Dhuna familjare në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit është në rritje e sipër, por Qendra për Ndihmë Juridike, e cila punon si pjesë përbërëse e organizatës joqeveritare të Forumit të Gruas në Tetovë, është vendi i vetëm ku viktimat e pjesës perëndimore të Maqedonisë mund të drejtohen për ndihmë.
“Burri im me vite më keqtrajtonte fizikisht dhe psiqikisht. Vazhdimisht më bërtiste dhe më fajësonte për çdo gjë. Shpesh herë më rrihte edhe për imtësinë më të vogël, duke më goditur ku të mbërrinte. E tëra me të nxira, e thyer, më duhej që të duroja, sepse nuk dija se ç’të bëja tjetër”, rrëfen historinë e vet jetësore një grua e re, një prej shumë viktimave të dhunës familjare në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit.
“Kam lindur në Shqipëri dhe u martova këtu duke menduar se do të kem një jetë më të mirë, por më doli një ferr. Humba kontakt me familjen në Shqipëri, këtu nuk kisha para, as pronë, isha krejtësisht pa ndihmë. Nuk mund të shkoja as në polici që ta paraqisja, sepse nuk kisha të holla për transport deri në qytet. Heshtja dhe duroja, duke menduar që ndoshta punët do të përmirësohen dhe burri do të kuptojë që nuk mund të sillet më kështu kundrejt meje. Por gjendja ime dita ditës përkeqësohej. Kështu, pas një zënke të madhe, ai më rrahu përsëri dhe më nxori në rrugë. Më hodhi vetëm dy qese najloni me gjërat më të domosdoshme personale. Qëndrova gjatë kohë ashtu në rrugë, duke qarë dhe duke mos ditur se çfarë të bëja. Mendoja që gjithë bota po shkatërrohej sipër meje. Atëherë erdhi fqinja ime dhe më tha se do të më ndihmonte dhe së bashku erdhëm në këtë Qendër. Këta njerëz më pranuan mirë dhe ia arritën disi të më vendosnin”, thotë gruaja.
Sllagjana Josifovska, koordinatore në Qendrën për ndihmë ligjore pa pagesë në Tetovë, thotë që ky rast me gruan nga Shqipëria është rast karakteristik i dhunës familjare.
“Kur gruaja erdhi te ne ishte e dëshpëruar. Ishte e gatshme edhe të flejë në rrugë, vetëm që të mos kthehet te i shoqi dhunues. Ne morëm masa menjëherë dhe nëpërmjet kontakteve me organizatat partnere në Shkup, për një kohë të shkurtër, arritëm t’i siguronim vendosje në Qendrën për kriza në Shkup, ndërsa pastaj edhe në Qendrën Shelter, e cila edhe pse e mbushur plot, i mundësoi një vendosje kësaj gruaje. Meqë nuk kishte kushte për t’u kthyer te familja e saj, gruaja mbeti në Qendrën Shelter për një muaj e gjysmë, e pastaj ne përsëri u angazhuam dhe në bashkëpunim me Qendrën për punë sociale dhe familje morëm masa që gruaja të ngelej edhe më tej në qendrën pranuese”, thotë Josifovska.
Në QNJ më së shpeshti paraqiten viktima të dhunës psiqike dhe fizike, ndërsa ka edhe raste të dhunës seksuale dhe ekonomike. Për fat të keq, përveç ndihmës ligjore pa pagesë, kjo qendër nuk mund t’u ofrojë ndonjë lloj tjetër mbrojtjeje viktimave të dhunës familjare, thotë Josifovska.
“Në tërë rajonin perëndimor të Maqedonisë nuk ekziston asnjë lloj shërbimi për viktimat e dhunës familjare, përveç Qendrës për ndihmë juridike pa pagesë në Shoqatën Forumi i Gruas në Tetovë. Nuk ka qendër shelter, nuk ka linjë SOS, nuk ka këshillimore psikosociale. Një problem tjetër mbi të cilin duhet punuar është sigurimi i mirëmbajtjes në Qendër. Ajo tani financohet vetëm prej donacioneve të huaja dhe punës vullnetare të avokates dhe koordinatores. Besoni, numri i rasteve të paraqitura të dhunës familjare me siguri do të ishte më i madh në rast se do të kishim linjë telefonike SOS dhe vend të veçantë për vendosjen e viktimave të dhunës familjare”, thotë Xhane Kreshova, kryetarja e organizatës joqeveritare Forumi i Gruas, e cila një pjesë të madhe të aktivitetit të saj ia dedikon ndihmës së viktimave të dhunës familjare.
EDHE BURRI ËSHTË VIKTIMË
Në vitin 2015 në Qendër ishin të paraqitura 32 raste të dhunës familjare, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2016 kishte 11 raste, nga të cilat 10 ishin të viktimave gra, ndërsa në një rast, viktima e dhunës familjare ishte burrë.
“Paraqitja e dhunës familjare është ngritur në nivel shumë më të lartë, për dallim nga fillimet, para dhjetë vjetësh, kur QNJ-ja filloi me punë. Kjo nuk do të thotë që kemi rritje të dhunës familjare, por që është ngritur vetëdija te viktimat në lidhje me këtë fenomen. Fatkeqësisht, ende ekzistojnë barriera që i kufizojnë gratë për të paraqitur dhunën, sidomos gratë e viseve rurale, si paragjykimet, stereotipet, turpi nga rrethi, frika nga dhunuesi, edukimi patriarkal, varësia e plotë ekonomike nga burri, pabesueshmëria ndaj institucioneve. Më tragjikja nga të gjitha është që, edhe ato që kanë guxuar të paraqesin rastin e tyre, këtë gjë e kanë bërë pas keqtrajtimit të gjatë që ka zgjatur me muaj apo edhe me vite”, thotë Verica Timosieska, avokate në Qendrën për ndihmë juridike.
Për faktin që dhuna familjare në Tetovë dhe Gostivar është më e pranishme tregojnë edhe statistikat policore. Sipas SPB-së në Tetovë, gjatë shtatë muajve të fundit, në Tetovë dhe në rajonin e Tetovës janë ngritur 41 padi penale për raste më serioze të dhunës familjare, me shkaktim të lëndimeve trupore, kërcënim të sigurisë dhe detyrim me dhunë. Shkaktarët më të shpeshtë janë bashkëshortët, ndërsa viktimat më të shpeshta bashkëshortet, gratë e martuara më herët ose gratë e pamartuara, baballarët, nënat dhe fëmijët.
Gjatë gjashtë muajve të vitit, në krahinën e Gostivarit janë përgatitur 29 padi penale për dhunë familjare. Edhe këtu, viktimat më të shpeshta janë bashkëshortet, në 16 raste.
Përktheu: Fjolla Zllatku