O, SHPIRTI IM

Harxhuan edhe idenë edhe vlerat evropiane me budallallëqet që i përsërisin kinse në emër të BE-së.

1 Pas rezultatit katastrofal të LSDM-së në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ku dallimi mes Gordana Siljanovska-Davkovës dhe Stevo Pendarovskit është 180.000 vota, më e mira është që LSDM-ja gjatë këtyre dhjetë ditëve deri te rrethi i dytë dhe zgjedhjet parlemntare t’i ndërpresë muhabetet për Bashkimin Evropian. Sepse prej muhabeteve nuk del asgjë e hajrit. U dashka të niset puna…
Çfarëdo që të thonë për BE-në është e pakuptimtë dhe nuk e ndihmon idenë evropiane. Madje as paralajmërimet e Dimitar Kovaçevskit që nëse fiton VMRO-DPMNE-ja do të cenohet perspektiva evropiane. Fakti që e përmendin BE-në një qind herë në ditë nuk i bën më shumë evropianë se ata që në këto zgjedhje nuk u dhanë votë.

Nuk mundet perspektiva evropiane që na e ofron LSDM-ja të bazohet vetëm te futja e bullgarëve në Kushtetutë. Kush i pengonte të zbatojnë praktikën evropiane të qeverisjes dhe punës edhe pa negociata të nisura me BE-në? Sa punë mund të bëhen edhe pa mbështetjen e BE-së? Sa punë nuk guxonin t’i bëjnë edhe pa filluar negociatat me BE-në? Të paktën ata e dinë se si funksionon BE-ja. Kanë shëtitur. Çdo ditë fotografohen në Bruksel.

Por kështu e kishin më së lehti. U premtuam të huajve se do ta ndryshojmë kushtetutën dhe se do t’i zgjidhim të gjitha problemet. BE-ja do ta mbarojë punën për ne. SHBA-ja nuk do të lejojë VMRO-DPMNE-në të kthehet në pushtet. Kurse ne do të rrimë nëpër kafene, te shokët që e uzurpuan hapësirën publike me tarracat ilegale për duhah, dhe do të ankohemi për qytetarët budallenj që nuk marrin vesh nga gjeopolitika, kundërshtarët partiakë do t’i akuzojmë se janë antievropianë prorusë, ndërsa ata që na kritikojnë do t’i frikësojmë se u është kthyer VMRO-ja.

Ja që, nuk paska qenë aq e thjeshtë.

2Maqedonasin ndoshta edhe do t’ia falnin qeverisë atë propozim të pafat francez që e pranoi pa qenë e sigurtë nëse do ta realizojë, nëse do të praktikonte vlera evropiane dhe mënyrë të punuarit evropiane në shtëpi. Nëse do të ishin të suksesshëm e nëse do të qeverisnin ndershëm ndoshta do të përtypnim edhe një ndryshim të Kushtetutës. Ja, të themi që edhe të mos arrinin që krejtësisht ta shfarosi korrupsionin, prapë do të kishim kuptim. Por, të paktën ata nuk duhej të ishin të korruptuar. Duhej vetëm t’i respektonin ligjet, nga të cilat një numër i madh nuk janë as të harmonizuara me ligjet evropiane. Të kishte pak më shumë rregull në institucionet shtetërore dhe të mos sundonte mosdënimi, apo drejtësia selektive, çështja nëse një grup etnik apo një tjetër prej 3-4.000 njerëzve do të përmendet në Preambulën e Kushtetutës do të ishte diçka margjinale.
Por, për kë po flasim? Rrogat i zmadhuan për 70 përqind më pak se një vit para zgjedhejve. I amnistuan kriminelët. U siguruan që edhe ata të jenë të amnistuar në të ardhmen, nëse i zënë se kanë vjedhur. Dhe gjithë këtë e bënin në emër të BE-së duke miratuar ligje në Kuvend me procedurë të shprejtë, me flamur evropian. Ndërkohë, dështojnë procese gjyqësore për korrupsion të lartë dhe krim, shitja e tokës shtetërore nuk ndërpritet, kaosin urban jo vetëm që nuk e rregullojnë, por e bëjnë edhe më të madh, kursidin tenderë, punësojnë me meritë partiake…

E tani, ç’bëjmë? E tani, problem paska qenë perspektive evropiane. Nuk ndihmon as poezia e Bojan Mariçiqit: “Zemra e Maqedonisë është e kuqe dhe luftarake socialdemokratikisht, me frymë evropiane shkojmë në fitore”.

Harxhuan edhe idenë edhe vlerat evropiane me budallallëqet që i përsërisin kinse në emër të BE-së.

Dhe – “e pranuam mesazhin, nuk heqim dorë nga e ardhmja”. Epo, nga e ardhmja nuk mund të heqësh dorë. E ardhmja gjithsesi do të vijë. Me apo pa ty. Çështja është vetëm se a do të jetë e mirë apo e keqe, këtu eventualisht mund të intervenosh.

Na ofrojnë të ardhme evropiane, pa bërë asgjë për të tashmen evropiane.

3 Ashtu që, Hristijan Micskoski mund ta ulë pak çallëmin kur thotë “u ngrit cunami dhe më 8 maj e do t’i shkrijë plotësisht”. Të paktën në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, VMRO-DPMNE-ja pak a shumë i mori votat që i merr rregullisht. Por meritat për këtë nuk i ka aq shumë VMRO-ja, saqë i ka LSMD-ja. Nuk është një cunami. Por është një shkrirje e LSDM-së, sepse deri më tani nuk u ka ndodhur të fitojnë më pak se 200.000 vota. Por kjo shkrirje nuk është shkaktuar nga cunami i VMRO-DPMNE-së, por nga derdhja e votave nga LSDM-ja. Po rrjedh nga të gjitha anët.
Mbrëmjen në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, Mickoski i falënderoi të gjithë ata që votuan për Siljana-Davkovën, i thërriti të votojnë të gjithë ata që nuk kanë votuar për asnjeri, por iu drejtua edhe “atyre që dolën dhe votuan për qeverinë, dua të dini se nuk do të ketë hakmarrje ndaj askujt”.

Dua të besoj se përmendja e fjalës “hakmarrje” i shpëtoi liderit të VMRO-DPMNE-së si pasojë e gabimit frojdian, që i doli nga nënvetëdija për shkak të qeverisjes së errët 11-vjeçare të VMRO-DPMNE-së kur e dinin se kush si ka votuar, përndryshe “britma e piskama do të ketë”.

Vërtetë shumë ngushëlluese për ata që kanë votuar për Stevo Pendarovskin dhe për ata që do të votojnë për qeverinë më 8 maj.

4 Dhe – si qershia mbi tortë, për shënimin solemn të perspektivës së ndritur evropiane u paraqit dhe Ali Ahmeti në tubimin qendror të Frontit Evropian të BDI-së për kandidatin e tyre për president të shtetit Bujar Osmani në Sheshin e Maqedonisë në Shkup që të bërtasë në foltore: “UÇK,UÇK” ndërkohë që jehon thirrja në turmën e burrave, ku nuk valon asnjë flamur i shtetit, por vetëm ai shqiptar dhe tek-tuk ndonjë amerikan.
Me të vërtetë, nuk ka dorëzim nga e ardhmja.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира