10 VJET PRESIM TË NA PAGUHEN 24 RROGA, NDËRKOHË QË GJYSMA E KOLEGËVE NA KANË VDEKUR NGA HELMET QË KONSUMOJMË, THONË TË PUNËSUARIT E “OHIS”

Të punësuarit e kaluar në “Ohis” thonë se me vite të tëra trokasin nga njëra derë te tjetra, por askush deri më sot nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre dhe për ndihmë janë drejtuar te Avokati i popullit

10 VJET PRESIM TË NA PAGUHEN 24 RROGA, NDËRKOHË QË GJYSMA E KOLEGËVE NA KANË VDEKUR NGA HELMET QË KONSUMOJMË, THONË TË PUNËSUARIT E “OHIS”Golgota me rastin “Ohis” për të punësuarit zgjat plot dhjetë vjet. Të punësuarit e kaluar kërkojnë rrogat e papaguara me shumë totale prej 5,5 milionë eurosh. Thonë se me vite të tëra shkojnë derë më derë, por askush deri më tani nuk u është përgjigjur kërkesave të tyre. (Foto: Gj. Liçovski)

Mbi 300 të punësuar në SHA “Ohis” në Shkup i janë drejtuar Avokatit të popullit për ndihmë për të zgjidhur problemin e tyre 10 vjeçar me 24 rrogat e papaguara dhe parregullsitë në zbatimin e procedurës së falimentimit. Golgota e rastit “Ohis” për të punësuarit zgjat plot 10 vjet. Të punësuarit e kaluar kërkojnë t’u paguhen rrogat të cilat të mbledhura bashkë kanë vlerë të shumës prej 5,5 milionë euro.

Në bazë të dokumentimit për zbatimin e procedurës së falimentimit, Avokati i popullit vlerëson se kreditorëve u është shkaktuar dëm me shlyerjen e shpenzimeve të pastrimit, neutralizimit, shkatërrimit dhe dislokimit të materialeve kimike të rrethit të fabrikës, për shkak se Vendimi i marrë nga ana e Komitetit drejtues për koordinim dhe menaxhim të sistemit për kriza është që dislokimi dhe neutralizimi i materies së rrezikshme të bëhet në llogari të SHA “Ohis” në falimentim, gjegjësisht në dëm të kreditorëve me detyrimet e përcaktuara.

“Në bazë të vendimit të lartpërmendur, Gjykata themelore Shkupi 2 ka sjellë Vendimin me anë të cilit mbeturinat e fabrikës duhet të pastrohen në llogari të SHA “Ohis” në falimentim dhe për këtë nga llogaria janë ndarë 128.620.000 denarë, të cilat nëse nuk do të ishin ndarë në këtë mënyrë nga Komiteti, Avokati i popullit konsideron se ato mjete do të ishin qenë të mjaftueshme për shlyerjen e një numri të madh të kreditorëve me detyrime të përcaktuara,  gjegjësisht të detyrimeve të përcaktuara të punësuarve të kaluar në lidhje me të gjitha rrogat dhe kontributet e papaguara”, thonë nga Zyra e Avokatit të popullit.

Në bazë të dokumentimit për zbatimin e procedurës së falimentimit, Avokati i popullit vlerëson se kreditorëve u është shkaktuar dëm me shlyerjen e shpenzimeve të pastrimit, neutralizimit, shkatërrimit dhe dislokimit të materialeve kimike të rrethit të fabrikës (Foto: Gj. Liçovski)

Këto parregullsi Avokati i popullit i ka vërtetuar nga puna e avokatit që përfaqësonte interesat e të  punësuarve të kaluar në SHA “Ohis”, i cili ka qenë i autorizuar dhe i paguar nga të punësuarit e kaluar për t’i paraqitur detyrimet e tyre. Por, avokati nuk ka bërë asgjë në lidhje e këtë gjë, duke bërë që të dëmtohen një numër i madh i kreditorëve në paraqitjen dhe shlyerjen e borxheve nga fabrika.

“Për shkak të mbrojtjes së të drejtave të kushtetutës dhe të drejtave ligjore të paraqitësve të parashtresës në këtë rast, pas këtij konstatimi, Avokati i popullit ka dërguar Kërkesë drejt prokurorit kompetent shtetëror për ngritjen e procedurës, për të vërtetuar parregullsinë e avokatit me qëllim që të mbrohen të drejtat e të punësuarve të kaluar në SHA “Ohis”. Me anë të kësaj kërkese janë përfshirë 50 të punësuar të kaluar në SHA “Ohis” dhe shoqatat me përgjegjësi të kufizuar të themeluara nga SHA “Ohis”, thonë nga Zyra e Avokatit të popullit Ixhet Memeti.

Të punësuarit e kaluar në “Ohis” thonë se për vite të tëra shkojnë nga njëra derë te tjera, por deri më tani nuk u përgjigjet kërkesave të tyre.

“Për vite të tëra kemi punuar me helme kimike, gjysma e kolegëve për shkak të punës së këtillë ose vdiqën ose u bënë invalidë. Unë për 42 vjet kam punuar në “Ohis” dhe më janë borxh 24 rroga. Akoma asgjë nuk më kanë shlyer. Kam borxhet e mia ndaj EVN-së për rrymë, ndaj “Ujësjellës dhe kanalizim” për ujë…si t’i paguaj? Nga këto 24 rroga, tetë duhet të na i paguajë shteti, pasi ato janë borxhe të vitit 2008 kur Qeveria ishte pronare e pothuajse 85 përqind të aksioneve, dhe për ta kemi vendime përmbaruese gjyqësore. Kur kanë para për vreshtarët, e për t’u dhënë komunave që t’ua shlyejnë borxhet, apo për t’i kthyer paratë në shtyllën e dytë dhe në shumë projekte të tjera, pse nuk na paguajnë ne?”, thotë Dragosllav Cvetkovski, një prej të punësuarve të kaluar në SHA “Ohis” i cili për vite të tëra zhvillon betejën për pagesën e detyrimeve që i takojnë nga fabrika.

Të punësuarit thonë se ata nuk do të mund të paguhen siç duhet as me paratë nga shitja e “Ohis”-it prej 7,1 milionë euro.

“Dëmshpërblimi i të punësuarve nga SHA “Ohis” është rreth 1,6 përqind, në fakt është ndryshe për të gjitha pjesët e fabrikës. Nga ato 7,1 milionë, 2 milionë parashikohet që të jepen për pastrimin e lëndëve të para të papërdorura në rrethin e fabrikës, gjë që është e pakuptueshme. Pasi, pse duhet që me këto para të pastrohet fabrika, kur duhet të na i shlyejnë borxhet neve? Me këto para do të paguhen edhe kreditorët, bankat, ndërmarrjet publike, firmat, etj, që do të thotë se ne përsëri do të mbesim pa u paguar”, thotë Rozeta Atanasova, e cila për 36 vjet ka punuar në SHA “Ohis”.

“Nga këto 24 rroga, tetë duhet të na i paguajë shteti, pasi ato janë borxhe të vitit 2008 kur Qeveria ishte pronare e pothuajse 85 përqind të aksioneve, dhe për ta kemi vendime përmbaruese gjyqësore”, thotë Dragosllav Cvetkovsk, i cili për 42 vjet ka punuar në SHA “Ohis”. (Foto: Gj. Liçovski)

Duke pasur parasysh se të punësuarit e kaluar kanë pasur vështirësi në komunikimin me drejtuesit e falimentimit, gjegjësisht nuk i kanë marrë informacionet e kërkuara gjatë kohës së procedurës së falimentimit, Avokati i popullit për çdo parashtresë nga të punësuarit është drejtuar te administratorët e falimentimit me kërkesë për shpjegim, informacione dhe dëshmi për pretendimet e parashtesave duke kërkuar që secilës prej tyre t’u jepet një përgjigje më vete në lidhje me atë se a ka qenë kërkesa e tyre për detyrimet  e përcaktuara e paraqitur me kohë, a ka qenë në listën e detyrimeve të përcaktuara dhe a u janë transferuar mjetet gjatë alokimeve paraprake dhe informacionet e mbledhura ua dorëzoi kreditorëve – të punësuarve të kaluar.

“Poashtu, paraqitësit e parashtresave pretendonin se në listat e detyrimeve të përcaktuara figurojnë persona që nuk duhet të jenë aty, duke kërkuar shuma të mëdha. Avokati i popullit është drejtuar te administratorët e falimentimit, të cilët kanë dhënë vërtetim në varësi të asaj që nga SHA “Ohis” dhe shoqatat e themeluara duhet t’u shyejnë. Këto vërtetime u janë treguar paraqitësve të parashtresave dhe është dhënë këshillë juridike nga Avokati i popullit për zbatim të mëtejshëm përderisa ata konsiderojnë se ekzistojnë keqpërdorime gjatë futjes së këtyre personave në listën e detyrimeve të përcaktuara. Një nga administratorët e falimentimit të një prej shoqatave me përgjegjësi të kufizuar të SHA “Ohis” ka pasur informacione se 8 persona i kanë pasur të shlyera dyetimet por përsëri kanë paraqitur kërkesë për shlyerje.

Avokati i popullit në komunikimin me të punësuarit e kaluar dhe mbledhjen e dokumentimit në lidhje me kërkesat për detyrim ka vërtetuar se ato nuk janë shlyer dhe pasi këto dokumente u dorëzuan te administratori i falimentimit, 7 persona kanë rezultuar me detyrime të pashlyera, të cilat do të shlyhen me anë të procesit të falimentimit”, thonë nga Zyra e Avokatit të popullit.

Nga Gjykata themelore publike ku Avokati i popullit ka dërguar një paraqitje më 7 shkurt, thonë se të gjitha paraqitjet që mbërrijnë te ta shpërndahen te prokurori dhe kalohet një procedurë parahetimore para se të sillet akuza. Që këtu, në këtë fazë nuk mund të jepen informacione të tjera.

Nga qeveria thonë se janë njoftuar me kërkesat e punëtorëve të “Ohis”-is të falimentuar dhe ndryshe nga Qeveria e kaluar ata janë pranuar në disa raste në takim me kryeministrin Zoran Zaev dhe një pjesë të ministrave.

“Me shitjen e pronës prej rreth 220 milionë denarësh apo 3,5 milionë eurosh do të paguhen proporcionalisht të gjithë kreditorët. Nuk ekziston ndonjë mënyrë që sipas Ligjit për procedurë falimentimi, të paguhen krejtësishti. Duhen shlyer edhe detyrimet nga kreditorë, banka, ndërmarrje dhe firma të tjera. Ekziston dhe një pronë tjetër që ka mundësi të shitet, kështu që aty do të paguhet një pjesë e detyrimeve. E dimë se kërkojnë se edhe Qeveria të futet me mjetet e buxhetit, por për një gjë të tillë qeveria akoma nuk ka marrë vendim.”, thotë Zoran Shapuriq, ministër pa portofol, përgjegjës për përmirësimin e klimës së investimit për ndërmarrje të vendit.

A. ANTEVSKA

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира