ME IVANKËN MËSOHET LEHTË, THOTË KOSTA ARIZANOVI, NJË NGA 17 NXËNËSIT МЕ КUFIZIME NË SHKOLLË TË MESME TË CILËT FITUAN ASISTENTË ARSIMORË

ME IVANKËN MËSOHET LEHTË, THOTË KOSTA ARIZANOVI, NJË NGA 17 NXËNËSIT МЕ КUFIZIME NË SHKOLLË TË MESME TË CILËT FITUAN ASISTENTË ARSIMORË19 vjeçari Kosta Arizanov, i cili vuan nga Sindroma Down është në vit të tretë në shkollën e mesme “Gjeorgi Dimitrov”. Pranë tij, tashmë për gjashtë muaj, qëndron asistentja Ivanka Stoimenova e cila i ndihmon gjatë mësimit. (Foto: Gj. Liçovski)

Shtatëmbëdhjetë nxënës të shkollave të mesme në Shkup për herë të parë këtë vit morën asistentë arsimorë, të cilët do t’u ndihmojnë gjatë periudhës së mësimit shkollor. Ky projekt zbatohet nga Qyteti i Shkupit bashkë me UNDP dhe Agjencinë për punësim, në suaza të programit për shoqëri pa diskriminime, me mundësi të barabarta për të gjithë.

19 vjeçari Kosta Arizanov, i cili vuan nga Sindroma Down është në vit të tretë në shkollën e mesme “Gjeorgi Dimitrov”. Pranë tij, tashmë për gjashtë muaj, qëndron asistentja Ivanka Stoimenova e cila i ndihmon gjatë mësimit.

“Me Ivankën mësimi bëhet shumë i thjeshtë. Marr edhe nota pesëshe, ndërsa lënda ime e preferuar është gjuha maqedonase. Tani mund të shkruaj dhe të lexoj më mirë. Ivanka është shoqja ime më e mirë”, na tha Kosta kur e vizituam një ndër orët e mësimit.

Asistentja arsimore Ivanka Stoimenova qëndron çdo ditë me Kostën në orët e tij shkollore duke i ndihmuar me mësimet.. (Foto: Gj. Liçovski)

Në vitin e tij të parë që kur u regjistrua në shkollën e mesme “Gjeorgi Dimitrov” në degën për teknik të pyjeve dhe arkitekturë peizazhi, ka pasur një asistent-defektolog, të angazhuar privatisht nga prindërit e tij. Mirëpo pas një kohe ka mbetur pa asistent dhe është detyruar të mësojë vetëm, gjë që për të ka qenë shumë e vështirë.

“Që kur mbetëm pa defektolog me orar të plotë pune, nuk arrinim të gjenim person tjetër. Ishte shumë e vështirë. Për mua 12.000 denarë në muaj janë shumë, e për ata pak, sigurisht. Unë punoj dhe nuk mund të shkoj në shkollë me Kostën. Fakti që Kosta fitoi një asistent për mua ka rëndësi të madhe dhe na ka ndihmuar shumë”, thotë nëna e Kostës, Vesna Cvetkovska.

Nga momenti që Kosta mori asistent arsimor, rezultatet e tij, siç thotë dhe Vesna, janë rritur. Tani ai arrin të lexojë, të shkruajë, si dhe të komunikojë me njerëz të tjerë.

“Jam shumë e lumtur, tani Kosta dëshiron të mësojë. Ekziston një diferencë e madhe, si në komunikim, ashtu dhe te vetbesimi i tij. Kur ishte vetë në mësim, shkruante shumë më keq, sa që ne nuk mund të kuptonim se ç’kishte shkruar, e as ai vetë. Por, tani nuk është më kështu. Të folurit e tij është përmirësuar dhe arrin të flasë më tepër. Më parë nuk kishte dëshirë të komunikonte pasi shprehej me shumë vështirësi. Tani mezi pret të shkojë në shkollë që të mësojë me Ivankën”, thotë Vesna.

Asistentja Ivanka është pedagoge e diplomuar me profesion. Pas diplomimit nuk ka mundur të gjejë punë e cila i përshtatet profesionit të saj. Kur është thërritur në intervistë për të qenë asistent arsimor i një personi me kufizime në zhvillim, ka pranuar menjëherë.

“Kjo është hera e parë që punoj si një asistente arsimore. Kam filluar në tetor dhe jam tejet e kënaqur. T’i ndihmosh një fëmije është një nderi i madh, pasi fëmijët e këtillë janë shumë të sinqertë dhe dhurojnë shumë dashuri. Ata e kthejnë dyfishin e dashurisë që na investojmë tek ta. Kosta është fëmijë pozitiv, i qeshur, i gëzuar me të gjithë dhe vazhdimisht na përqafon”, tha Ivanka, pas orës së dytë, ndërkohë që Kosta rrinte me shokët e tij të klasës gjatë pushimit.

Sipas programit, asistentët janë të angazhuar gjatë 4 orëve mësimore. Kur Kosta është në ndërrimin e parë, Ivanka e shoqëron nga ora e tretë e deri në ora 13, kurse në ndërrim të dytë, nga ora 14 deri në 18.45. Pjesa më e preferuar e ditës për Kostën është pushimi i gjatë, kur të dy bashkë shkojnë për të ngrënë diçka.

“Detyrimet e mia janë vetëm shkollore. I ndihmoj me të shkruarit, që të kujdeset për shkronjat në mënyrë që t’i shkruajë me rregull, të mbajë hapësirat e duhura mes fjalëve brenda fjalisë, shkrimi të jetë i lexueshëm dhe i kuptueshëm. Gjithashtu, të lexojë dhe të shkruajë në gjuhën angleze. I bëjmë bashkë detyrat e shtëpisë. Kur fëmijët e tjerë shkruajnë hartime, Kosta bën një test, sigurisht, sipas aftësisë së tij intelektuale. Nga momenti që kam filluar me punë, ai qëndron akoma edhe deri në fund të ditës, gjë që nuk e ka praktikuar në të kaluarën”, tha Ivanka, kurse kur ne e pyetëm atë se cila ishte lënda e preferuar e Kostës, na tha që Kostës i pëlqen të marrë pesë te të gjitha lëndët. Ky është motivimi më i madh për të.

Ivanka thotë se do të vazhdojë së punuari këtë punë dhe beson se edhe viti i ardhshëm shkollor do ta gjejë nën shoqërimin e Kostës, që të maturojnë bashkë.

“Nga momenti që Kosta mori asistent arsimor, rezultatet e tij janë rritur. Tani ai arrin të lexojë, të shkruajë, si dhe të komunikojë me njerëz të tjerë”, thotë nëna e Kostës, Vesna. (Foto: Gj. Liçovski)

“Kjo është një punë shumë fisnike, i ndihmon fëmijës, prindërve, por dhe profesorëve, pasi ata nuk mund t’i përkushtojnë vëmendje vazhdimisht fëmijëve me pengesa në zhvillim”, thotë Stoimenova, të cilën e ndihmojnë edhe nxënësit e klasës së Kostës. Në mësime, kur Ivanka nuk gjendet pranë Kostës, janë nxënësit ata që i ndihmojnë gjatë mësimit, dhe pastaj ia transmetojmë Ivankës gjërat që kanë mësuar që të mund t’ia përgatisë Kostës detyrat e shtëpisë.

Krahas asistentëve personalë, me nxënësit me pengesa në zhvillim merren edhe defektologët nëpër shkolla. Fillimisht detektohen të gjithë fëmijët që kanë nevojë për metoda të veçanta arsimimi dhe më pas formohet një ekip inkluziv brenda shkollës. Çdo arsimtar i këtyre nxënësve duhet të përpunojë një program arsimor individual.

“Paraprakisht unë bëj vlerësimin e nivelit të nxënësit, se deri ku mund të ulim nivelin e çdo lënde mësimore dhe këto të dhëna ua përçoj profesorëve. Në bazë të këtij vlerësimi përpunohet program individual arsimor. Kemi një qasje të ndryshme edhe për ata nxënës që kanë vështirësi gjatë mësimit. Përshtaten metodat, format, mjetet e punës, sidomos për fëmijët me disleksi. Përderisa një fëmijë nuk mund të shprehet me shkrim ose ka vështirësi në të shkruar, mund të zhvillohen teste gojore apo testet të përshtaten me përgjigje më të shkurtra apo me rrethim të përgjigjeve të sakta”, thotë Meri Stamenkovska, defektologe në shkollën e mesme “Gjeorgi Dimitrov”.

Edhe defektologia Stamenkovska thotë se ka një përparim të madh te Kosta që kur ka marrë asistent arsimor. Pas mësimeve edhe ajo punon me Kostën në zhvillimin e të folurit, sidomos për lëndën e matematikës, e cila paraqet vështirësi më të madhe për këta persona.

Kosta nuk ka krijuar varësi, por i nevojitet një nxitje për të mësuar. Andaj efekti që arrihet kur dikush e shoqëron në shkollë është shumë më i mirë se sa kur ai shkon vetëm. Jam shumë e kënaqur nga dy asistentët e shkollës sonë. Në shkollën tonë kemi 8 fëmijë me pengesa në zhvillim, por asnjë prej prindërve nuk dëshironte asistent. Ky është vendim i prindërve. Ne në fillim të vitit shkollor i lajmëruam për programin në fjalë, por prindërit janë ata që në fund vendosin nëse fëmijët e tyre kanë nevojë për ndihmë apo jo”, shtoi Stamenkovska.

Qyteti i Shkupi dhe UNDP filluan programin për asistentë arsimor për fëmijë me pengesa në fillim të këtij viti shkollor. Synimi i projektit është të nxitet inkluzioni dhe nxënësi të mos konsiderohet si një problem por sistemi të mund të përshtatet ndaj nxënësit dhe nevojave të tij. (Foto: Gj. Liçovski)

Qyteti i Shkupi dhe UNDP filluan programin për asistentë arsimor për fëmijë me pengesa në fillim të këtij viti shkollor. Synimi i projektit është të nxitet inkluzioni dhe nxënësi të mos konsiderohet si një problem por sistemi të mund të përshtatet ndaj nxënësit dhe nevojave të tij.

“Këtë vit janë angazhuar 17 asistentë arsimorë, në 9 shkolla të mesme, pasi aq nxënës janë paraqitur. Nën kompetencat e Qytetit të Shkupit janë 24 shkolla të mesme. Te ne ekziston një stigmë në shoqëri në lidhje me këtë gjë. Ka prindër të cilët kanë fëmijë me kufizime, por nuk dorëzojnë dokumentacion mjekësor, gjë që kanë të drejtë të mos e bëjnë pasi bëhet fjalë për informacione të karakterit të fshehtë. Nëse në një shkollë ekzistojnë 8 dokumentacione për fëmijë me pengesa në zhvillim, me siguri që numri i tyre real është dyfish më i madh. Kjo vlen në veçanti për fëmijët me disleksi, disgrafi dhe diskalkuli. Ata e mbulojnë faktin duket thënë se fëmija është kokëfortë,  temperament apo se nuk dëshiron të mësojë dhe se i pëlqen arti apo sporti. Ne nuk mund të bëjmë asgjë këtu”, thotë Sulltana Çuleva nga Sektori për arsim i Qytetit të Shkupit.

Qyteti i Shkupit do të vazhdojë edhe vitin tjetër dhe shpresojnë se një numër më i madh i shkollave dhe prindërve do të përfshihen në këtë projekt.

A. ANTEVSKA 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира