Kryetari i Strugës, Zijadin Sela konsideron se pushteti qendror bashkë me qytetin e Ohrit, i mbajnë peng Strugën dhe struganët, sepse bëjnë politika kundër qytetarëve dhe jo për ta.
“Vetëm matrapazë mund të bëjnë diçka të këtillë”, thotë Sela, i cili është lideri i Partisë për reforma të PDSH-së, dhe shton:”Është shumë e qartë që ekziston një mekanizëm i tërë që punon kundër zhvillimit të Strugës. Këtë gjë e vuajnë të gjithë qytetarët, pa dallim identiteti. Edhe mushkonjat i ndjanë në baza etnike, se nuk dhanë të holla për spërkatje antimushkonjë. Dëgjojmë Gruvskin që nga Radozhda deri në Ohër premton 20 investime, kurse pushteti qendror nuk ka dhënë asnjë cent për Strugën. Nga ana tjetër, unë nuk kërkoj para, vetëm të na lenë të punojmë me buxhetin tonë. Gjatë tri vjetëve të fundit, Strugës i janë marrë 2.5 milionë euro nga buxheti të cilin e realizojmë ne, si Komunë. Për këtë them, nuk e di se me çfarë guximi vjen Gruevski në Strugë. Nuk e di se kush është ai që voton për të. Këto para që janë marrë, janë të Strugës, të qytetarëve, para të asfaltit që mungon, të rregullimit të vendeve publike, para për interes nacional, sepse tani Struga është vend turistik. Këto para i kanë marr borxh për Ohrin. Në Ohër janë ndërruar të gjitha tubat asbesë. Qyteti i Ohrit nuk ka paguar asnjë denar, nuk marrin nga pushteti shtetëror, por të gjitha që i kanë, i marrin nga Struga. Çfarë ndjenje është të të marrin 2 milionë dhe për më tepër kur dëgjon se ato i investojnë në Ohër? Kjo është vjedhje”, thotë Sela.
Në lidhje me vizitën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski në Radozhdë, ku premtoi se do të bëhet një sistem kolektorësh, Sela thotë se është një komedi e Gruevskit.
“E dëgjova deklaratën e tij, tërë atë komedi për Strugën. Nuk kam çfarë të them, veçse ai gënjen. Nuk e di se a e di ai, që me IPA fondet ishin parashikuar 11 milionë euro që të rregullohet kolektori perëndimor, ku bie edhe Radozhda. Mendoj se ky është interes nacional, jo vetëm lokal, sepse liqeni është pasuri. Vetëm politikanët që duan të manipulojnë e paraqesin projektin si lokal. Më pas, ato të holla u shkurtuan. Nga 11 milionë, ra në 6-7 milionë dhe me vendimin e Qeverisë dhe ministrisë për mjedis jetësor, u hoq ndërtimi i kolektorit në Radozhdë, gjegjësisht ndërtimi i kolektorit perëndimor, që përfshin edhe Radozhdën. Tani me ato para, duan vetëm të bëjnë rekonstruimin e impiantit të pastrimit. Unë reagova dhe thashë jo. Kur dëgjova se duan ta rindërtojnë impiantin e pastrimit, erdha në konkluzion se duan të bëjnë keqpërdorim të atyre fondeve. Kjo që dëgjuam është një gënjeshtër e madhe, siç ka dhe shumë gënjeshtra të tjera që ua thonë qytetarëve nëpër takime”, thotë Sela.
Ai thotë se ka vërejtje, se gjatë vizitës së fshatit Llabunishtë, VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja lëvdoheshin se do të bëjnë sallën e sportit.
“Kam dëgjuar një fushatë, kur VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja ishin në Llabunishtë, kur lëvdoheshin se kush po e bën sallën e sportit. Mendoj se këta njerëz kanë probleme psiqike kur mendojnë se e bëjnë ata vetë. Në fund të fundit, të gjitha investimet, qofshin ato nga pushteti lokal apo qendror, tashmë një vit nuk i shohim ne Stugë. Ato janë paratë e qytetarëve, që paguajnë tatime. Gjithçka që këta kanë bërë gjatë këtyre viteve, e kanë bërë me keqpërdorimin e parave të qytetarëve. Ndërtojnë sheshe që kushtojnë gjysmë bilionë euro, e nga ana tjetër shkollat mbeten pa kushte minimale për punë. Shkolla, të cilat janë pa ngrohje, pa naftë. Unë i kam mbuluar të gjitha shpenzimet dhe nuk e kam detyrim ligjor”, thekson kryetari i Strugës.
Përktheu: Fjolla Zllatku