Komisioni për sëmundje infektive duhet të marrë masa të reja urgjente kundër kovid-19, thotë drejtori i Qendrës së shëndetit publik Shkup, dr. Aleksandar Stojanov. Ai paralajmëron se nëse vazhdon me mosrespektimin e masave, spitalet do të mbushen përplot me të sëmurë të kovid-19 dhe qytetarët përsëri do të ankohen se nuk mund të mbërrihet deri te mjeku.
“Aty ku masat respektohen, nuk ka përhapje, por aty ku nuk respektohen, gjendja është kritike dhe epidemiologët nuk ia dalin dot, pasi nuk mund të dihet më se kush kë ka infektuar. Kemi gjashtë muaj që përpiqemi të bindim njerëzit që t’i respektojnë masat. Shumica nuk i respektojnë, e ata që i respektojnë vuajnë nga ata të cilët nuk i respektojnë. Suedia, të cilën të gjithë e lëvdojnë se mbajti qasjen më liberale për zgjidhjen e krizës, i ka kufizuar grupimet mbi 50 veta, ndërsa ne nuk mbahemi – duam të vrapojmë e të këndojmë “te guaska”, thotë epidemiologu Aleksandar Stojanov. Thonë se do ta mbajnë distancën, por, a i kontrollon dikush? Sot do të kënaqen në Debar Maalo, e nesër do të ankohen se nuk mund të mbërrijnë deri te mjeku. Nuk e di se si mund të thonë se i zbatojnë protokolet e thonë se muzika qëndron pesë metra larg tavolinave, kur shohim se muzika shkon tavolinë më tavolinë. Me këto net argëtimesh të shfrenuara mund ta mbingarkojmë sistemin shëndetësor dhe ky mund të bjerë shumë lehtë”, thotë epidemiologu Stojanov.
Për gjimnazistët që protestojnë dhe kërkojnë të kthehen në shkollë, Stojanovi thotë: “Po ju lëmë në shkollë, por spitalet do të mbushen, e pastaj ku do t’ju çojmë?”
Ai vazhdon të shpjegojë se si shkollat nuk duhen hapur, sepse nuk mund të ndërpritet shpërndarja e koronavirusit në mbledhitë publike, e si shembull pozitiv i mori çerdhet, ku thotë se masat zbatohen në mënyrë të rreptë.
“Nuk mund të pretendojmë se do të lulëzojë ekonomia, nëse përsëri i mbyllim çerdhet. Kush do të shkojë në punë? Nëpër çerdhe masat respektohen, pasi është diçka e rreptë dhe aty nuk kemi përhapje të koronavirusit mes fëmijëve, por fëmijët mund ta sjellin virusin nga shtëpia”, thotë Stojanovi.
Në Paris, nga e hëna është kufizuar orari i punës në restorante dhe në kafe deri në ora 22.00, për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike, ndërsa nga java tjetër është e mundur edhe mbyllja e tyre e krejtësishme. Në Madrid janë integruar kufizime të rrepta në lëvizjen e qytetarëve që nga java e kaluar.
Mbrëmë në Maqedoni janë regjistruar 225 të sëmurë të rinj nga kovid – 19 nga 1.694 teste, që është numri më i lartë në shtet që nga fillimi i koronakrizës.
M. ILIOSKI