MOS ËSHTË I YNI?

Ndërkohë që ne zhvillojmë polemika me Filipçen mbi atë se ç’do të bëjmë me festat e mysafirët, nga Brukseli paskan vënë re se numëratorja e Zaevit vazhdon të mos punojë.

1 Venko Filipçe del dhe thotë se katër spitale në shtet tashmë nuk kanë shtretër të lirë për të sëmurët me kovid-19 dhe se Klinika infektive në Shkup po mbushet gjithnjë e më shumë me pacientë. Pas disa minutave, kur tha se do t’i propozonte Qeverisë që të ndalojë më shumë se katër vetë të shkojnë mysafirë në shtëpi, doli në pah mençuria e paçmueshme e qytetarëve tanë të vetëdijshëm: Gjëja e tmerrshme nuk është se nuk do të kemi se ku të shtrihemi kur të shkojmë në spital, në rast se gjendja e sëmundjes na përkeqësohet, e as se nuk do të ketë se kush të na mjekojë. Më e tmerrshmja është se si do t’ia bëjmë që të shtyjmë ditët e periudhës nga Mitrovdeni në Gjurgjovden.

Sikur të ishte kaq e thjeshtë e të mund të rregullohej sistemi apo të shfarosej kjo sëmundje me këto batuta popullore. Por, s’e besoj se Itar Pejo do të ishte në gjendje të na lironte ndonjë shtrat në spital nëse do të na nevojitej.

Ekspertët e shëndetësisë në Fejsbuk brenda natës u shndërruan në ekspertë drejtësie. Sa të zotë! U ngopa duke lexuar barcaleta për mysafirë e nikoqirë, për interpretime të Kushtetutës dhe këshilla për jetë të shëndetshme…Pyesnin se kush do të jetë ai që do t’i numërojë mysafirët?…Sikur Venko vdes nga dëshira për t’iu shkuar nëpër shtëpi e për t’ua numëruar mysafirët…

2 Pa merak. Duke e ditur se si respektohen ligjet dhe rregullat, po edhe Kushtetuta, në Maqedoni, nuk besoj se ka ndonjë arsye të veçantë për t’u shqetësuar për shkeljen e të drejtave të mirëpritjes së mysafirëve. Mos e merrni kaq seriozisht ndalesën që të mos shkojnë më shumë se katër mysafirë në shtëpi. Gjeni me kohë ndonjë lidhje me partinë në pushtet. S’është e nevojshme të jetë ndonjë funksionar i lartë. Mund të jetë edhe ndonjë aktivist apo aktiviste e zakonshme, që në telefonin e tyre ka mjaftueshëm numra që të thërrasë persona me ndikim e që do ta rregullojnë punën në mënyrë që argëtimi juaj të ngelet i pacënuar. Madje edhe nëse ju paraqet komshiu, inspektorët apo policët së pari do të pyesin: “Mos është i yni ky që feston?”
Kështu zbatohet çdo rregull këtu – në mënyrë të shtruar dhe selektive. E përse mbrojtja nga koronavirusi të jetë përjashtim nga ky rregull?

3 Edhe te kafenetë vlen i njëjti rregull: Mos është i yni? Si ua mbushën mendjen që të mos mundet as policia, as inspeksioni t’i kontrollojë për mbrojtjen e masave, se kanë frikë “mos jetë i yni”. Pyes veten – pse është “i yni”? Se u jep pije falas, ruan tavolina të veçanta për ta, i rregullon punën me ndonjë dashnor/dashnore…? Kaq të rëndësishëm janë këta njerëz për Zaevin, sa të lejojë të bëhen shkak për shkatërrimin e sistemit shëndetësor?
Besa, mua s’m çudit fakti se kafexhinjtë na dolën më të fuqishmit në shtet. Ligji i parë reformues i Zaevit, me plagën ende të pashëruar në kokë nga 27 prilli 2017, ishte legalizimi i hapësirës së uzurpuar publike nga tarracat për shkak të lirimit të masave ndaluese mbi duhanpirjen. Sa mirë që ia kthejnë tani. Me kërcënime se nuk do të mund të garantojnë protesta të qeta nëse shteti nuk u ndihmon. Si do t’i eksalojnë protestat? Do t’i marrin armët e BDI-së dhe në vend që të këndojnë, do të krisin nëpër dasma?

Me të vërtetë do të ishte budallallëk i madh që Zaevit t’i bjerë Qeveria se dikujt prej partisë i ruheshka një tavolinë e mirë apo i jepeshka ndonjë pije falas. Dhe ajo do të bjerë, në rast se nuk do të mund t’i rregullojnë festat në kafenetë e “tanëve”. Ndoshta jo për shkak të festave, por për shkak të “tanëve”, me siguri.

4 Po këta që vdesin, vallë, janë “tanët”?

Më kot që Venko Filipçe vendos foto profili me maskë e fotografohet me infermieret që dalin jashtë shtetit apo ikin në spitale private, kur në shëndetin publik vlen rregulli “A është i yni?”, e jo rregulli “A është profesionist?”. Besoj se mes “tanëve” ka shumë profesionistë që meritojnë të jenë udhëheqës, por prapë se prapë më shumë do të vlerësohen nëse janë “tamam tanët”.

Andaj nuk është për t’iu hidhëruar as mjekëve e as infremiereve që ia mbathin nga spitale të mirënjohura shtetërore, pavarësisht faktit se kjo Qeveri ua ngriti rrogat dhe investon në përmirësimin e kushteve të tyre të punës si asnjë qeveri tjetër nga Tito e këtej. Por, e vërteta është se kemi një jetë. A nuk është gjynah ta kalosh një pjesë të madhe të saj duke u zënë me shefin, që e ka vendosur partia, jo për faktin se është më profesionisti, por për faktin se është “më shumë i yni”. Asnjë njeri që e do punën dhe përparimin nuk do ta duronte këtë mentalitet të prapambetur, madje edhe nëse ke një profesion për të cilin ka thirrje të hapur për punësim.

Filipçe e menaxhoi në mënyrë solide dallgën e parë të krizës së kovid-it. Për shkak të kësaj edhe në fushatën zgjedhore e shëtisnin nëpër tubime të LSDM, edhe pse nuk ishte në listën e deputetëve. E kështu, ai u bë lidhja kryesore me sistemin shëndetësor dhe për të gjitha gabimet e drejtorëve “tanë” do të duhet të japë vetë llogari…sepse këta, askush nuk i njeh.

Kjo krizë, herët a vonë, do të kalojë, por politikat e këtilla partiake do ta dëmtojnë sistemin shëndetësor më shumë se sa virusi.

5 Ndërkohë që ne komentojmë mbi atë se a duhet apo jo të mbahet maska në vend të hapur, Bashkimi Evropian, në raportin e tij të fundit, na dha detyrë strategjike që gjyqësia t’i kthejë paratë e vjedhura të popullit dhe ta konfiskojë pronën në gjykimet e korrupsionit të lartë. Ndërkohë që ne zhvillojmë polemika me Filipçen mbi atë se ç’do të bëjmë me festat e mysafirët, nga Brukseli paskan vënë re se numëratorja e Zaevit vazhdon të mos punojë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира