtrat. Çdo përpjekje që këtij ndotësi t’i jepet një afati i ri na shkakton dyshime serioze për aferë të madhe korrupsioni, në të cilën është e mundur të jenë të përfshira dy partitë politike”, thotë Arianit Xhaferi nga “Eco Guerrilla”. Nga kjo organizatë thonë që Jugohromi nëpër oxhaqet e tyre në ajër lëshon 30 tonë pluhur në ditë, ndërsa nëse do të kishte filtra, kjo ndotje do të binte në 800 kilogramë.
Në janar dhe shkurt të këtij viti, Jugohromi e ndërpreu punën me qëllim që të vërtetohet nëse është vërtetë ai ndotësi më i madh i ajrit në Tetovë. Nga fabrika thonë që në këtë periudhë, niveli i ndotjes së ajrit ka vazhduar të jetë po aq i lartë edhe pse Jugohromi nuk ka punuar, ndërsa “Eco Guerilla” thotë që, duke marrë parasysh matjet e ndotjes së ajrit në njësinë matëse të Ministrisë së ekologjisë që është vendosur në qytet, ndotja në këtë periudhë të mosfunksionimit të Jugohromit, ka qenë deri 40 përqind më e ulët.
Përktheu: Fjolla Zllatku