“DREJTORESHA” PËRGATIT NGA 100 GATIME NË DITË PËR NJERËZIT ME RASTE SOCIALE NGA TETOVA

a:1:{s:9:"td_source";s:45:"Тетово,(САКАМДАКАЖАМ.МК)

“DREJTORESHA” PËRGATIT NGA 100 GATIME NË DITË PËR NJERËZIT ME RASTE SOCIALE NGA TETOVA

As shiu që bie, as moti i ftohtë nuk e pengojnë Abdyltaip Q. që të presë me durim radhën e tij për porcionin ushqimor të ditës para kuzhinës popullore sociale në Tetovë. Nga dhomat fqinje dëgjohen thirrje të hareshme fëmijësh nga çerdhja e fëmijëve, por ai dhe njerëzit që presin para sportelit, i kushtojnë pak vëmendje kësaj gjëje. Çantat janë bërë gati, kutitë plastike i kanë në duar, presin vetëm ushqimin.

“Marr ushqim për tre veta, për mua, për nusen e djalit që është invalid në karrocë dhe për vajzën e vëllait. Gruaja ime ka vdekur. Unë përkujdesem për ta. Punë nuk kam, para nuk kam. Ushqehemi këtu nga kuzhina popullore tashmë 4 vjet. Më parë punoja në çajtore dhe merrja ndonjë denar, por atë e mbyllën. Kërkoja punë gjithkund, por askush nuk më pranon, vetëm më thonë “prit, do të të lajmërojmë” dhe askush nuk më ka lajmëruar, askush nuk dëshiron të punësojë një plak. Për këtë arsye çdo ditë vij këtu, duhet të mbijetojmë disi. Jetoj në Çarshinë e Sipërme dhe çdo ditë vij këtu në këmbë për të marrë ushqim. Deri para ca ditësh, vija me biçikletë, por e lashë para dere dhe njëri ia mëshoi me veturë, e shkatërroi dhe ia mbathi. Kështu e kemi ne të varfërit, edhe atë pak që kemi na e marrin. Veç të mos na marrin edhe këtë kuzhinë, se pastaj nuk e di se ç’do të bëjmë”, thotë Abdyltaipi.

Edhe tridhjetë e tetë vjeçari Zharko S. është njëri nga ata që vite me radhë, ditë për ditë, vjen të marrë ushqim në kuzhinën popullore.

“Jo se dua unë, por duhet të vij. Punë nuk kam, paratë nga ndihma sociale nuk dalin. Kohë pas kohe më thërret dikush që të punoj diçka të vogël, por kjo zgjat pak. Kurse barku nuk pyet, kërkon ushqim çdo ditë. Kontaktin me vëllain tim, që jeton jashtë shtetit e kam humbur, një nga motrat vdiq në aksident rrugor dhe tani jam vetëm. Por është mirë që ekziston një kuzhinë e këtillë. Ushqimi këtu është i mirë, edhe pse nuk jemi kajdexhinj, duam vetëm ta kemi pjatën të mbushur, por nëse do të jepnin më shumë, ndoshta do të mund të na mbetej diçka edhe për darkë”, thotë Zharko dhe e merr porcionin e ditës, makarona me djathë, një bukë, një kilogram miell dhe një qese palentë.

Pas tij vjen Mitasim B. Ai nuk dëshiron as të flasë e as të fotografohet. Para disa vjetësh e kanë inçizuar në televizion se si merrte ushqim nga kuzhina popullore, e pastaj disa shokë dhe fqinj, në vend që t’i ndihmonin, kanë filluar ta tallin.

“Ka shumë lloje njerëzish”, thotë i zhgënjyer Mitasimi dhe largohet menjëherë.

Në kuzhinën popullore përgatiten ushqime të ngrohta për pesë ditë, ndërsa të shtunën dhe të dielën jepet ushqim i thatë. Të gjithë këtë e përgatit Beglie Aziri, të cilën shfrytëzuesit e kuzhinës popullore me mëshirë e quajnë “drejtoreshë”.

“Çdo ditë përgatit rreth 100 porcione. Në këtë hapësirë gatuaj dhe njëkohësisht e ndaj ushqimin. Këtë punë e punoj 10 vjet dhe u afrova shumë me vuajtjet e këtyre njerëzve. Ua njoh fatin, çdo histori të jetës. I kuptoj kur nuk duan të flasin për jetën e tyre. Fati ka luajtur me ta dhe kjo nuk është diçka me të cilën duhet të lëvdohen. Unë i kuptoj dhe prandaj u ndihmoj aq sa mundem. Shpesh herë mbledh veshje të vjetra, të miat apo të fqinjëve dhe ua jap atyre. Gjënë më të vështirë e kam kur më kërkojnë tu jap më shumë ushqim nga sa u takon. Duhet të ushqehen shumë gojë të uritura, ndërsa për disa nga ta ky është ushqimi i vetëm që do të hanë sot”, thotë ajo duke hedhur një shikim nervoz nga dritarja dhe pret automjetin transportues që po vonohej, e që duhej të sillte kavanozat me kastravecë.

E fundit në radhë vjen Florie K., nënë e dy vajzave të rritura, familje ku të gjithë janë pa punë. Fati e ka sjellë nga Polonia këtu në Maqedoni.

“Jeta është e tillë dhe nuk ia vlen të qajmë për fatin tonë. Ja, edhe kjo kuzhinë është ndihmë e madhe për ne. Ushqimi është i mirë, por sikur të kishte mundësi së paku një herë në javë të na jepnin edhe qumësht dhe një litër vaj, që të mundemi të gatuanim diçka edhe në shtëpi, do të ishte me të vërtetë shumë mirë”, thotë Floria.

Drejtori i Qendrës për punë sociale, Naser Sadiki, thotë që puna e kuzhinës popullore sociale mbikëqyret rregullisht.

“Në ditë përgatiten 100 porcione për rastet sociale të cilat janë të paraqitura në Qendrën dhe janë të kufizuara financiarisht për atë numër të shfrytëzuesve. Bashkë me udhëheqësinë e çerdhes së fëmijëve, ku pjesërisht është vendosur kuzhina popullore, do të shikojmë mundësinë që ta zgjerojmë ofertën e prodhimeve”, thotë drejtori Sadiki.

Beglia i ndau të gjitha porcionet, kurse njerëzit kishin ikur kur erdhi automjeti me kastravecët, i cili ishte vonuar për shkak të komunikacionit rrugor.

“Të gjithë shkuan, por kavanozat me kastravecë do t’ua jap me porcionin e nesërm”, thotë Beglia dhe e mbyll sportelin e kuzhinës popullore.

Zoran ANDONOV

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира