Në mesin e shekullit 19, politikani dhe historiani serb Stojan Novanoviq përshkroi Çarshinë e vjetër të Shkupit si “një lëmsh rrugicash të ngushta e të shtrembëta me shumë dyqane tregtare dhe zanatesh. E gjatë dhe me shumë rrugica që kryqëzohen njëra me tjetrën.”, Më vonë rrugicat e Çarshisë u mbuluan me gurë të pathyer të paformë apo me kalldërrmë dhe trotuare para dyqaneve.
Kjo fotografi ose më saktë Çarshia e kohës turke ka kohë që nuk ekziston. Nga institucioni shtetëror Qendra konservuese – Shkup, thonë se reagimet e publikut në lidhje me rindërtimet në Çarshi thonë se po ndryshohet autenticiteti i bërthamës së qytetit. Gjithashtu thonë se që kur muajin e kaluar filluan punë ndërtimore në rrugën e Bitpazarit, puna e tyre është e pabazë dhe uzurpuese.
Nuk kemi të bëjmë me një rrugë të shtrirë me pllaka të periudhës para pesë shekujve. Kujtesa kolektive e frekuentuesve të Çarshisë mund ta shohë Çarshinë e njëjtë edhe kur është e mbuluar me pllaka travertine. Në të kaluarën, në Çarshi janë bërë disa përpjekje për rinovime të kalldrëmës për shkak të dëmtimit, por edhe për vendosje të infrastrukturës komunale.
Sipas të dhënave të Qendrës konservuese – Shkup, pamja e Çarshisë ka ndryshuar gjatë viteve 1970-80. Gjithashtu është bërë dhe ndryshim i kalldërmës me pllaka travertine, të cilat në varësi të periudhës së vendosjes, në disa rrugë kanë dalë të çrregullta, e në disa të tjera me formë të drejtë. Për më tepër rënia e lirë e rrugicave është ndryshuar me nivelimin e zonave për ecje dhe ndërtimit të shkallëve në vende të caktuara.
“Me kalimin e kohës, si dhe për nevojat e përdoruesve të çarshisë, është kryer dhe vendosja e krejtësishme e infrastrukturë, ujësjellësit, kanalizim, rrjetit elektrik etj, dhe kjo ka bërë që të shkatërrohen krejtësisht pllakat. Një tjetër problem serioz është komunikacioni me motora, i cili shkakton dëmtime si plasaritje, thërrmime dhe zhvendosje të pllakave të travertinës”, shpjegon Çapkanovski.
Nga Qendra Konservuese thonë se ky projekt, i cili është në realizim e sipër, është i rregulluar sipas të gjitha rregulloreve ligjore, dhe se për të është dhënë miratim nga Drejtoria për mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Komuna e Çairit ka dorëzuar projekt drejt qendrës konservuese duke pasur kujdes të gjitha rregulloret. Gjithashtu, është bërë kontroll profesional i projektit nga një ekip profesional i Qendrës konservuese – Shkup.
“Kam parë shumë tekste në lidhje me këtë temë. Për shkak të projekteve të ndryshme infrastrukturore, travertina u dëmtua shumë, sidomos në pjesën e rrugës së Bitpazarit, që është korridori kryesor për të hyrë në Çarshinë e Vjetër. Së dyti, është e pamundur të vendoset një travertinë e re pasi ajo është vendosur me një proces mekanizimi. Kemi të bëjmë me një shtresë e cila nga aspekti arkitektonik bien në kategorinë e shtresave të zëvendësueshme. Kalldërma është rikonstruktuar gjatë viteve 1980, pas tërmetit, dhe atëherë është përfshirë e gjithë Çarshia e Shkupit. Një pjesë e madhe e rrugicave ishin të shtruara me katrorë, e një pjesë tjetër me dërrasa. Rruga e Bitpazarit në një pjesë të madhe të saj ka qenë e shtruar pa kujdes, sidomos në kohën kur u bë me nxitim të madh për shkak të vizitës së Titos në Shkup”, tha Çapkanovski.
Dyqanxhinjtë e rrugës së Bitpazarit thonë se kjo rrugë është dashur të rikonstruktohej shumë më parë dhe për këtë gjë janë lajmëruar që nga kryetari i kaluar i Komunës së Çairit Izet Mexhiti.
“Gurët kanë qenë krejtësisht të shkatërruar dhe gropa ka pasur gjithandej. Me shiun më të vogël janë krijuar dëme. Kjo pjesë e Çarshisë ka qenë krejtësisht e shkatërruar, rrugët e tjera janë rinovuar, por kjo ka mbetur. Vjet ne, dyqanxhinjtë, kemi mbajtur një takim me kryetarin e komunës Visar Ganiu, ku ai na lajmëroi se do të zhvillohen punë ndërtimore”, na tha një pjesë e dyqanxhinjve në Çarshi.
Projekti për rikonstruimin e rrugës së Bitpazarit është financuar nga Banka botërore, me një grant prej 600.000 eurosh.
“Aktivitetet ndërtimore në Çarshinë e vjetër të Shkupit nuk kanë për synim të ndryshojnë autenticitetin e Çarshisë, por të zëvendësohet guri i dëmtuar travertinë me një tjetër të atij lloji dhe të krijohen kushte më të mira edhe për zanatçinjtë edhe për turistët, thotë kryetari i Komunës së Çairit Visar Ganiu.
A. ANTEVSKA