Qytetarët në Maqedoni, pasi të kenë mbushur 70 vjeç, nuk kanë më të drejtë të posedojnë dhe të përdorin një kartelë kredie dhe janë të privuar nga të gjitha përfitimet për blerje me këste dhe për pagesa jashtë vendit, ndryshe nga ata që janë nën moshën 70 vjeçe.
Për ata që kanë kartela kredie, bankat ua bllokojnë ato pa i njoftuar, duke i shpallur të pavlefshme.
Problemi është me personat mbi 70 vjeç, të cilët kanë dy-tre kartela kredie, sepse ata duhet të kthejnë menjëherë fondet që i kanë borxh, ose të sjellin bilancin e kartelave të kredisë në zero. Pyetja është si do të gjejnë para për këtë dhe a mund secili të përballojë menjëherë të mbetet pa para?
Këta bashkëqytetarë tanë janë të privuar nga e drejta për shumë shërbime edhe jashtë vendit. Nëse udhëtojnë jashtë, ata nuk do të mund të përdorin shumë nga shërbimet, duke filluar nga shërbimet hoteliere, pastaj Uber, taksi, rent a car, etj.
E pyetëm Shoqatën Bankare të Maqedonisë për këto pasoja në përditshmërinë e atyre që kanë mbushur 70 vjeç me humbjen e së drejtës për të pasur kartela kredie dhe nëse kjo mund të konsiderohet diskriminim mbi bazën e moshës. Ata na thanë se të gjitha bankat në botë kujdesen që punët të mos ngecin me këtë grup të rrezikshëm për sa i përket moshës.
“Në lidhje me lëshimin e kartelave të reja, të gjitha produktet e kredisë së bankave (si tek ne ashtu edhe në botë) kanë kufizime të caktuara në lidhje me moshën e klientëve, në përputhje me politikat e kredisë dhe menaxhimit të rrezikut të çdo banke. Për më tepër, do të shtonim se përdorimi i shërbimeve për akomodim hotelierik dhe transport janë të disponueshme edhe me kartela debiti, për çka dëshmojnë edhe shumë transaksione të tilla, edhe pse terminologjia e përdorur nga disa kompani globale mbetet ‘kartelë kredie’”, u përgjigj Shoqata Bankare e Maqedonisë.
S.K. DELEVSKA