Fëmija i rrahur me epilepsi, këmbëzbathur, i uritur dhe i lidhur pas një trungu në parkun e qytetit të Shkupit, pas një viti në një familje kujdestare ka filluar të gëzohet, të ushqehet, të kujdeset dhe tani shkon në shkollë.
Ai jeton me tre djem të tjerë, nga 8 deri në 14 vjeç, të cilët, ashtu si ai, janë fëmijë të braktisur të marrë nën kujdestarinë e shtetit. Ata i janë besuar çiftit të martuar Johanes dhe Eve Charlotte. Ky çift, dy të kthyer nga Gjermania, ndonëse nuk arrijnë t’i përqafojnë fëmijët e tyre në bazë ditore, përpiqen që t’u jepet dashuri vazhdimisht.
SAKAMDAKAZAM.MK pikërisht një vit më parë ka shkruar për një djalë dhjetë vjeçar dhe motrën e tij pesëvjeçare, të cilët Qendra për punë sociale Shkup, pas denoncimit të një kalimtari i ka gjetur dhe marrë nga Parku i Qytetit në një gjendje shumë të keqe, mezi gjallë. Këta dy fëmijë ishin të rrahur, të keqtrajtuar dhe të uritur, me aftësi të dobëta motorike dhe mosha e tyre, për shkak të urisë, ishe shumë më e vogël nga mosha reale kalendarike.
Pas këtij rasti të tmerrshëm, u sigurohet përkujdesje mjekësore në Qendrën sociale, nga ku thonë se për disa muaj kanë shtuar 5-6 kilogramë dhe se arrijnë të adaptohen shumë mirë në mjedisin e ri.
SAKAMDAKAZHAM.MK me synimin për të parë se çfarë ndodh me fëmijët e braktisur nga prindërit kur ata strehohen në një familje, se në ç’kushtesh rriten, nëse shkojnë në shkollë apo jo, çfarë hanë, ku flenë dhe si i trajtojnë kujdestarët, ka paraqitur kërkesë në Qendrën për punë sociale dhe ka marrë leje për t’i vizituar këto dy fëmijë, duke marrë parasysh se fëmija ka pengesë në zhvillim dhe nuk flet.
Edhe vajza ka paaftësi, por në formë më të lehtë se vëllai.
Në shtëpinë e kujdestarisë, një shtëpi e bukur në Shkup, na priti e ëma. Ndërsa i shoqi kishte shkuar ta merrte fëmijën nga Gazi Baba. Kishte shkuar atje me shkollën në një ekskursion njëditor.
Me ne ishin edhe kujdestaret nga Qendra për çështje sociale, Tea Maroshevic-Markovska dhe Irina Kazhiq.
Drejtoresha e Qendrës Natasha Stanojeviq na tregoi se edhe pse fëmijët i i thërrasin nënë dhe baba njerëzit te të cilët janë strehuar, Tea dhe Irina janë në të vërtetë kujdestarët e tyre ligjorë që kryejnë mbikqyrjen.
Shtëpia e Evës dhe Johanesit ishte shumë e rregullt dhe e këndshme. Sapo ne hymë, mbretëroi një qetësi. Më i vogli prej tyre, na shikonte me një fytyrë të ngrirë, e paksa i frikësuar, thua se mendonte se kishim ardhur për ta marrë, e donte të “na ikë”. Vëllai i tij më i madh e përqafonte, ndërsa po i tregonte M.M. se priste që kujdestarja t’i japë disa libra, po sipas zërit që i dridhej, edhe ai kishte frikë se mos “i marrim nga shtëpia”.
Pas një kohe të shkurtër që biseduam me fëmijët, që t’i siguronim se nuk kemi ardhur pas tyre, erdhi Johanesi me djalin. I buzëqeshur që i pa prindërit e tij në shtëpi, fëmija erdhi drejt nesh vetë, pa ndihmën e babait. Na shikonte me sy të përlotur, e më së shumti u gëzua për të emën.
Ajo e ushqente sepse nuk mund të hante vetë. Hëngri mirë, deri në kafshatën e fundit.
Kujdestarët na thanë se fëmija përveç që po përparon fizikisht dita-ditës, ka ndryshuar krejtësisht edhe shprehjen e fytyrës. Ndërsa Johanesi filloi të luajë me fëmijën.
“Hajde babi të lujamë”, tha ai Fëmija dukej se po priste me padurim. U ngrit pa hezitim, i shtrënguan duart, lëshuan muzikë dhe kërcyen bashkë. Kujdestarët kuptuan se pengesa në zhvillim dalë nga dalë po zbutej. Dhe se fëmija, ndonëse nuk ka kuptuar asgjë kur e kanë gjetur, tani i kupton fjalët: “Eja”, “Ngrihu”, “Ulu”, “Të shkojmë në WC”, Mami, Babi, “T’i lajmë duart”, “jo”, e fjalë të tjera.
Sulmet e tij epileptike vihen nën kontroll me mjekimin e nevojshëm, ndërsa pengesa e fëmijëve është kryesisht në të folur. Kjo është arsyeja se pse shkon në një shkollë speciale.
Ndërkohë që ne i duartrokisnim duke e siguruar se dita ditës është bërë më mirë edhe fizikisht, po edhe në sjelljen e tij, njëri nga fëmijët vazhdonte të qëndrojë i ngrirë dhe nuk donte të hante nga byreku.
“Ha bir, ha, nuk do të të marrë njeri. Mos kij frikë, këta njerëz nuk kanë ardhur pas teje. Kanë ardhur të shohin si jemi”, e siguronte Johani fëmijën më të vogël, që dukej se nuk na besonte deri në fund.
Donte të na përzërjë sa më shpejt, e disa herë i shpëtonte fjala: “Çao”. I thamë se do të shkojmë nëse fillon të hajë.
Atëherë e zbrazi pjatën në çast.
Në shtëpinë e kujdestarisë, katër fëmijët në katin e sipërm kanë apartamente dhe një banjë të veçantë me tualet. Ishte e pashmangshme të pyesnim edhe se çfarë metodash përdorin prindërit kur fëmijët bëjnë ndonjë “bela”. Johanes na tha se në atë moshë mjafton që t’u “ndalohet” televizori nëse kanë bërë një problem, nëse nuk duan të bëjnë detyrat e shtëpisë ose nuk duan të studiojnë, pasi secili prej tyre kishte një kanal të preferuar muzikor apo ndonjë seri televizive që i pëlqen.
“Sa i përket fëmijës tim biologjik, edhe për atë njëlloj është. “Nuk bëjmë dallime”, thonë Eva dhe Johanes. Sa i përket të dalurit jashtë dhe përzierjes së tyre me fëmijë të tjerë, na thanë se bëjnë kujdes.
Rastësisht, vitin e kaluar kur djali me aftësi të kufizuara u gjet në park, në stacionin policor doli numri i tij amë. Ndaj tani ai mund të ketë një certifikatë lindjeje, kartë shëndetësore, kujdes mjekësor falas dhe merr dhe një shtesë të veçantë.
Ndryshe nga ai, motra nuk figuron në sistem. Nëna (me aftësi të kufizuara) nuk e di datën e saj të lindjes.
Vajza gjashtë vjeçare, e cila gjithashtu është me aftësi të kufizuara, është vendosur në një familje tjetër kujdestare në Shkup, me vajza të tjera. Irina Kazhiq është kujdestarja e saj ligjore. Ajo thotë se është përshtatur aq mirë sa tani është krejtësisht njeri tjetër. Vajza tani ka faqe të shëndosha, dhe edhe vëllai i saj përparon me sukses. Është vazhdimisht bukur e rregulluar, loz, vallëzon, shoqërohet, është bërë një bukuroshe e vërtetë.
Qendra për punë sociale ka dhënë vërtetimin që edhe ajo të mund të shkojë në shkollë. Por fakti se nuk figuron në sistem është një pengesë e madhe për të. Ekzaminimet e mjekut amë që i paguajnë privatisht janë më të lira, por ato specialet që paguan shteti, janë shumë të shtrenjta.
“Për të është nisur një procedurë regjistrimi në librin amë të të lindurve. “Për të gjithë fëmijët që i gjejmë pa numër amë, hapim procedurë për regjistrim në librin amë të të lindurve në mënyrë që të kenë dhe ata certifikatë dhe dokumente personale”, thonë kujdestaret Irina dhe Tea.
Këta dy fëmijë janë persona me aftësi të kufizuara dhe sipas vlerësimeve shëndetësore jetojnë në familje të ndryshme kujdestare – djali me djem, kurse vajza me vajza të tjera gjithashtu nën kujdes. Te fëmijët e shëndetshëm, rregulli është ndryshe – në një familje strehohen fëmijë nga të njëjtët prindër.
Këta dy fëmijë në fillim janë braktisur nga babai, e pastaj edhe nga nëna, Daja i tyre, kujdestari i vetëm, i ka keqtrajtuar dhe rrahur.
Më 28 qershor, një kalimtar i rastit në parkun e qytetit ka parë një burrë të rritur duke e rrahur një vajzë shumë të dobët, në fillim me shuplaka, e pastaj me shkelma në këmbë. Në një dru aty afër ndodhej i lidhur për këmbe një djalë i rraskapitur. I tronditur nga kjo ngjarje, qytetari ka paraqitur menjëherë rastin në telefonin e hapur të Qendrës për punë sociale Shkup, e që aty kanë lajmëruar policinë. Policia e ka arrestuar burrin menjëherë, kurse fëmijët që në atë ditë (të shtunën) janë dërguar në familje kujdestare.
“I akuzuari – daja i dy fëmijëve të dëmtuar, me datë 28 qershor ka marrë përsipër detyrimin e besuar nga nëna e fëmijëve, që t’i mbikqyrë ndërkohë që ajo nuk ka qenë prezente.” Por ai ka shpërfillur rëndshëm kujdesin dhe edukimin dhe filloi t’i abuzonte. Po atë ditë, rreth orës 12:30, e ka lidhur djalin 10 vjeçar për këmbe rreth drurit me gomën e brendshme të motoçikletës. Ai nuk ka mundur të lirohet, dhe motra e tij 5 vjeçe i është afruar në përpjekje për t’i dhënë një shishe me lëng për të pirë. “Në atë moment i pandehuri e ka sulmuar edhe vajzën, fillimisht verbalisht, e më pas edhe fizikisht – duke e goditur në fytyrë dhe në këmbë”, ka shkruar vitin e kaluar Prokuroria, e cila e ka ndaluar dhe ka ngritur aktakuzë ndaj dajës së tij.
Nënës iu hoq e drejta prindërore mbi dy fëmijët e saj, të cilët më në fund e gjetën qetësinë e tyre nëpër familje kujdestare, për fat të keq, me prindër shumë më të mirë.
S.K. DELEVSKA