ME TALENTET E TYRE RRËZOJNË TEORITË E ARTIT, THOTË PROFESORI BEDI IBRAHIM PËR NXËNËSIT ME PENGESA NË ZHVILLIM

ME TALENTET E TYRE RRËZOJNË TEORITË E ARTIT, THOTË PROFESORI BEDI IBRAHIM PËR NXËNËSIT ME PENGESA NË ZHVILLIMProfesori dhe skulptori Bedi Ibrahim, i cili i udhëhiqte punëtoritë për projektin figurative-edukativ të Galerisë kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe ambasadës së Holandës në Maqedoni “Art për të gjithë” (Foto: K.Popov/I.Vasilev)

“Fëmijët me pengesa në zhvillim janë të lumtur ndërkohë që krijojnë artin e tyre të lirë, ndërsa ne jemi edhe më të lumtur”, thotë artisti dhe profesori Bedi Ibrahim, pjesë e ekipit të projektit figurativo-edukativ “Art për të gjithë” i Galerisë kombëtare (GKMV) dhe të ambasadës së Holandës në shtet. Projekti, i koordinuar nga kuratorja Maja Dimitrova u dedikohet fëmijëve me autizëm dhe të shprehurit, të dëgjuarit dhe të pamurit e dëmtuar, nga mosha më e hershme e deri në mbarimin e shkollës së mesme.

Ibrahimi, i cili është prodekan dhe profesor i skulpturës në Fakultetin e arteve figurative, ka punuar në dy faza të projektit. E para përfshinte punëtorinë me nxënësit e shkollës për njerëz të verbër “Dimitar Vllahov” dhe e dyta nxënës nga shkolla me fëmijë me dëmtime në të dëgjuarit dhe të shprehurit “Partenie Zografski”, ndërsa veprat u ekspozuan vjet në dhjetor. Para jo shumë kohe në Çifte Hamam u hap ekspozita “Pranverë, verë, vjeshtë, dimër…dhe përsëri pranverë” me vepra të nxënësve me autizëm, e cila ishte rezultat i punëtorive me Ibrahimin.

Nga punëtoria e ekspozitës “Pranverë, verë, vjeshtë, dimër…dhe përsëri pranverë” në Çifte Hamam.
(Foto: Galeria kombëtare e Maqedonisë së Veriut)

Ai thotë se nga viti 2009 bashkëpunon me qendrën ditore për fëmijë me të meta “Mesazhi” dhe se gëzohet sepse mund të bashkëpunojë në mënyrë kreative me ta dhe t’u ndihmojë në lirinë e të shprehurit.

“Kur ne, skulptorët, punojmë, shohim anën teknike, se çfarë duhet hequr apo shtuar. Te personat me pengesa ne zhvillim është interesant fakti se si udhëhiqen nga aroma, prekja e tokës, glinës, ujit. Meqenëse puna kryhet me anë të gishtave, ata përçojnë të gjithë energjinë e tyre brenda formës. Asnjëherë nuk u sugjerojmë që të përdorin ngjyrë të verdhë apo jeshile. Ne e dimë se teoritë e artit thonë se ngjyra e kaltër me të verdhën nuk shkon, por nëpërmjet proceseve të këtilla disa teori do të rrëzohen. Në matematikë dy plus dy bëjnë katër, por në art mund të bëjnë tre ose pesë. Ajo që ne e mendojmë si të pamundur është e mundur, madje edhe duket bukur. Nxënësit kishin sukses si kur ngjyrosnin ashtu edhe kur vizatonin në pëlhurë”, thotë Ibrahimi.

Ai thotë se gjatë kohës së punëtorisë së fundit, një prej pjesëmarrësve ka punuar me teknikë në pëlhurë e cila përdoret në Turqi, pikturë në ujë. Një lloj grafike, por me proces të kundërt, ku vendoset boja, mbi bojën letra, dhe pastaj tërhiqet.

Nga viti 2011 jam në fakultet dhe me anë të këtyre punëtorive ndjehem shumë i lumtur, shumë i plotësuar. Njeriu mund të mësojë shumë gjëra nëse ka dashuri”, tha Ibrahimi. (Foto: SDK.MK)

“Nuk kishim kushte për ta zbutur pëlhurën në ujë. E lagëm mjaftueshëm dhe më pas direkt mbi pëlhurë nxënësi derdhi pika ngjyrash të ndryshme. Në momentin kur pika e ngjyrës bie në ujë, menjëherë krijohet lëvizja. Ai u gëzua kaq shumë sa në një moment kërkoi lëng, të cilin e derdhi mbi pëlhurë, duke krijuar një nuancë të bukur të verdhe në okër, një ngjyrë e cila nuk mund të fitohet nga paletat e ngjyrave. Kur lëngu i mbaroi ai vendosi se vepra kishte përfunduar dhe se duhej ta linim jashtë që të thahej. Kjo ishte më gjenialja nga të gjitha”, thotë Ibrahimi.

Ai shton se gjatë kohës së punëtorive nuk mbahen ligjerata klasike dhe pauza, por nxënësit vijnë, mentorët e prezantojnë materialin e tyre dhe ata fillojnë me krijimtarinë e tyre.

“Duhet të gjendet momenti për t’iu afruar, për t’iu dhënë besimin se me anë të asaj teknike, ai/ajo mund të bëjë gjithçka, pa sugjeruar se cila është mënyra e duhur për të bërë një vizatim. Nuk e dimë se çfarë fshihet brenda tyre. Te ne ekziston problemi im dhe problemi i tjetrit. Nuk e dimë se çfarë halli ka tjetri apo çfarë halli kemi ne. Gjithmonë duhet të përkujdesemi për atë që është krah nesh. E të mos merremi se kush është para apo pas. Nga viti 2011 jam në fakultet dhe me anë të këtyre punëtorive ndjehem shumë i lumtur, shumë i plotësuar. Njeriu mund të mësojë shumë gjëra nëse ka dashuri”, tha Ibrahimi.

Defektologia dhe nënkryetarja e Shoqatës shkencore për autizëm, Ivana Vasilevska-Petrovska. (Foto: I. Vasilev)

Sipas defektologes dhe nënkryetares së Shoqatës shkencore për autizëm Ivana Vasilevska-Petrovska, pjesëmarrja e personave me autizëm në jetën kulturore është një e drejtë, jo privilegj. Si pjesë e projektit, deri më tani ajo ka punuar në tre aktivitete tematike të dedikuara fëmijëve me lloje të ndryshme të pengesave në zhvillim.

“Temat ishin me të vërtetë të gjera dhe me shumë shtresa, për t’i dhënë mundësi shprehjes individuale dhe lirisë që çdokush të mund ta gjejë veten aty. Isha shumë e kënaqur që të gjitha punëtoritë ishin veçanërisht të suksesshme. Nxënësit treguan interes të madh, punuan me të vërtetë të dedikuar, megjithëse në një atmosferë të relaksuar, joformale, ku secili pranohej për atë që ishte dhe ishte i lirë që të shprehte afinitetet e fshehura dhe të mund të marrë mbështetjen që i nevojitej”, tha ajo.

Ngjyrat e vizatimit, tha ajo, sigurisht që kanë kuptimin e tyre, të trajtuar nga psikologjia e ngjyrave. Çdo ngjyrë ka kuptim pozitiv apo negativ. Për shembull ngjyra e kuqe mund të ketë kuptimin e dashurisë, pasionit, por njëkohësisht edhe të agresivitetit dhe rrezikut. Në terapinë e artit, përveç kuptimit të ngjyrave, gjatë interpretimit të veprës artistike, terapisti i artit gjithashtu analizon se ku janë të pozicionuara ngjyrat dhe çfarë është vizatuar, gjegjësisht çfarë është paraqitur me një ngjyrë të caktuar në pëlhurë. Vendndodhja e ngjyrave, thellësia e tyre dhe variacioni tregojnë një histori më vete.

Koordinatorja e projektit figurative-edukativ “Art për të gjithë”, kuratorja Maja Dimitrova.
(Foto: Galeria kombëtare e Maqedonisë së Veriut)

“Megjithatë, interpretimi i veprave artistike nuk është tamam qëllimi i punëtorive. Sipas meje, përfshirja e fëmijëve me pengesa në zhvillim në vetë procesin e krijimit të artit kishte për synim që fëmijët të mund t’i përjetojnë dobitë e mëdha të artit. Të mund të përjetojnë se si është ndjenja të jesh një krijues, një njeri i aftë dhe i vlerësuar për aftësitë, por gjithashtu një mënyrë që të tjerët të mund t’i shohin anët e tyre të forta dhe të këtë mënyrë të kontribuojnë drejt ndryshimit të perceptimit të personave me pengesa në zhvillim në shoqëri”, thotë Vasilevska-Petrovska.

Ajo shpjegon se rëndësia e artit, sidomos e aktiviteteve krijuese për fëmijët është jashtëzakonisht e madhe.

“Një dobi shumë e madhe është mundësia për t’u shprehur në mënyrë joverbale duke përdorur vegla dhe materiale të ndryshme. Në këtë mënyrë fëmijët mund të komunikojnë në mënyrë vizuale gjithçka që nuk mund ta thonë dot me fjalë. Gjithashtu, aktivitetet artistike janë një mënyrë shumë e mirë për të forcuar vetbesimin dhe motivimin. Në art nuk ekzistojnë gabimet, kështu fëmijët me nevoja të veçanta janë të çliruar nga shqetësimi se vepra e tyre nuk do të jetë aq e mirë sa e të tjerëve”, thotë Vasilevska-Petrovska.

Profesorët Bedi Ibrahim dhe Vlladimir Martinovski konsiderojnë se shteti duhet të përkujdeset në mënyrë që të sigurojë kushte për edukimin nëpërmjet artit të personave me pengesa në zhvillim. (Foto: I. Vasilev)

Si pjesë e projektit “Art për të gjithë”, u mbajt dhe debati me temë “Inkluzioni kulturor i personave me pengesa në zhvillim”, ku mori pjesë edhe profesori Vlladimir Martinovski nga Katedra e letërsisë së përgjithshme dhe krahasuese në Fakultetin filologjik “Bllazhe Koneski”.

Projekti “Art për të gjithë” i Galerisë kombëtare është shembull i ndritur se si arti mund të jetë bashkues i dallimeve, një urë komunikimi mes vetes dhe të tjerëve dhe një dobi e madhe në socializimin dhe përfshirjen kulturore të personave me nevoja të veçanta. Mendoj se ky projekt do të mund  të ishte, dhe do të duhej të ishte një model shembull për projekte të tjera të ngjashme edhe në arte të tjera, por edhe një strategji për njohje, mbindërtim, zhvillim, mbështetje dhe afirmim i potencialeve artistike të fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta. Inkluzioni i tyre në kulturë është më se i nevojshëm. Prandaj, e mbështes edhe idenë për krijimin e kushteve për edukimin e tyre artistik, përmes programeve të veçanta në kornizat e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë”, thotë Martinovski për SAKAMDAKAZAM.MK.

B. NESTORSKA

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови и фотографии) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира

Коментари