KOMUNA E QENDRËS DO T’I JAPË GJYSMË MILION EURO RABOTNIÇKIT, NDËRSA 60.000 EURO PËR MBROJTJEN E MJEDISIT JETËSOR

KOMUNA E QENDRËS DO T’I JAPË GJYSMË MILION EURO RABOTNIÇKIT, NDËRSA 60.000 EURO PËR MBROJTJEN E MJEDISIT JETËSOR Kryetari Sasha Bogdanoviq thotë se paratë për mjedisin jetësor dhe për zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit janë parashikuar edhe në programe të tjera. (Foto: SDK.MK)

Për mbrojtjen e mjedisit jetësor Komuna e Qendrës në buxhetin e vitit të ardhshëm ka parashikuar 60.000 euro. Rreth gjysmë milion euro janë parashikuar për klubin e basketbollit “ Rabotniçki”.
Këshilltarët e komunës nesër duhet t’i miratojnë këto para në seancën ku do të vendosen programet e punës për vitin 2018.

Sipas programeve të publikuara në ueb faqen e Komunës në dokumentin për mbrojtje të mjedisit jetësor thuhet se do të shpenzohen rreth 100.000 denarë për broshura dhe materiale promovuese, 500.000 denarë për shërbime konsultuese për kadastrën e ndotësve dhe për konsultues të matjes së zhurmës dhe gazrave të ndotur. 2.8 milion denarë janë parashikuar për subvencione për biçikleta, kurse 500.000 denarë për aktivitete të tjera operative, gjithsej 3,9 milion denarë apo rreth 60.000 euro.

Shumë më tepër para janë parashikuar në programin për sport dhe rekreacion, më saktë rreth 660.000 euro, nga të cilat 490.000 do t’i jepen klubit të basketbollit “Rabotniçki”.

Kryetari Sasha Bogdanoviq thotë se paratë për mjedisin jetësor dhe për zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit janë parashikuar edhe në programe të tjera.

“Kemi parashikuar mjete për rikonstruktimin e shkollave, për gjelbërim, për parqe. Për “Rabotniçkin” këtë vit do të japim pak më shumë para. Vjet nga buxheti, për klubin ishin parashikuar rreth 300.000 euro. Do t’i ndihmojmë klubit deri sa të kthehet në formë, gjegjësisht derisa të ketë sponsor”, thotë Bogdanoviq, i cili me vite është pjesë e grupit të tifozëve të klubit të basketbollit “City park boys”.

Nga iniciativa e qytetarëve “Në mbrojtje të Debar Maallos” sot në Fejsbuk reaguan për faktin se me buxhetin e vitit 2018, Komuna përsëri nuk mban llogari për prioritetet dhe problemet kryesore të qytetarëve.

“Agjencive private të sigurisë do t’u ndahen 33.000 euro për siguri në shkolla, ndërsa trajnimi i kuadrit arsimor dhe profesional do të ketë 2.000 euro. Për broshurat e komunës Qendër do të ndahen 8.000 euro, ndërkohë askund nuk përmendet krijimi i shtigjeve për biçikleta dhe masave konkrete kundër ajrit toksik në lagje. Në programin e dorës së parë parashikohen dhe mjetet për përpunimin e planeve të reja urbanistike pa iu drejtuar nevojës për përpunimin e studimeve shkencore mbi komunikacionin, ndotjen dhe zhurmën, të cilat do të jenë parametrat kryesorë të atyre planeve. Në këtë mënyrë krijohet dyshimi se praktika e të bërit plane urbanistike ashtu siç i konvenon mafisë urbane me siguri që do të vazhdojë”, thonë nga iniciativa qytetare “Në mbrojtje të Debar Maallos”.

Iniciativa qytetare në periudhën parazgjedhore arriti të gjendet në listën e këshilltarëve të LSDM dhe koalicionit. Përfaqësuesja e tyre Jana Bellçeva, u zgjodh për kryetare të Këshillit.

A. ANTEVSKA

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира