David Llazaroski, Martin Dinev dhe Bllagojçe Pavleski janë pjesëtarët e ekipit “From zero to hero” (Nga zero në hero), dizajni i të cilëve është “Karroca inteligjente për invalidë me sistem të brendshëm monitorimi të shëndetit”. Ata thonë që karroca inteligjente është zgjidhje për personat që kanë kufizime të mëdha të aftësive fizike, posaçërisht për ata që nuk mund t’i lëvizin gjymtyrët.
Llazaroski është 21 vjeç dhe student i vitit të tretë pranë FShIIK-ut (Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike), Dinev është 19 vjeç dhe poashtu student pranë FShIIk-ut, ndërsa 17-vjeçari Bllagojçe Pavleski është nxënës i vitit të tretë pranë shkollës së mesme “Jahja Kemal”. Gjatë punës iu ka ndihmuar edhe mikesha e tyre Veronika, që është person me aftësi të kufizuara fizike. Shpikja e tyre është mes fitueseve në nismën botërore të UNICEF-it, Breza pa kufij (Generation unlimited 2019/20).
Thonë që si studentë të cilët sapo e kanë filluar rrugëtimin e tyre në jetë, që është kryesisht i mbushur me bollëk teknologjie dhe risish softuerike, Breza pa kufij për ta ka qenë mundësi e mrekullueshme për t’u përballur me aventurat dhe sfidat të cilat i ofron nisma #Digital-inclusion (përfshirja digjitale).
“Si pikë e vetme funksionale motorike – syri, vendosëm të bëhet ndihmësi i tyre kryesor gjatë jetës së përditshme. Karroca inteligjente për invalidë mund të drejtohet dhe kontrollohet me anë të shikimit, gjegjësisht personi me aftësi të kufizuara fizike mund të lëvizë me karrocën duke e drejtuar përmes kamerës e cila gjithmonë e ndjek dhe e inçizon lëvizjen e syrit të tij. Kamera sinjalizon në cilën anë shikon personi dhe ia jep udhëzimet e përshtatshme karrocës për të lëvizur. Mirëpo, karroca nuk është inteligjente veç nga aftësia e saj për t’u drejtuar me anë të shikimit, është inteligjente pasi ka sistem të brendshëm monitorimi të shëndetit, përmes së cilit ndiqet gjendja shëndetësore e personit me aftësi të kufizuara fizike”, tregojnë shpikësit e rinj për SAKAMDAKAZHAM.MK.
Sistemi përbëhet nga senzorë të shumtë që masin (shtypjen e gjakut, rrjedhën e ajrit gjatë frymëmarrjes, temperaturën trupore, sasinë e oksigjenit në gjak, EKG-në, pulsin, spirometrinë, gjetjen e pozitës së trupit, zbulimin e humorit – të emocioneve). Të gjitha të dhënat nga senzorët përmblidhen dhe dërgohen në server, përkatësisht në platformën e ueb-monitorimit, ku të gjitha të dhënat e përmbledhura shfaqen vizualisht, varësisht nga sinjali, dhe ku për to ruhen statistika.
“Meqë për momentin projekti është veç prototip, modeli i karrocës për invalidë është model testimi tek i cili do t’i testojmë dhe do t’i analizojmë të gjithë këto funksionalitete, me qëllim që të arrijmë analiza të sigurta dhe parashikime të sakta të parametrave përmes së cilave do ta instalojmë sistemin tonë në karrocë tashmë ekzistuese për invalidë, që më tej do të bëhet inteligjente. Kemi krijuar një model për mbajtësin e kamerës i cili vendoset në kokën e personit me aftësi të kufizuara fizike dhe detyra e të cilit është që t’i dallojë lëvizjet e syrit përmes kamerës”, na tregoi Llazaroski dhe shtoi që çmimi i vetë produktit sugjerohet të mos jetë më shumë sesa 100 euro.
“Një sfidë që si ekip kemi për ta kujtuar është që vetë arritëm të vërtetojmë ç’do të thotë të jesh në bashkësi me një ekip dhe si të organizohemi dhe të ndajmë aktivitete, gjegjësisht vërtetuam që më shumë mendje mendojnë më mirë. Vështirësi ishte edhe sigurimi i pjesëve harduerike që janë të shtrenjta, të cilat për t’i mundësuar ndoshta do të duhej të prisnim kohë më të mira në të ardhmen. Mësuam si të gjejmë njerëz për bashkëpunim në punët teknike, mësuam si kërkohen sponzorë, si udhëhiqet me financat dhe si planifikohet një buxhet i caktuar. Mësuam si të realizojmë anketë të suksesshme për mbledhjen e të dhënave rreth një teme të caktuar që është faktor kyç i procesit të mbledhjes së të dhënave të rëndësishme rreth një teme. Ne personalisht si ekip deri tani nuk kemi pasur bashkëpunim aktiv me njerëz me aftësi të kufizuara fizike dhe kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për ta provuar këtë; mësuam ç’është empatia, ç’do të thotë të futesh në këpucët e tjetrit, mësuam si të kemi më shumë kuptueshmëri për personat me aftësi të kufizuara fizike dhe për problemet e tyre me të cilat përballen më të afërmit dhe më të dashurit e tyre.”, tha ekipi.
B. NESTOROSKA