Dielli i nxehtë i korrikut djeg pa mëshirë edhe këto vise të larta në Shipkovicë të Tetovës. Por, Zumer Ahmeti këtë nuk e vë re. Ai bashkë me të vëllain, Xhevxhetin dhe me ndihmën e komshinjëve dhe shokëve po punojnë me shpejtësi në çatinë e shtëpisë së tij të re. Çojnë dërrasa, shtylla druri, masin, presin e çimentojnë. Vjet, shtëpia ku jetonte me familjen e tij, ashtu si një numër i madh shtëpish, u dëmtua krejtësisht nga vërshimi katastrofik që kaploi Shipkovicën. Zumeri shpreson se deri në vjeshtë do të arrijë të përfundojë me ndërtimin e shtëpisë dhe të shpërngulet aty.
Realisht nuk mundeshim të prisnim më as shtetin as Komunën që të na jepnin ndihmën e premtuar për dëmin e shkaktuar nga vërshimi. Për këtë arsye, bashkë me vëllain tim Xhevxhetin, komshinjtë, miqtë, me ndihmën e familjarëve dhe shokëve prej jashtë shtetit filluam ta ndërtojmë shtëpinë nga themelet. Ne jemi familje pesë antarëshe, ku një nga fëmijët është me nevoja të posaçme. Tani po jetojmë me qera, por mendoj se me ndihmën e këtyre njerëzve zemërmirë, për dy muaj do të kem çati mbi kokë. Dëgjova se këto ditë, disa nga banorët e fshatit tim kanë marrë para nga ndihma e premtuar. Unë nuk kam kontrolluar dhe nuk e di se sa kam marrë. Ta mbaroj një herë këtu punën, e pastaj do të kontrolloj, thotë Zumeri.
Vjet, më tre gusht, pasdite, një mot i keq kaploi regjionin e pollogut. Inatin e saj shkatërrues, natyra e derdhi më së shumti në Shipkovicë dhe në lagjet e Tetovës – Reçicë të Madhe dhe Reçicë të Vogël. Ujërat e vrullshëm me një nxehtësi të lartë, iu sulën rrugicave të ngushta të Shipkovicës, duke sjellë me vete gurë të mëdhenj, rërë dhe baltë. Goditjen më të madhe e pësuan shtëpitë e vëllezërve Zymer dhe Afrim Ahmeti dhe komshinjtë e tyre. Në këtë katastrofë natyrore, ujërat e furrishëm morën jetët e dy fëmijëve të mitur të Afrimit – pesëvjeçaren Rina dhe dyvjeçarin Ritan, ndërsa fëmija i tretë dhe e shoqja mezi arritën të shpëtojnë.
Këto ditë, më në fund në llogaritë e banorëve të Shipkovicës kanë filluar të mbërrijnë paratë për dëmet e shkaktuara nga vërshimi i vitit të kaluar, të cilat u vlerësuan nga një komision i posaçëm. Mirëpo, menjëherë filluan reagime për lartësinë pagesave të dëmit.
Mu mbi shtëpinë e Zymerit, jeton komshiu i tij, Enver Ahmeti. Ai, këto ditë në llogarinë e tij ka marrë para sipas vlerësimit të bërë nga ana e komisionit për vërtetimin e dëmit, por është tepër i pakënaqur nga shuma.
“Mua m’u vërshua i tërë kati i parë i shtëpisë dhe brenda u shkatërrua gjithçka, pajisje, mobilje, gjithçka…dhe çfarë dëmshpërblimi mora – vetëm 600 euro. As dritare nuk mund të blej dot me ato para, e le më diçka tjetër, shprehet Enveri i revoltuar.
Azbi Shahini, komshiu i parë i Zymerit, shtëpia e të cilit poashtu ishte e dëmtuar rëndë, kishte pak më shumë fat dhe për Bajram u shpërngul në shtëpi të sapondërtuar, që e kishte donacion nga një organizatë e Zvicrës.
“Shtëpinë e kam donacion nga një grup i Zvicrës dhe e bëra në vendin ku ishte shtëpia e vëllait, sepse e imja ishte shumë afër dengut që na e shkaktoi të gjithë dëmin. Ai ma shiti vendin. Në vërshim i vdiq mbesa katërmbëdhjetë vjeçe, Anisa. Kjo ngjarje tragjike i shkaktoi një dhimbje të madhe dhe për këtë nuk do të jetojë më në Shipkovicë.” – rrëfen Azbi Shahini. Ai ka marrë dëmshpërblim prej 14.300 eurove dhe me këto para planifikon t’i bëjë fasadën shtëpisë.
DENIFU NËPËR SHIPKOVICË MBETI I PARREGULLUAR
Banorët e Shipkovicës gjithashtu janë të pakënaqur sepse akoma nuk është bërë asgjë që të largohet rreziku prej një tjetër katastrofe të tillë. Dengu që rrjedh nëpër fshat dhe që vitin e kaluar e shkaktoi këtë katastrofë vazhdon të mbetet i parregulluar. Menjëherë pas vërshimit lajmëruan se ai do të rregullohet, se do të ndërtohej koritë që të shmangeshin vërshime të tjera, por asgjë nga kjo nuk është bërë.
Disa kilometra nën Shipkovicë gjendet Reçica e Vogël. Edhe këtu, siç thonë banorët dhe siç mund të shohim, pak gjëra janë bërë. Tashmë disa muaj po ndërtohet rrruga që lidh Reçicën e Vogël me rrugën kryesore për Tetovë, ndërkohë që rruga sipër saj, e cila gjatë kohës së vërshimit ishte më e dëmtuara nga të gjitha, vazhdon të jetë në gjendje katastrofale, plot gropa, me asfalt të dëmtuar, gurë dhe rërë. Edhe pakënaqësia e banorëve në lidhje me ndihmën financiare këtu është akoma më e madhe.
“Mos besoni po deshët, por mua më dërguan ndihmë me shumë prej 1.000 denarëve. E pabesueshme, vetëm një mijë denarë, kurse uji më shkatërroi të gjithë punëtorinë bashkë me pajisjet, veglat dhe makineritë. Edhe në shtëpi kisha dëme. Erdhën komisione, panë, shkruajtën dhe në fund, asgjë. Sipas meje, kam pasur dëm të paktën prej 3.000 eurove, ndërsa mora 1.000 denarë. Turp. Vajta në komunën e Tetovës por nuk më thanë asgjë në lidhje me faktin se pse më kanë dhënë kaq pak para. Kërkova takim edhe me sekretarin dhe kryetaren Teuta Arifi, por askush nuk më pranoi. Në këtë lagje, ka njerëz që nuk kanë pasur fare dëm nga vërshimi, por kanë marrë shuma të mëdha parash”, thotë i revoltuar Ibrahim Osmani i Reçicës së vogël, të cilën e takuam ndërsa po punonte në punëtorinë e vogël të improvizuar ngjitur me shtëpinë e tij.
Vëllai i tij, Shaban Osmani na tregoi një shtëpi dhe tha: ““Ja, shiko atë shtëpinë, sa lart që është mbi kodër, nuk kishte asnjë lloj dëmi nga vërshimi, por morën dhjetë mijë euro dëmshpërblim. Kurse ne, që me të vërtetë përjetuam dëm të madh, nuk morëm asgjë. Ka edhe më tepër rastë të këtilla në Reçicë të Vogël. Dikush mori, dikush nuk mori, dikush mori më shumë, dikush shumë më pak”, Mua më paguan rreth 55.000 denarë, por kjo më mbulon vetëm rreth 20 përqind të dëmit. Komshiut tim, Zyqyfli Imarit, uji ia mori garazhën dhe veturën dhe i shkaktoi dëme të tjera, e mori vetëm 10.000 denarë”.
Në lagjen e tij, komuna e Tetovës ka bërë vetëm një rrugë me pllaka bekaton, ndërsa Lumi ..rasadnichka… që e shkaktoi vërshimin, është rregulluar me tuba betoni në një pjesë të vogël. Tjetër, asgjë nuk është bërë, siç thonë banorët e kësaj lagjeje të Reçicës së Vogël. As copat e shkëmbit që solli uji nga malet nuk janë hequr. Për shumën e dëmshpërblimit nga vërshimi u ankuan dhe pronarë të tjerë punëtorish, të cilëve vërshimi u kishte shkaktuar dëm të madh.
Disa herë u munduam të marrim të dhëna zyrtare nga Komuna e Tetovës rreth numrit të ndihmave të paguara për personat dhe objektet e goditura nga vërshimi i vitit të kaluar. Edhe pse shërbimi i Komunës së Tetovës për marrëdhënie me publikun na lajmëroi se Komuna së shpejti do të dalë me të dhëna zyrtare, kjo nuk ka ndodhur.
Zoran Andonov