ТA KISHIN DËGJUAR PPD-NË NË VITIN 1991, NUK DO TË KISHTE KONFLIKT PËR MARRËVESHJEN KORNIZË, THOTË ISMET RAMADANI

ТA KISHIN DËGJUAR PPD-NË NË VITIN 1991, NUK DO TË KISHTE KONFLIKT PËR MARRËVESHJEN KORNIZË, THOTË ISMET RAMADANI

Me intervistën e Ismet Ramadanit, i cili ishte deputet i PPD-së në përbërjen e parë të Kuvendit shumëpartiak, SAKAMDAKAZAM.MK vazhdon serinë e kontributeve të dedikuara  25-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë. Gjatë muajit do të ketë intervista me deputetë dhe funksionarë të përbërjes së parë dhe me personalitete të tjera publike, si dhe fotogaleri dhe video të ngjarjeve historike të pavarësimit të shtetit.

Ismet Ramadani është deputet nga përbërja e parë e Kuvendit shumëpartiak, nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD). Ai ishte deputet nga 1991 deri 1998 dhe nga 2002 deri 2006.

Ramadani thotë që nëse do të bënim krahasim mes të viteve 90 dhe tani, dallimi do të ishte shumë i madh, sepse në atë kohë qasjet për atë që quajmë ushtrim të të drejtave, demokraci, pluralizëm dhe institucione demokratike ishin shumë më të guximshme dhe më të vendosura.

Ismet Ramadani, bashkë me Ratka Dimitrovën, koordinatoren e parë të grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së në Kuvendin e parë të Maqedonisë demokratike, i mbështetën protestat e pranverës së Revolucionit të Larmë.

LUAJTËM ME MENÇURI, NUK E KALUAM VIJËN E KUQE

“Nuk ishte e lehtë, sepse duhej të bëhej një kalim nga një sistem në tjetër, nga komunizmi në pluralizëm”, kujton Ramadani nga viti 1991. “Kishte fuqi të cilat e pranonin me vështirësi ndryshimin e sistemit. Ishte edhe më e vështirë kur merr parasysh se në atë kohë, në Kroaci filluan formacionet e para të organizuara paraushtarake, kurse në Serbi sundonte Millosheviqi. Republika e Maqedonisë u gjend në situatë ku i duhej të luante me shumë kujdes për ta shmangur më të keqen, që ishte lufta”, thotë Ramadani.

“Mendoj se luajtëm me mençuri, duke filluar nga presidenti Kiro Gligorov e deri të Kuvendi. Nuk e kalonim vijën e kuqe që të mos kishte konflikt dhe erdhi momenti kur Maqedonia u shpall shtet i pavarur. Kuptohet që këto vendime ishin shumë të vështira, të marra nga Parlamenti dhe Qeveria e atëhershme, e cila ishte eksperte. Mirëpo, pavarësisht polemikave të nxehta dhe qëndrimeve të ndryshme për mënyrat  si të arrijmë deri të pavarësia, mendoj që përgjegjësia e kolegëve dhe deputetëve ishte shumë e madhe. Në fund të fundit, shkonim drejt një kompromisi që ishte në interes të gjithë shtetit dhe qytetarëve”, thotë ai.

KUSHTETUTA ISHTE GJENERATOR KRIZE

Ramadani tregon se pse deputetët shqiptarë nuk kanë votuar për Kushtetutën e parë: ”Partia për prosperitet demokratik, si opsion i vetëm që i përfaqësonte shqiptarët, kishte kërkesa në lidhje me të drejtat nacionale dhe për këtë kishte mospajtime. PPD-ja nuk votoi për Kushtetutën, sepse asokohe mendonte se disa çështje që kishin të bënin me shqiptarët duheshin zgjidhur më mirë në kushtetutë. Atëherë, ne thamë që mund të ndodh që më vonë, vetë Kushtetuta, si akti më i lartë ligjor, të jetë gjenerator i ndonjë krize politike dhe ligjore. Dhe koha tregoi që Kushtetuta e vitit 2001 ishte gjenerator krize”, thotë Ramadani.

Ai rikujton që PPD kishte kërkesa të moderuara për të drejtat e shqiptarëve.

“Shkonim hap pas hapi, fillimisht donim të krijohej një opinion publik pozitiv dhe të drejtat të vinin si diçka normale. Ne paraqitëm një deklaratë për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni. Shkoi në debatin parlamentar por nuk ishte i gatshëm për tu adoptuar. Justifikimi i LSDM-së, me të cilën atëherë ishin në koalicion, ishte se VMRO-DPMNE-ja mund të reagonte në mënyrë radikale dhe kështu mund të krijonim një situatë të cilën nuk do ta kontrollonim dot”, thotë Ramadani dhe shton:”Koha tregoi që nëse do ta kishim marrë më seriozisht deklaratën dhe kërkesat, mbase nuk do të kishim nevojë për një marrëveshje kornizë pas konfliktit.”

Ai i kujton edhe protestat para Parlamentit kundër Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe në 1997.

“I mblodhëm të gjithë intelektualët shqiptarë, aq sa kishim, dhe bëmë një elaborat për mënyrën e funksionimit të Fakultetit Pedagogjik, pastaj shkuam te presidenti Kiro Gligorov. Në arsimin fillor dhe të mesëm tashmë kishte mësim në gjuhën shqipe, normalisht që duhej të kishte edhe profesorë. Kështu, menduam se kishim rënë dakord. Mirëpo, filluan demonstratat para Kuvendit. Më të zëshmit nga ata që kërkonin dhoma gazi për shqiptarët, kaluan në majë të VMRO-DPMNE-së dhe po ata që kishin qenë kundër Fakultetit Pedagogjik, më vonë votuan për legalizimin e Universitetit të Tetovës”, kujton Ismet Ramadani dhe shton: “U mungonte trimëria dhe vizioni. U nevojitej kohë të kuptonin që më e rëndësishme është cilësia mësimit, e jo gjuha në të cilën mbahet”.

ILIRIDA ISHTE FRIKË E PJESËS SË DYTË TË PYETJES NË REFERENDUM

Në 11 janar, 1992, u mbajt referendum për autonomi të shqiptarëve në pjesën perëndimore të Maqedonisë- duke përfshirë edhe Iliridën. Referendumi dhe rezultatet u shpallën joligjore. Në lidhje me Iliridën e vetëshpallur, deputeti i atëhershëm dhe anëtar i udhëheqësisë së PPD-së, Ismet Ramadani, tregon:

“Në ish-Jugosllavi kishte një fenomen autonomish, që filloi në Kroaci, pastaj vazhdoi në Bosnjë dhe Hercegovinë e Sanxhak…Kosova prej më herët kërkonte të bëhej republikë me kusht që të mbetej Jugosllavia. Erdhi koha kur ne, shqiptarë dhe maqedonas në Maqedoni, jetonim me frikë. Frikë prej çkaje? Kufijtë tanë ishin porozë në krahasim me formacionet e atëhershme ushtarake të Millosheviqit. Vetë qytetarët bënin kërkesa në rast se sulmoheshim si Republikë e Maqedonisë, që ne si shqiptarë, si parti të mendojmë një mënyrë se si të mbrohet territori, kombi, qytetarët…Atëherë u shpall ajo autonomi, që u quajt “Iliridë”. Madje edhe votohej. Më duhet të them që, në lidhje me votimin për autonomi politike territoriale të tillë, qeveria eksperte, nuk ishte aspak agresive. I lejoi qytetarët të votonin. Neve na duhej ndonjë kapital politik, në rast se dikush vendoste të bashkohej me ndonjë republikë. Ta kishim atë kapital, gjegjësisht vullnetin e lirë për të shprehur se ne nuk përkojmë aty. Këtë mund ta lidhim me pyetjen e referendumit. Për shqiptarët, pjesa e dytë e pyetjes “me të drejtë, bashkim me tjetër”, ishte shumë indikativ. Atmosfera e atëhershme ishte e tillë që çfarëdo që të ndodhte, shqiptarët nuk do të pranonin të ishin në shtet të përbashkët me atë Jugosllavi, ku dominonte regjimi i Millosheviqit”, Ramadani e shpjegon idenë për Iliridën.

Ai thotë që, e parë nga ky këndvështrim, referendumi për Iliridën atëherë ka qenë i arsyetuar. “Tani kemi situatë tjetër. Maqedonia është anëtare e OKB-së. Shqiptarët e pranuan opsionin për integrime euroatlantike dhe me këtë opsion entuziazmi për bashkimin e territoreve u shfry. Shyqyr Zotit edhe maqedonasit dhe popujt e tjerë të Maqedonisë u përcaktuan për ato procese”.

KJO QEVERI ËSHTË MË E KEQJA NË 25 VJETËT E MAQEDONISË SË PAVARUR

Pyetjes se si ndodhi që në të njejtën protestë të Revolucionit të Larmë, Ismet Ramadani dhe kundërshtarja e dikurshme, Ratka Dimitrova, të mbajnë fjalim bashkë, Ramadani iu përgjigj:

“Kjo do të thotë se definitivisht po na ndodh diçka. Definitivisht, edhe ata që ishin VMRO-DPMNE, po edhe ne të PPD-së, konsiderojmë se kjo Qeveri, nga ky këndvështrim, është qeveria më e keqe në 25 vjetët e Republikës së pavarur të Maqedonisë. Pse? Sepse, kjo qeveri nuk ka as edhe një fije ndjenje të sinqertë për një republikë demokratike të Maqedonisë. Nuk janë aspak të përgjegjshëm dhe nuk u vjen turp nga veprat kriminele, korrupsioni dhe përgjegjësia..Nuk mërziten fare se çfarë është një shtete dhe një qytetar i thjeshtë. Bëjnë politikë varësisht nga klientët e tyre.  BDI-ja poashtu, i ka lidhur të gjithë njerëzit në bazë të interesit. Dhe më e keqja është që, nëpër udhëheqësitë e tyre vazhdimisht thuhet që nëse nuk je anëtar i VMRO-DPMNE-së, nuk je maqedonas i mirë, apo nëse nuk je anëtar i BDI-së, nuk je shqiptar i mirë. Për më tepër, ata nuk e durojnë opozitën. Nuk e di, atëherë, se a e dinë se çfarë është demokracia? Shumë herë i dëgjoj publikisht të thonë, hajde t’ua japim fundin këtyre të opozitës…Nëse në politikë mendon se mund t’i japësh fund dikujt, ta zhdukësh, atëherë vetë ke pranuar që je në një sistem diktaturë, më i keq nga sistemi komunist”.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира