Shtëpia e Shëndetit Shkup pret miratim nga Ministria e financave dhe shoqërisë informative dhe administratës, në mënyrë që të mund t’i marrë të punësuarit në ambulancat e burgut në Entin edukues korrigjues Idrizovë dhe në institucionin edukues korrigjues Shkup.
Bordi drejtues i Fondit për sigurim shëndetësor (FSSH) më 31 janar të këtij viti ka miratuar 21 milion denarë që Shtëpia e Shëndetit Shkup të mund t’i marrë ambulancat e burgut. Dr Zllate Mehmedoviq, drejtor i Shtëpisë së shëndetit Shkup, thotë që me këto para duhet të mbulohen shpenzimet për ilaçe, mjete medicinale dhe rrogat e të punësuarve.
“Për momentin, në ambulancën në burgun Idrizovë ka gjashtë persona mjekësor dhe jomjekësor të punësuar kurse në burgun e Shutkës ka katër të punësuar. Marrëveshjet për marrjen e të punësuare me drejtoreshat e burgjeve i nënshkruam, morëm miratim nga Ministria e shëndetësisë, kurse tani priten edhe këto miratime Shpresoj se deri në fund të muajit kjo punë do të përfundojë dhe më në fund do t’i marrim ambulancat”, thotë dr. Mehmedoviq.
Sipas sistematizimit, që të munden ambulancat e burgut të punojnë në mënyrë optimale në dy ndërrime, në entin edukues korrigjues Idrizovë duhet të ketë një specialist, dy mjekë të mjekësisë së përgjithshme, një stomatolog, një psikolog, dy motra medicinale, Momentalisht, sipas sistematizimit burgu disponon me dy mjekë, dy motra medicinale, një stomatology dhe një psikolog. Në Institucionin edukues korrigjues Shkup, sipas sistematizimit duhet të ketë një specialist, dy mjekë, një stomatolog, një psikolog dhe dy motra medicinale, kurse momentalisht ata kanë një mjek, dy motra medicinale dhe një psikolog.
“Në mënyrë që të mbushim numrin me kuadro sipas sistematizimit, do të na nevojiten miratime shtesë për punësim. Burgjet kanë nevojë për laborator, por sipas sistematizimit nuk është parashikuar punësimi i një laboranti. Këtë do ta zgjidhim duke i dërguar laborantët tanë që të marrin mostra, që cilat më pas do të analizohen në stacionin shëndetësor në Shuto Orizari apo në Çair”, thotë dr. Mehmedoviq.
Ai tha se sipas informacioneve të marra nga Agjencia për kryerjen e sanksioneve, për momentin në të dyja burgjet ka 1.500 persona të gjykuar.
“Ideja ishte që edhe ata të jenë të siguruar në Fondin për sigurim shëndetësor dhe këtë sigurim t’ua paguajë Agjencia për kryerjen e sanksioneve, por akoma nuk është konfirmuar shuma që duhet të paguhet për sigurim shëndetësor”, thotë dr Mehmedoviq.
Sigurimi i mbrojtjes shëndetësore për të burgosurit vitet e kaluara ka qenë diçka që është kritikuar vazhdimisht nga organizatat joqeveritare, ndërkohë që kishte vërejtje serioze edhe nga Avokati i popullit, pasi një numër i madh i burgjeve ishin lënë vetëm me një mjek, kurse në disa prej tyre nuk gjendej as edhe një mjek. Gjithashtu, kishte vërejtje serioze edhe sa u përket kushteve hapësinore ku zhvillohet mbrojtja shëndetësore, gjegjësisht ambulancat janë të shkatërruara dhe nuk posedojnë pajisjet e nevojshme.
“Pajisja e ambulancave do të bëhet krahas kësaj. Këto para nga FSSH i kemi për ilaçet dhe rrogat e të punësuarve”, thotë dr Mehmedoviq.
E. BOÇVAROVSKA